KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË

 

NJOFTIM

Atë Theofan (Arjan) Koja

zgjidhet Episkop Ndihmës për shqiptarët në SHBA!

 

Arqimandriti Theofan (Arjan) Koja, i njohur nga orthodhoksët e Shqipërisë si nismëtar i veprimeve përçarëse, lindi në vitin 1966, në Tiranë. Studioi për një periudhë kohe në Seminarin Hieratik të Durrësit dhe më pas shkoi në Rumani, ku u dorëzua në dhjakon dhe prift. Kur u kthye në Shqipëri, tanimë në krye të një grupi supernacionalistësh, më 8 tetor 1995, ai dëboi, gjatë kohës që kryhej Liturgjia Hyjnore, meshtarët e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nga kisha e hirshme e së Tërëshenjtës, që ndodhet në Kalanë e vjetër të qytetit të Elbasanit. Në atë kishë vendosi Nikolla Markun, i cili ishte «dorëzuar» nga një episkop skizmatik i Kishës së Shkupit, nën emërtimin “Kisha Ortodokse e pavarur Kombëtare Shqiptare Shën Maria Elbasan”. (Lidhur me këtë veprim të dhimbshëm përçarës shih gazetën Ngjallja – Nëntor 1995).

Që nga ajo kohë, Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, bashkëpunëtori i tij, Nikolla Marku, e ka quajtur vazhdimisht dhe haptazi kishë greke. Duke përdorur një terminologji të pastër nacionaliste dhe politike, ai vazhdon ta mbajë ende të zaptuar kishën orthodhokse historike të Elbasanit deri në ditët e sotme. (Shih mbi 15 përgjigje përkatëse ndaj tij tek gazeta Ngjallja, p.sh. nëntor 2015, shkurt 2016, prill 2016, nëntor 2018).

Pas dështimit të tij, Arqimandriti Theofan u zhvendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe atje u bë pjesë e Kishës rumune. Ai nuk ka kërkuar kurrë falje për veprimet e tij përçarës gjatë viteve të para të ringritjes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Para tre vjetësh u zhvendos në Boston dhe kërkoi të bëhej episkop, si pasues i mitropolitit z. Nikon Liolini. Mirëpo, pasi mori të dhëna në mënyrë të përgjegjshme për veprimet e tij përçarëse, kryesia e OCA-së nuk e zgjodhi.

Së afërmi, ai arriti të bëhej pjesë e Kishës Greke Orthodhokse të Amerikës. Kryepiskopi Elpidhofor i premtoi se do ta gradonte episkop dhe, përmes procedurash tejet të përshpejtuara, sipas njoftimit zyrtar, ai u zgjodh Episkop i Filomilit, «si Mbikëqyrës Arkihieratik për Bashkësinë Orthodhokse Shqipfolëse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila ndodhet nën Patriarkanën Ekumenike».

Habi dhe paqartësi u ka shkaktuar orthodhoksëve të Shqipërisë kjo zgjedhje e papritur, me këmbënguljen e Kryepiskopit të Amerikës, z. Elpidhofor. Po kufizohemi vetëm në sjelljen e domosdoshme në vëmendje të problemeve që Arqimandriti Theofan shkaktoi gjatë ringritjes nga rrënojat të Kishës martirike të Shqipërisë.

Tiranë, 5 korrik 2023

Nga Kryesekretaria e Sinodit të Shenjtë