– Apostulli – Romakëve 9:18-33.

 

Atë pra që do ta përdëllejë, e përdëllen; edhe atë që do ta ashpërsojë, e ashpërson.

Do të më thuash pra: Përse më qorton? Cili mund të rrijë kundër vullnetit të tij? Po cili je ti, o njeri, që i kundërpërgjigjesh Perëndisë? A mos mund t’i thotë gatesa gatuesit: Pse më bëre kështu? Apo s’ka pushtet shtambari mbi baltën, që të bëjë prej po atij brumi një enë për nderim, edhe një tjetër për çnderim? E çfarë, nëse Perëndia, duke dashur të tregojë zemërimin e tij, edhe të bëjë të njohur fuqinë e tij, duroi me shumë zemërgjerësi enë zemërimi që qenë bërë për të humbur?

Edhe që të bëjë të njohur pasurinë e lavdisë së tij mbi enë përdëllimi, të cilat i përgatiti më parë për lavdi, kështu edhe neve, të cilëve edhe na thirri jo vetëm prej Judenjve, po edhe prej kombeve? Siç thotë edhe tek Osieja: “Atë që s’ka qenë populli im do ta quaj populli im, edhe atë që nuk ishte i dashur të dashur. Edhe do të jetë në atë vend që u është thënë atyre: Nuk jeni ju populli im, atje ata do të quhen bij të Perëndisë së gjallë.”

Edhe Isaia thërret për Izraelin: “Edhe në qoftë numri i bijve të Izraelit si rëra e detit, një mbetje do të shpëtojë; sepse do të mbarojë e do të shkurtojë llogari me drejtësi, sepse Zoti do të bëjë llogari të shkurtuar mbi dhé”. Edhe siç tha që përpara Isaia: “Po të mos na kishte lënë farë Zoti Savaoth, do të ishim bërë si Sodoma, edhe do të kishim ngjarë me Gomorrën”. Ç’të themi pra? Se ata kombe që s’ndoqën drejtësi, arritën drejtësi, drejtësinë që është prej besimit, edhe Izraeli duke ndjekur ligjin e drejtësisë, në ligj drejtësie nuk arriti.

Përse? Sepse nuk e ndiqte me anë besimi, po me anë të veprave të ligjit. Sepse u penguan në gurin e pengesës; siç është shkruar: “Ja tek vë në Sion një gur pengese, edhe një shkëmb skandali, edhe kushdo që beson tek ai nuk do të turpërohet”.