– Ungjilli – Mateu 11:2-15.
Edhe Joani kur dëgjoi në burg punët e Krishtit, dërgoi dy nga nxënësit e tij, e i tha atij: Ti je ai që ka për të ardhur, apo të presim tjetër? Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Shkoni e lajmëroni Joanin për ato që dëgjoni e shihni.
Të verbër shohin edhe të çalë ecin; lebrozë pastrohen edhe të shurdhër dëgjojnë; të vdekur ngjallen edhe të varfër ungjillëzohen. Edhe i lumtur është ai që nuk do të skandalizohet për mua.
Edhe tek po shkonin këta, Jisui zuri t’i thotë turmës për Joanin: Çfarë dolët të shikoni në shkretëtirë? Kallam që tundet nga era? Po çfarë dolët të shihni? Njeri të veshur me rroba të buta? Ja ata që kanë veshur rroba të buta tek janë nëpër shtëpitë e mbretërve.
Po çfarë dolët të shihni? Profet? Me të vërtetë po ju them juve, edhe më tepër se profet. Sepse ky është ai për të cilin është shkruar: “Ja unë tek dërgoj engjëllin tim përpara faqes sate, i cili do të përgatisë udhën tënde përpara teje”.
Me të vërtetë po ju them juve, se në mes të atyre që kanë lindur prej grash nuk është ngritur ndonjë më i madh se Joan Pagëzori. Por më i vogli në mbretërinë e qiejve është më i madh se ai. Edhe që nga ditët e Joan Pagëzorit e deri tani mbretëria e qiejve pëson dhunë edhe të dhunshmit e rrëmbejnë atë.
Sepse gjithë profetët dhe ligji profetizuan deri te Joani. Edhe në doni ta pranoni këtë gjë, ai është Ilia që do të vijë. Ai që ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.