– Apostulli – 2 Korinthianëve 1:1-7.
Pavli, apostull i Jisu Krishtit me anë të vullnetit të Perëndisë, edhe vëllai Timothe, kishës së Perëndisë që është në Korinth, bashkë me gjithë shenjtorët që janë në gjithë Akainë, hir mbi ju dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë, dhe Zoti Jisu Krisht.
I bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jisu Krisht, Ati i përdëllimeve dhe Perëndia i çdo ngushëllimi, që na ngushëllon në çdo shtrëngim tonin, që ne të mund të ngushëllojmë ata që gjenden në çdo shtrëngim, me anë të ngushëllimit me të cilin ngushëllohemi edhe ne vetë nga Perëndia. Sepse, siç teprojnë tek ne pësimet e Jisu Krishtit, kështu me anë të Jisu Krishtit tepron edhe ngushëllimi ynë.
Edhe në kemi shtrëngim, është për ngushëllimin dhe për shpëtimin tuaj, që bëhet me anë të durimit të po atyre pësimeve që pësojmë edhe ne; ose nëse ngushëllohemi, ngushëllohemi për ngushëllimin dhe për shpëtimin tuaj; edhe shpresa jonë për ju është e patundur; duke ditur, se siç jeni pjesëtarë të pësimeve, kështu do të jeni dhe të ngushëllimit.