– Apostulli – Romakëve 11:2-12.

 

Perëndia nuk e hodhi tej popullin e tij, të cilin e njohu që përpara. Apo nuk dini ç’thotë Shkrimi për Ilian? Si i flet Perëndisë kundër Izraelit, duke thënë: “Zot, profetët e tu i vranë, edhe theroret e tu i shembën; edhe unë mbeta i vetëm, edhe kërkojnë jetën time”. Po ç’i thotë përgjigjja e Perëndisë? “Kam lënë për veten time shtatë mijë burra, të cilët nuk u ulën në gjunjë përpara Baalit”.

Kështu pra edhe në kohën e tanishme ka ngelur një mbetje sipas zgjedhjes së hirit. Edhe nëse është prej hiri, nuk është më prej veprash; sepse ndryshe hiri nuk është më hir; po nëse është prej veprash, nuk është më hir, sepse vepra nuk është më vepër. Çfarë pra?

Izraeli nuk e gjeti atë që kërkon; po të zgjedhurit e gjetën, edhe të tjerët u verbuan, siç është shkruar: “Perëndia u dha atyre frymë përgjumje, sy që të mos shohin, edhe veshë që të mos dëgjojnë” deri në ditën e sotme. Edhe Davidi thotë: “Iu bëftë atyre tryeza për kurth e për lak e për pengesë e për shpagim. U errësofshin sytë e tyre për të mos parë; edhe kurrizin e tyre kërruse përgjithnjë”.

Them pra: Mos u penguan, që të rrëzohen? Qoftë larg. Po me anë të rrëzimit të tyre u bë shpëtimi i kombeve, që t’i shtjerë ata në zili. Edhe në është rënia i tyre pasuri për botën, edhe dështimi i tyre pasuri për kombet, sa më të tepër do të jetë plotësia e tyre?