– Ungjilli – Mateu 18:10-20.

 

Shikoni, mos shpërfillni një nga këta të vegjlit; sepse po ju them juve, se engjëjt e tyre në qiejt shohin gjithnjë faqen e Atit tim që është në qiejt. Sepse i Biri i njeriut erdhi të shpëtojë të humburin. Si ju duket juve? Në pastë ndonjë njeri njëqind dhen, edhe t’i humbasë një nga ato, a nuk le të nëntëdhjetenëntat, e shkon nëpër male të kërkojë të humburën?

Edhe në qoftë se e gjen, me të vërtetë po ju them juve, se gëzohet më tepër për atë sesa për të nëntëdhjetenëntat, që s’kanë humbur. Kështu nuk është e dëshiruar përpara Atit tuaj që është në qiejt, të humbasë një nga këta të vegjlit.

Edhe në mëkatoftë yt vëlla ndaj teje, shko dhe qortoje vetëm për vetëm; në të dëgjoftë, e fitove vëllain tënd. Po në mos të dëgjoftë, merr me vete dhe një ose dy vetë, që të qëndrojë çdo fjalë në gojë të dy a tre dëshmitarëve. Edhe në mos i dëgjoftë ata, thuaja këtë kishës; e në mos e dëgjoftë edhe kishën, atëherë le të jetë ai si pagani e tagrambledhësi.

Me të vërtetë po ju them juve, ç’të lidhni mbi dhe, do të jenë lidhur në qiell; edhe ç’të zgjidhni mbi dhe, do të jenë zgjidhur në qiell. Përsëri po ju them juve, se në qofshin dy veta nga ju mbi dhe në një fjalë, për çdo gjë që të lypin, do t’u bëhet atyre nga Ati im që është në qiejt. Sepse ku të jenë dy a tre veta mbledhur në emrin tim, atje jam edhe unë në mes tyre.