E Diela II e Mattheut, Kush është mësuesi ynë, nga Mitropoliti i Apollonisë & Fierit, H. Nikolla, 18.6.2023 (Video)
Të dashur besimtarë, një zonjë e mbante veten për besimtare, por ajo kishte krijuar një besim sipas parametrave të saj, sipas mendimit të saj. Shkonte rrallë në kishë, kujtohej herë pas here dhe gjente një prift, për të rrëfyer mëkatet e saj dhe pastaj jetonte në mënyrën e saj, sipas besimit të vetëkrijuar.
Kishte një vajzë rreth të 16-ave dhe kujdesej shumë për të, për shkollimin, interesohej që vajza të kishte një diplomë dhe të mos vuante si ajo, por nuk kujdesej, për të çuar atë në rrugën e besimit.
Një prift që e njihte zonjën e këshillon atë të kujdesej për vajzën e saj, për botën e saj shpirtërore. Në kishë, në enorinë e tyre kishte mësime katekizmi për të rinj dhe ishte e mira, që vajza të shkonte atje.
Gruaja thotë, që vajza e saj nuk është për të tilla gjëra, nuk ka nevojë për ato mësime.
Nuk kaloi shumë dhe vajza, u rrit, shkoi në universitet, u njoh me një djalë dhe u martua. Djali ishte një person shumë i mirë, por për shkak të karakterit të vështirë të vajzës, ata u ndanë.
Vajza kaloi peripeci të shumta.
Një ditë takohet me priftin, mikun e tyre dhe ai kupton gjendjen e saj të rënduar, drejton te një atë shpirtëror. Vajza e takoi, foli me të për jetën e saj, jetën e saj me Zotin dhe filloi të përmirësohej, madje u ribashkua me ish burrin e saj dhe të dy e patën udhëheqës shpirtëror dhe ndoqën këshillat e tij.
Edhe ne, të dashur besimtarë, veprojmë si ajo zonja, shpesh herë krijojmë besimin tonë sipas përmasave tona, sipas asaj që na pëlqen, sipas asaj që mendojmë se është e drejtë.
Një njeri i urtë ka thënë: “Kush ka këshilltar vetëm veten e tij, ka këshillëtar të marrë”.
Ne shpesh herë nuk këshillohemi me të tjerë, këshillohemi vetëm me veten tonë, por ka edhe më keq, një rrezik më të madh, këshillimi me personat e gabuar. Është shumë e lehtë për të gjetur persona të gabuar, për tu këshilluar. Kemi telefonin, internetin, nëpërmjet të cilëve ne mund të lidhemi me një prift, teolog deri në skajet e botës dhe të ndjekim mësimet e tyre, që mund të jenë të drejta, por mund të na çojnë edhe në rrugën e gabuar.
Kujtoj para pak kohësh një person, i cili nuk pëlqente frymën e kishës sonë dhe ndiqte grupe ekstremiste nëpërmjet internetit, të cilët shanin priftërinjtë, shanin peshkopët. I pëlqeu këto predikime. Por kur këshilluesi i tij i tha, që për shkak të mëkatit që kishte bërë, duhej të rrinte shumë kohë larg Kungimit, atëherë erdhi në vete dhe mendoi, a ja vlente, që për këtë gjë të largohej nga Kungimi?! Atëherë kuptoi se çfarë kishte bërë.
Cila është mënyra më e mirë, që ne të kuptojmë drejtë besimin tonë?!
Mënyra më e mirë është ajo që bëri Krishti me nxënësit e Tij. Ai nuk u dha apostujve, nxënësve disa libra. “Merrini dhe lexojini!”, siç është sot interneti, celulari, as nuk i çoi në shkollë, as nuk veproi si me profetët, të cilët i nisi në popull, të tregonin dhe jepnin atij mësimet dhe porositë që Ai u kishte dhënë.
I mori dhe i thirri të ndiqnin Atë dhe pikërisht këtë kujtojmë këtë të dielë, “thirrjen e apostujve të parë”.
“Ejani dhe më ndiqni!”, u tha apostujvr edhe i mori pranë vetes. Ata qëndruan me Zotin, e ndoqën në rrugëtimin e Tij, në mësimet e Tij, në gjithë mrekullitë e Tij.
Kur Zoti u ngjit në Qiej, ata vazhduan mësimet e Tij. Thoshin dhe mësonin atë që panë, atë që përjetuan dhe atë që mësuan nga Zoti. Nuk mësonin teori, por atë që përjetuan dhe prekën me duart e tyre kur ishin bashkë me Të, atë që Ai u mësoi.
Ne e dimë shumë mirë, që për të mësuar një zanat, është mirë të jesh pranë mjeshtrit, ashtu mësohet edhe besimi, duke qëndruar pranë Zotit.
Ndoshta nuk e prekim dot në mënyrë të dukshme, por është i pranishëm në mënyrë të padukshme. Është i pranishëm në kishën e Tij, është i pranishëm nëpërmjet etërve të kishës.
Kështu na mëson kisha, të bëjmë kujdes nga mendja jonë, të bëjmë kujdes nga ato që shikojmë dhe lexojmë nga interneti, të ndjekim rrugën, që ajo na mëson nëpërmjet etërve të saj. Nëse ndjekim këtë rrugë, të jemi të sigurt, se kjo është rruga për në Mbretërinë e Perëndisë.
Na ndriçoftë Zoti, të gjejmë personat e duhur dhe nëpërmjet kishës dhe mësimeve të saj të arrijmë Mbretërinë e Perëndisë! Amin!