– Apostulli – Veprat e Apostujve 2:1-11.
Edhe kur erdhi dita e Pentikostisë, ishin të gjithë me një zemër, në të njëjtin vend. Edhe papritur u bë një oshëtimë nga qielli si e një ere që fryn me fuqi, edhe mbushi gjithë shtëpinë ku ishin duke ndenjur. Edhe u dukën mbi ta gjuhëra posi prej zjarri që ndaheshin, edhe ndenjën mbi gjithsecilin prej tyre. Edhe u mbushën të gjithë me Frymë të Shenjtë, e zunë të flisnin me gjuhë të tjera, sikundër Fryma u jepte të flisnin.
Edhe po rrinin në Jerusalem Judenj, burra me frikë Perëndie prej çdo kombi nën qiell. Edhe kur u bë ky zë, u mblodh turma dhe u turbullua; sepse gjithësecili i dëgjonte ata duke folur në gjuhën e tij. Edhe të gjithë habiteshin e çuditeshin, duke i thënë njëri-tjetrit: Ja, a nuk janë Galileas të gjithë këta që flasin? Edhe si gjithësecili nga ne dëgjojmë në gjuhën tonë, në të cilën kemi lindur? Partë e medë e elamitë, edhe ata që rrinë në Mesopotami e në Jude e në Kapadoki, në Pont e në Azi, në Frigji e në Pamfili, në Egjipt e në anët e Libisë pranë Kirenës, edhe të ardhurit nga Roma, judenj e prozelitë, kretas e arabë, i dëgjojmë ata duke folur në gjuhët tona madhëritë e Perëndisë.