– Ungjilli – Mateu 24:13-28.

Po kush të durojë deri në fund, ky do të shpëtojë. Edhe ky ungjill i mbretërisë do të predikohet në tërë botën, për dëshmi mbi gjithë kombet; edhe atëherë do të vijë fundi.

Kur të shihni pra “neverinë e shkretimit”, që është thënë nga profeti Daniel, duke ndenjur në vend të shenjtë, ai që lexon le ta kuptojë. Atëherë ata që janë në Jude le të ikin nëpër male. Kush të gjendet përmbi shtëpi, le të mos zbresë që të marrë gjë nga shtëpia e tij.

Edhe kush të gjendet në arë, le të mos kthehet prapa që të marrë rrobat e tij. Edhe mjerë ato që janë shtatzëna dhe ato që kanë foshnja në gji në ato ditë. Edhe lutuni që të mos bëhet ikja juaj në dimër, as të shtunën. Sepse atëherë do të jetë shtrëngim i madh, i atillë që nuk është bërë që në fillim të botës e deri tani, as nuk do të bëhet. Edhe po të mos shkurtoheshin ato ditë, nuk do të shpëtonte asnjë mish; po ato ditë do të shkurtohen për të zgjedhurit.

Atëherë në ju thëntë juve ndonjëri: Ja tek është këtu Krishti, apo aty, mos besoni. Sepse do të ngrihen krishtër të rremë, edhe profetë të rremë, edhe do të bëjnë shenja të mëdha dhe çudira, kaq sa do të gënjejnë edhe të zgjedhurit, në mundshin. Ja tek jua thashë juve më përpara. Në ju thënçin pra juve: Ja tek është në shkretëtirë, mos dilni. Ja në dhomat e brendshme, mos besoni. Sepse siç del vetëtima nga lind dielli dhe duket deri tek perëndon, kështu do të jetë edhe ardhja e birit të njeriut. Sepse ku të jetë kërma, atje do të mblidhen shqiponjat.