Gjatë Liturgjisë Hyjnore të përlëshimit të Pashkës në Kishën Katedrale të Ngjalljes së Krishtit, brenda një atmosfere kataniktiko-ngjallësore, u krye dorëzimi në dhjakon i Joan Koroveshit nga Korça. Në Liturgji bashkëmeshuan Mitropoliti i Korçës, Joani, Mitropoliti i Amantias, Nathanaili, Episkopi i Bylisit, Asti, dymbëdhjetë priftërinj dhe pesë dhjakonë.

Kryepiskopi Anastas theksoi se ngjarja e sotme përbën një bekim tjetër për Kishën e Shqipërisë dhe në vazhdim, duke iu referuar rrugëtimit të të hirotonisurit, shtoi:

«Në errësirën e ateizmit dhe të përndjekjeve të pamëshirshme ndaj fesë, janarin e vitit 1989, në vigjilje të Theofanisë, në Korçë, Gjergji dhe Ana-Antoneta Koroveshi lindën djalin e tyre të dytë, Joanin. Familja e ruajti besimin orthodhoks në ato vite tejet të vështira dhe, me ardhjen e dritës së lirisë, të gjithë të afërmit e tij marrin pjesë në jetën e Kishës vendore. Nëna e tij psal prej 25 vjetësh në kishën e Profetit Ilia.

Joani u edukua në një familje të krishterësh shpresëtarë me arsim të lartë dhe me orientim shkencor drejt arsimit politeknik. Prindërit e tij janë inxhinierë mekanikë, vëllai i tij i madh është arkitekt, ndërsa vetë Joani, pasi mbaroi shkollën e mesme në Korçë, ndoqi studimet për arkitekturë në Politeknikun e Tiranës. I ati, duke vlerësuar aftësitë e tij dhe duke parë gatishmërinë e tij për të ndihmuar njerëzit, e kishte nxitur që të bëhej mjek, në mënyrë që të ndihmonte njerëzit.

Joani përfundoi me sukses studimet në degën e arkitekturës dhe më pas mbaroi masterin, duke u specializuar në Restaurimin e Monumenteve të Kulturës. Për dhjetë vjet punoi në një zyrë arkitekture në Korçë dhe në sektorin e Trashëgimisë Kulturore. Në moshë madhore, ai vendosi t’i përkushtohet plotësisht Kishës. Në qershor përfundon studimet teologjike në Departamentin e Theologjisë Sociale dhe të Studimeve Religjoze në Kolegjin Universitar LOGOS».

Kryepiskopi Anastas, i prekur thellë për nëndhjakonin e dalluar, që u sprovua për tre vjet pranë tij, para se ta dorëzonte, tha:

«Nuk u bëre mjek që të shërosh njerëzit, si dëshironte babai yt, por bota ka shumë nevojë edhe për shëndet, shërim dhe ngushëllim shpirtëror. Si dhjakon do të ftosh njerëzit në lutje, duke filluar gjithnjë me frazën: “Me paqe le t’i lutemi Zotit”. Kujdesu të jesh përherë njeri i lutjes dhe i paqes, si në jetën publike adhuruese, ashtu edhe në jetën tënde të përditshme. Gjithashtu do të lexosh edhe Ungjillin nga amvona, i cili është gjithnjë burim frymëzimi dhe ngushëllimi. Do të ftosh popullin duke thënë: “Le të duam njëri-tjetrin”. Përpiqu, mbi të gjitha, të jesh njeri i dashurisë në të gjitha përmasat e saj. Do të ftosh popullin: “Me frikë Perëndie, besim dhe dashuri afrohuni” në misterin e Eukaristisë Hyjnore, që është qendra e jetës sonë. Kujdesu që, sa të jetë e mundur, ta jetosh jetën misteriale të Kishës në mënyrë sa më të thellë. Kujto gjithmonë atë që tha Krishti qartësisht: “Nëse dikush më shërben mua, le të vijë pas meje”. Përparo në rrugëtimin tënd me vështrimin gjithnjë tek Krishti dhe duke patur shembull imitimi Dëshmorin e parë Stefan, i cili ishte “njeri plot besim dhe i mbushur me Shpirtin e Shenjtë”».

Dhe tani, biri im shumë i dashur, eja…»,

 


 Foto Album:

 

Një Hierodhjakon i ri Hirotoniset në Kryepiskopatën e Tiranës.