– Ungjilli – Mattheu 13:10-23.

 

Edhe nxënësit erdhën pranë e i thanë atij: Përse u flet atyre me paravoli? Edhe ai u përgjigj e u tha atyre: Sepse juve ju është dhënë të njihni të fshehtat e mbretërisë së qiejve, po atyre nuk u është dhënë. Sepse atij që ka do t’i jepet edhe më do të teprojë; kurse atij që nuk ka, edhe ç’të ketë do të merret nga ai. Prandaj u flas atyre me paravoli, sepse duke parë nuk shohin, edhe duke dëgjuar nuk dëgjojnë, as nuk kuptojnë. Edhe do të përmbushet në ata profecia e Isaisë, që thotë: “Për të dëgjuar do të dëgjoni, po nuk do të merrni vesh; edhe duke parë do të vështroni, po nuk do të shikoni. Sepse u trash zemra e këtij populli, edhe veshët e tyre u rënduan në dëgjim, edhe sytë e tyre i mbyllën, se mos shohin ndonjëherë me sytë edhe dëgjojnë me veshët, edhe kuptojnë me zemrën, edhe kthehen, e i shëroj ata”. Lum sytë tuaj, se shohin; edhe veshët tuaj, se dëgjojnë. Sepse me të vërtetë po ju them juve, se shumë profetë edhe të drejtë dëshiruan të shohin sa shihni ju, edhe nuk panë; edhe të dëgjojnë sa dëgjoni ju, edhe nuk dëgjuan.

Ju pra dëgjoni paravolinë e mbjellësit. Kujtdo që dëgjon fjalën e mbretërisë edhe nuk kupton, vjen i ligu dhe rrëmben atë që është mbjellë në zemrën e tij; ky është ajo që u mboll pranë udhës. Edhe ç’u mboll mbi gurishte, ky është ai që dëgjon fjalën, edhe përnjëherë e merr me gëzim; por s’ka rrënjë në veten e tij, prandaj është për pak kohë; sepse kur bëhet shtrëngim ose përndjekje për fjalën, menjëherë skandalizohet. Edhe ç’u mboll ndër gjembat, ky është ai që dëgjon fjalën; por kujdesi i kësaj jete dhe mashtrimi i pasurisë mbysin fjalën, edhe bëhet i pafrytshëm. Edhe ç’u mboll në tokë të mirë, ky është ai që dëgjon fjalën, dhe e kupton; prandaj ai sjell fryte, edhe bën njëri njëqind, edhe tjetri gjashtëdhjetë, e tjetri tridhjetë.