– Ungjilli – Joani 8:31-42.

 

Jisui pra, u thoshte judenjve që i kishin besuar: Në qoftë se ju qëndroni në fjalën time, jeni me të vërtetë nxënësit e mi, edhe do të njihni të vërtetën, edhe e vërteta do t’ju çlirojë ju. Iu përgjigjën atij: Jemi fara e Abrahamit dhe asnjeriu nuk i jemi bërë kurrë deri tani skllevër. Si thua ti se do të bëheni të lirë?

Jisui iu përgjigj atyre: Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, se kushdo që bën mëkatin, skllav i mëkatit është. Edhe skllavi nuk mbetet në shtëpi për jetë; po biri mbetet për jetë. Në ju çliroftë pra ju Biri, me të vërtetë do të jeni të lirë. E di se jeni fara e Abrahamit; por kërkoni të më vrisni, sepse fjala ime nuk zë vend ndër ju. Unë flas ç’kam parë pranë Atit tim, edhe ju pra bëni ç’keni parë pranë atit tuaj. Iu përgjigjën e i thanë: Ati ynë është Abrahami.

Jisui u thotë atyre: Po të ishit bij të Abrahamit, punët e Abrahamit do të bënit. Po tani kërkoni të më vrisni, mua, njeriun që ju kam folur të vërtetën që dëgjova prej Perëndisë. Abrahami këtë nuk e bëri. Ju bëni punët e atit tuaj. I thanë pra atij: Ne s’kemi lindur prej kurvërie; një atë kemi, Perëndinë.

Jisui pra u tha atyre: Po të ishte Perëndia ati juaj, do të më donit; sepse unë prej Perëndisë dola, edhe prej atij erdha; sepse nuk erdha prej vetes sime, po ai më dërgoi.