– Ungjilli – Mattheu 22:23-33

 

Në atë ditë i erdhën pranë Saduqenj, të cilët thonë se nuk ka ngjallje; edhe e pyetën, duke thënë: Mësues, Moisiu tha: “Në vdektë ndonjë pa pasur bij, i vëllai do të martohet me gruan e tij, edhe do t’i ngjallë farë të vëllait të tij”. Edhe ishin ndër ne shtatë vëllezër. Edhe i pari, si u martua, vdiq; edhe pasi nuk kishte fëmijë, ia la gruan e tij të vëllait të tij. Kështu edhe i dyti, edhe i treti, deri në të shtatin. Edhe më pas nga të gjithë vdiq edhe gruaja. Në ngjallje pra, gruaja e kujt do të jetë nga këta të shtatë? Sepse të gjithë e patën grua atë.

Edhe Jisui u përgjigj e u tha: Jeni të gënjyer, se nuk dini shkrimet, as fuqinë e Perëndisë. Sepse në ngjallje as martohen, as martojnë, por janë si engjëj të Perëndisë në qiell. Edhe për ngjalljen e të vdekurve a s’keni lexuar ç’ju është thënë juve prej Perëndisë, kur thotë: “Unë jam Perëndia i Abrahamit, edhe Perëndia i Isaakut, edhe Perëndia i Jakovit”? Perëndia nuk është Perëndi të vdekurish, por të gjallësh. Edhe turmat kur dëgjuan, habiteshin për mësimin e tij.