Ligjëratë e hapur në Kolegjin Universitar “Logos”.
Më 25 maj 2023, në Kolegjin Universitar “LOGOS”, u zhvillua një ligjëratë e hapur me temë: “Kreshmimi periodik dhe ndikimi i tij në parandalimin e sëmundshmërisë”.
Tema në fjalë u zhvillua nga Departamenti i Shkencave Mjekësore dhe Mirëqenies Sociale, në kuadër të veprimtarive: “Universiteti dhe Shoqëria”. Ligjërues kryesor ishte Profesori i Universitetit të Thesalisë, z. Dimitrios Kuretas, Doktor i Shkencave në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Harvardit. Vitet e fundit, Prof. Kureta dhe grupi i tij janë përfshirë në projekt të gjerë shkencor mbarëbotëror. Fokusi i hulumtimeve të tyre është konceptimi më i mirë i të ushqyerit dhe dietës ditore sipas asaj që njihet si dieta “Fasting” (intermitted fasting).
Bëhet fjalë për të ushqyerit me intervale të organizuar ditore, por edhe programim të ciklit vjetor. Rezultatet e kërkimit në thuajse 100 qendra të koordinuara studimore, konkludojnë se kjo mënyrë të ushqyeri ka efekte pozitive të besueshme në parandalimin e sëmundjeve, por edhe përmirësim të shëndetit, duke pasur në thelb ndikimin e drejtpërdrejtë në ripërtëritjenqelizore.
Mënyra e të ushqyerit sipas kësaj metode është e ngjashme me ciklin që përcakton kreshma javore dhe vjetore sipas traditës Orthodhokse. Ndërkaq, kërkimi shkencor konfirmon edhe aspektin biologjik të kreshmës, përtej dimensionit shpirtëror gjerësisht të njohur. Në këtë kontekst, ishin domethënëse pohimet e profesorit Kuretas, të cilat ngjallën interes dhe nxitën diskutim të mjekëve – pedagogë të Departamentit të Shkencave Mjekësore dhe Mirëqenies Sociale të kolegjit, si dhe të studentëve pjesëmarrës. Falë kësaj veprimtarie, si dhe vizitës së Profesor Dimitrios Kuretas në Kolegjin tonë Universitar, u propozuan mendime për bashkëpunime më të gjera në të ardhmen, si futjen e një programi pasuniversitar në fushën e shëndetit dhe të të ushqyerit; aplikimin e metodës së të të ushqyerit me intervale kohore në ndihmë të të sëmurëve me kancer; mbështetje të mëtejshme në lëmin e kërkimit shkencor në fushat e interesit të Qendrës kërkimore që ai drejton etj.