Apostujt Androniku E Junia Nga Të 70-t

 

Emrat e tyre përmenden nga apostull Pavli në Letrën drejtuar Romakëve (16,7), i cili i quan edhe “kushërinjtë e mi” dhe i lavdëron si të shkëlqyer mes apostujve. Junia ishte gruaja e Andronikut. Lindën në besimin jude, por në Jerusalem u bënë të krishterë.

Më pas u bënë dishepuj të apostull Pavlit. Kaluan edhe ata në sprovat e vështira të apostullit, kthyen shumë paganë në besim, përmbysën idhujt e tyre, shëruan të sëmurë nëpërmjet fuqisë së Shpirtit të Shenjtë. Rreth vitit 58, u kapën dhe u dërguan në Romë, i martirizuan dhe kështu fituan kurorën e pafishkur.

 

* * * * *

Dëshmorët Solohomi, Pamfamiri Dhe Pamfili.

 

Shën Solohomi, me prejardhje nga Egjipti, shërbente në ushtrinë romake në kohën e Maksimianit, në legjionin e udhëhequr nga tribuni Kampanus. Kur arritën në Kalqedoni, ushtarët morën urdhër që në shenjë besnikërie t’u sakrifikonin idhujve të Perandorisë. Të tre mijë burrat iu nënshtruan dekretit, përveç tre ushtarëve: Solohomit, Pamfamirit dhe Pamfilit, të cilët deklaruan se ishin të krishterë. Ata i thanë me guxim tribunit se ishin gati të duronin çdo lloj torture për emrin e Krishtit.

Menjëherë i torturuan dhe i rrahën aq shumë me kamxhik, sa shpatullat iu ënjtën dhe arritën lartësinë e kokës. Pamfamiri dhe Pamfiloni vdiqën në tortura, ndërsa Solohomi vazhdonte të thërriste emrin e Zotit dhe të qortonte Kampanusin për pabesinë e tij. Tribuni u inatos dhe urdhëroi t’ia hapnin gojën me shpatë dhe e detyruan të pinte verë ofruar idhujve. Por shenjtori e kafshoi kaq fort tehun e shpatës, sa e theu dhe kështu arriti të çlirohej. Kur doli para Kampanusit, duke lavdëruar Krishtin si Perëndi të vërtetë dhe duke u tallur me besëtytnitë pagane, u dëgjua një zë nga qielli, që i jepte fuqi të qëndronte i palëkundur deri në fund.