Kryhet Shërbesa e Shenjtërimit të kishës në Skitin e Grave Miroprurëse.
Në datën 11 qershor 2023, në të Dielën e Gjithë Shenjtorve, u krye shenjtërimi i kishës së Skitit të Miroprurëseve, pranë Manastirit të Shën Vlashit, afër Durrësit. Liturgjia Hyjnore dhe shërbesa e shenjtërimit u kryen nga Kryepiskopi Anastas, bashkë me Mitropolitin e Apollonisë dhe Fierit, Nikollën; Mitropolitin e Amantias, Nathanailin dhe klerikë të tjerë të Kryepiskopatës.
Shërbesat u hapën me shenjtërimin e kishës dhe, pas vendosjes së lipsanave të shenjtorëve në tryezën e Hierores, u krye Liturgjia Hyjnore.
Ky skit murgeshash është i veçantë pasi, përveç se është një risi për zonën, mban edhe një emër të shënuar nga ngjarjet e Ungjillit, që pasojnë ngjalljen e Krishtit. Në këto vite, Kryepiskopi Anastas ka synuar që shumë kisha të reja të mbanin emra me bazë ungjillin dhe me kuptim të thellë teologjik, të cilat kishin munguar sidomos gjatë periudhës së pushtimit otoman.
Përpjekje shpirtërore nga gra të përkushtuara do ta shenjtërojnë edhe më tej këtë vend, duke e kthyer në një burim rrezatimi shpirtëror. Aty shërbejnë Motër Rakela, pedagoge në degën e Teologjisë në Universitetin “LOGOS”, bashkë disa me vajza në provë.
Kryepiskopi Anastas, duke iu drejtuar besimtarëve të pranishëm, tha: “Të falënderojmë dhe lavdërojmë Perëndinë për dhuratën e sotme. Edhe një tjetër kishë shenjtërohet në këtë vend që ka kaluar kaq shumë dhimbje. Në vitet e vështira të persekutimit, vendet e shenjta ishin shndërruar në stalla, kinema, magazina dhe ishin përdorur për qëllime të pahijshme. Lavdi Zotit, janë ndërtuar tashmë rreth 150 kisha të reja dhe rreth 60 të tjera janë restauruar. Çdo kishë orthodhokse është vend ngushëllimi e shprese, vend vëllazërimi dhe hapjeje ndaj gjithë botës. Kur kryejmë Liturgjinë Hyjnore, bashkohemi me të gjithë njerëzit në të katër anët e botës, kudo ku ajo kryhet. Kisha është një vend shenjtërimi dhe ripërtëritjeje shpirtërore.
Le të lavdërojmë Perëndinë për bekimet e Tij të shumta. Veçanërisht kjo kishë, kisha e Skitit të Grave Miroprurëse, e cila është një bërthamë e re murgjërie, ngrihet në një vend të hirshëm ku ushtrimi shpirtëror do marrë formën e tij më të mirë e më të saktë.
I urojmë motër Rakelës dhe vajzave që e shoqërojnë që shoqërisë së tyre t’u bashkohen sa më tepër vajza të përkushtuara. Është një vend në të cilin mund të vazhdojmë me një fuqi edhe më të madhe liturgjinë tonë pas Liturgjisë Hyjnore. Ky është misteri i madh i spiritualitetit orthodhoks. Liturgjia jonë nuk përfundon kur themi “Me uratat e etërve tanë të shenjtë…”, por shtrihet edhe më tej, duke pasur si meshtarë secilën dhe secilin nga ne: qoftë në vendin e punës, në familjen tonë, kudo ku Perëndia na ka thirrur, për të përcjellë dashurinë dhe bekimin e Tij kudo ku ato janë kaq të nevojshme sot. Prandaj le të mbushet zemra jonë me mirënjohje ndaj Perëndisë.
Këto nuk janë gjëra të vetëkuptueshme. U desh shumë mund përgjatë këtyre viteve që dita e sotme të behet realitet. Ndaj le ta falënderojmë Zotin duke shtuar brenda nesh besimin shpresën dhe dashurinë”.