– Apostulli – Romakëve 7:14-8:2.

 

Sepse e dimë se ligji është shpirtëror, por unë jam mishor, i shitur nën mëkatin. Sepse atë që bëj nuk e njoh; sepse nuk bëj atë që dua, po bëj atë që urrej. Edhe nëse bëj atë që nuk dua, jam në një fjalë me ligjin, se është i mirë. Po tani nuk e bëj më unë këtë, po mëkati që rri tek unë.

Sepse e di se nuk rri tek unë, domethënë në mishin tim, gjë e mirë; sepse dashja gjendet tek unë, por të bëj të mirën nuk e gjej; sepse nuk bëj të mirën që dua, po të keqen që nuk dua, këtë bëj. Edhe nëse bëj unë atë që nuk dua, nuk jam më unë që e bëj atë, po mëkati që rri tek unë. Unë pra gjej këtë ligj, se kur dua të bëj të mirën, gjendet tek unë e liga, sepse unë, sipas njeriut të brendshëm, ngazëllehem në ligjin e Perëndisë.

Por shoh një tjetër ligj në gjymtyrët e trupit tim që lufton kundër ligjit të mendjes sime, edhe më skllavëron në ligjin e mëkatit që është në gjymtyrët e trupit tim. Mjerë unë njeriu! Kush do të më shpëtojë nga ky trup i vdekjes? Falënderoj Perëndinë me anë të Zotit tonë Jisu Krisht. Kështu pra unë me mendjen i shërbej ligjit të Perëndisë, por me mishin ligjit të mëkatit.

Tani pra s’ka ndonjë dënim për ata që janë në Jisu Krishtin, që nuk ecin sipas mishit, po sipas Frymës. Sepse ligji i Frymës së jetës në Jisu Krishtin më çliroi prej ligjit të mëkatit dhe prej vdekjes.