Mespentikostia.
Në mes të javës së katërt, kremtohet solemnisht dita mes Pashkës dhe Rushajeve (Pesëdhjetores/Pentikostisë). Kjo quhet festa e Mespentikostisë/Mes-Rushajeve, në të cilën Krishti “në mes të festës” i mëson njerëzit për misionin e tij shpëtimtar dhe i ofron të gjithëve “ujin e gjallë” (Joani 7:14, 38).
Përsëri ne kujtohemi për praninë e Mësuesit dhe për premtimin e tij shpëtimtar: “Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë” (Joani 7:37).
Ne mendojmë përsëri për vdekjen dhe ngjalljen tonë me Krishtin në Pagëzimin tonë dhe për marrjen e Shpirtit të Shenjtë prej Tij në Mirosjen. Ne “shohim mbrapa njerën dhe paramarrim tjetrën” siç thotë një nga himnet e festës. Ne e dimë që i përkasim mbretërisë së Krishtit të Ngjallur, ku “Shpirti dhe Nusja thonë ‘Eja!’ Dhe ai që ka etje, le të vijë; dhe ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës” (Zbulesa 22:17; Isaia 55:1).
Në mesin e festës, o Shpëtimtar, shuaje etjen e shpirtit tim me ujin e gjallë, siç i ke premtuar të gjithëve: Nëse dikush ka etje, le të vijë të pijë! O Krisht Perëndi, Burim i jetës, lavdi më Ty (Përlëshorja).
Krishti Perëndi, Krijuesi dhe Zoti i të gjithave, i ftoi të gjithë në mes të festës: Ejani dhe pini ujin e pavdekësisë! Ne falemi para Teje dhe thërrasim plot besim: Falna mëshirat e tua, se Ti je Burimi i jetës sonë!
* * * * *
Apostull Simeon Zelloti.
Sipas një tradite të vjetër, shën Simeon Zelloti ishte dhëndri në dasmën e Kanës së Galilesë, në të cilën Krishti bëri mrekullinë e tij të parë duke kthyer ujin në verë. Pasi pa këtë mrekulli, Simeoni besoi me gjithë zemër te Krishti dhe la gruan, shtëpinë, atdheun për të ndjekur Krishtin, Dhëndrin qiellor të çdo shpirti. Ditën e Pendikostisë, së bashku me apostujt e tjerë, mori dhuratën e Shpirtit të Shenjtë në formë gjuhe zjarri.
Atëherë, i mbushur me të vërtetë me “zell” hyjnor për shpëtimin e vëllezërve të tij, shkoi të predikojë Lajmin e mirë në Afrikë, ku ungjillëzoi gjithë Mauritaninë, Libinë. Thuhet të ketë arritur deri në Britaninë e Madhe, ku ndriçoi shumë paganë me anë të predikimit të tij. U kryqëzua nga idhujtarët, ashtu si Krishti dhe u varros në po atë vend, që të bëhej farë për përhapjen e krishterim.
* * * * *
Oshënar Laurenti.
Ati ynë oshënar Laurenti jetoi në shek. XIV dhe ishte me origjinë nga Trapezunda. U qeth murg në Lavrën e Madhe në Malin e Shenjtë dhe u dallua për virtytet e tij. Për shkak të trazirave që solli debati mbi hezikinë (shih 14 nëntor), la Malin e Shenjtë dhe shkoi në Volos. Atje, në shpatin perëndimor të malit Pilion, në vendin e një tempulli pagan, themeloi manastirin kushtuar dhjakut të shenjtë Laurent. Falë ndihmës dhe mbrojtjes së perandorit Aleksi II Komneni i Trapezundës, shenjtori mundi t’i kryente shpejt punimet dhe manastiri u përurua më 137875. Afër manastirit themeloi edhe një skit kushtuar Metamorfozës dhe profetit Ilia.