– Ungjilli – Joani 14:10-21.
Nuk beson se unë jam tek Ati dhe Ati është tek unë? Fjalët që ju flas unë, nuk i flas nga vetja; po Ati që rri në mua, ai i bën punët. Besomëni se unë jam tek Ati, edhe Ati tek unë; në mos, besomëni për këto punë.
Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve: Ai që më beson mua, do të bëjë edhe ai punët që bëj unë, edhe do të bëjë edhe më të mëdha se këto; sepse unë shkoj tek Ati im. Edhe ç’të kërkoni në emrin tim, do ta bëj, që të lavdërohet Ati në Birin. Nëse kërkoni gjë në emrin tim, unë do ta bëj.
Në më doni, ruani urdhërimet e mia. Edhe unë do t’i lutem Atit, dhe do t’ju japë juve një tjetër Ngushëllimtar, që të mbetet bashkë me ju për jetë, Frymën e së vërtetës, të cilin bota s’mund ta marrë, sepse nuk e sheh, as nuk e njeh; ndërsa ju e njihni, sepse mbetet pranë jush, edhe do të jetë ndër ju. Nuk do t’ju lë jetimë; do të vij tek ju.
Edhe pak, dhe bota nuk më sheh më; po ju më shihni; sepse unë rroj, edhe ju do të rroni. Në atë ditë ju do ta njihni, se unë jam në Atin tim, edhe ju në mua, dhe unë në ju. Ai që ka urdhërimet e mia dhe i ruan, ky është ai që më do; edhe ai që më do, do të duhet prej Atit tim; edhe unë, do ta dua, edhe do të tregoj veten time tek ai.