– Ungjilli – Mattheu 24:27-33, 42-51.

 

Sepse siç del vetëtima nga lind dielli dhe duket deri tek perëndon, kështu do të jetë edhe ardhja e birit të njeriut. Sepse ku të jetë kërma, atje do të mblidhen shqiponjat.

Edhe menjëherë pas shtrëngimit të atyre ditëve, dielli do të erret, edhe hëna nuk do të japë ndriçimin e saj; edhe yjet do të bien nga qielli, edhe fuqitë e qiejve do të tunden. Edhe atëherë do të duket shenja e Birit të njeriut në qiell; edhe atëherë do të bëjnë vajtim gjithë fiset e dheut, edhe do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi e me lavdi shumë. Edhe do të dërgojë engjëjt e tij me trumbetë me zë të madh, edhe do të mbledhin të zgjedhurit e tij nga të katër erërat, prej fundit të anëve të qiejve e deri në fund të anëve të tyre.

Edhe nga fiku mësoni paravolinë: Kur bëhet tashmë dega e tij e butë, edhe nxjerr gjethet, e dini se vera është afër. Kështu edhe ju kur të shihni gjithë këto, ta dini se është afër ndër dyer.

Rrini zgjuar pra, sepse nuk dini në ç’orë vjen Zoti juaj. Po këtë e dini, se ta dinte i zoti i shtëpisë, në ç’kohë të natës vjen vjedhësi, do të rrinte zgjuar, edhe nuk do të linte të shpohej shtëpia e tij. Prandaj edhe ju bëhuni gati, sepse Biri i njeriut vjen në atë orë që nuk jua pret mendja juve. Cili vallë është ai shërbëtor besnik dhe i mençur, të cilin i zoti e vuri kujdestar mbi shërbëtorët e tij, që t’u japë atyre ushqimin në kohën e duhur?

Lum ai shërbëtor, të cilin, kur të vijë i zoti, ta gjejë duke bërë kështu. Me të vërtetë po ju them juve, se do ta vërë atë kujdestar mbi gjithë pasurinë e tij. Por në thëntë ai shërbëtori i lig në zemrën e tij: Im zot vonon të vijë; edhe të zërë të rrahë shokët e tij shërbëtorë, edhe të hajë e të pijë bashkë me ata që dehen, i zoti i atij shërbëtori do të vijë në atë ditë që ai nuk e pret dhe në atë orë që ai nuk e di; edhe do ta ndajë më dysh, edhe do ta vërë pjesën e atij bashkë me hipokritët; atje do të jetë të qarët dhe kërcëllitja e dhëmbëve.