– Apostulli – Romakëve 15:17-29.

 

Kam pra pse të mburrem në Jisu Krishtin për sa kanë të bëjnë me Perëndinë. Sepse nuk do të guxoj të flas për ndonjë nga ato vepra, të cilat Krishti nuk i bëri me anën time, për të prurë në bindje kombet, me fjalë e me vepër, me fuqi shenjash e çudish, me fuqi të Frymës së Perëndisë, kaq sa që nga Jerusalemi e përqark e deri në Ilirik e kam mbushur me ungjillin e Krishtit. Edhe kështu synova të predikoj ungjillin, jo ku ishte i njohur emri i Krishtit, që të mos ndërtoj mbi themel të huaj; por, siç është shkruar: “Ata, ndër të cilët s’është lajmëruar për të, do të shohin; edhe ata që s’kanë dëgjuar, do të kuptojnë”.

Prandaj edhe u pengova shumë herë e s’erdha dot tek ju. Po tani duke mos pasur më vend në këto anë, edhe pasi prej shumë vitesh kam mall të vij tek ju, kur të shkoj në Spanjë, do të kaloj nga ju, sepse shpresoj duke shkuar t’ju shoh ju, edhe të përcillem prej jush për atje, pasi të ngopem deri diku me ju. Por tani po shkoj në Jerusalem, për t’u shërbyer shenjtëve. Sepse Maqedonia dhe Akaia e patën kënaqësi t’u japin ndihmë të varfërve ndërmjet shenjtëve në Jerusalem. Me të vërtetë u pëlqeu, dhe u janë të detyruar atyre; sepse nëse u bënë kombet pjesëtarë bashkë me ata në punët e shpirtit, kanë detyrë t’u shërbejnë atyre edhe në punët e mishit. Si të mbaroj pra këtë, edhe t’ua jap atyre me siguri këtë fryt, do të shkoj nga ju për në Spanjë. Edhe e di se duke ardhur tek ju, do të vij me plotësinë e bekimit të ungjillit të Krishtit.