– Apostulli – Veprat e Apostujve 17:19-28.
Edhe arriti në Efes dhe ata i la aty, po vetë hyri në sinagogë e fliste me Judenjtë. Edhe ata iu lutën të qëndrojë më tepër kohë pranë tyre, po nuk u bind; por u la shëndet atyre, duke thënë: Pa fjalë duhet ta bëj të kremten që vjen në Jerusalem, dhe do të kthehem përsëri te ju, në dashtë Perëndia.
Edhe lundroi prej Efesit. Edhe si doli në tokë në Qesari, u ngjit në Jerusalem, edhe si përshëndeti kishën, zbriti në Antioki. Edhe pasi ndenji ca kohë atje, doli e shkonte me radhë nëpër gjithë vendin e Galatisë dhe të Frigjisë, duke forcuar gjithë nxënësit. Edhe një Judeas që quhej Apollo, lindur në Aleksandri, i cili ishte njeri i zoti në fjalë dhe i fortë në shkrimet, zbriti në Efes.
Ky ishte i mësuar në udhën e Zotit dhe i nxehtë në shpirt, fliste e mësonte me saktësi punët e Zotit, duke ditur vetëm pagëzimin e Joanit. Edhe ky zuri të flasë me guxim në sinagogë. Edhe Akila e Priskila, kur e dëgjuan atë, e morën me vete dhe i treguan udhën e Perëndisë më qartë. Edhe pasi donte të shkonte në Akai, vëllezërit u shkruan nxënësve e i këshillonin ta presin.
Ky, kur erdhi, u ndihmoi shumë atyre që kishin besuar me anë të hirit. Sepse me shumë fuqi ua zbulonte Judenjve botërisht, duke treguar me anë të shkrimeve se Jisui është Krishti.