– Ungjilli – Mattheu 14:1-13

Në atë kohë Herodi, tetrarku, dëgjoi për famën e Jisuit.
Edhe u tha shërbëtorëve të tij: Ky është Joan Pagëzori. Ai është ngjallur së vdekurish, edhe prandaj bëhen çudira nga ai. Sepse Herodi zuri Joanin, edhe e lidhi, edhe e vuri në burg, për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, të vëllait të tij. Sepse Joani i thoshte atij: Nuk është e lejueshme ta kesh ti atë. Edhe donte ta vriste atë, po pati frikë prej turmës, sepse e kishin për profet.
Edhe kur po bëhej festimi i ditës së lindjes së Herodit, e bija e Herodiadës luajti valle në mes, edhe i pëlqeu Herodit. Prandaj iu zotua asaj me be t’i japë ç’të kërkonte. Edhe ajo, si u mësua prej së ëmës, thotë: Jepmë kryet e Joan Pagëzorit këtu mbi një pjatë. Edhe mbretit i erdhi keq, po për betimet që kishte bërë, edhe për ata që ishin shtruar në tryezë bashkë me të, urdhëroi t’i jepet. Edhe dërgoi e i preu kryet Joanit në burg. Edhe kryet e tij u pru mbi një pjatë e iu dha vajzës. Edhe ajo ia pruri së ëmës. Edhe si erdhën nxënësit e atij e ngritën trupin dhe e varrosën; pastaj erdhën e lajmëruan Jisuin.
Edhe Jisui, kur dëgjoi, iku prej andej me lundër në një vend të shkretë veçan; edhe turmat kur dëgjuan, i shkuan prapa me këmbë nga qytetet.