Dëshmorët Esperios, Zoia, Kiriaku dhe Theodhuli.
Vinin nga Frigjia dhe i shërbenin familjes së pasur të paganit Katal, vendosur në Atalia, në Pamfili, gjatë mbretërimit të Adrianit (124). Një ditë Kiriaku dhe Theodhuli, duke mos duruar më të ishin skllevër të idhujtarisë, iu sugjeruan prindërve të largoheshin.
Nëna e tyre u përpoq në fillim t’i nxiste që të bënin durim, pastaj u bind vetë dhe, të inkurajuar nga njëri-tjetri, u paraqitën para zotërisë së tyre. I deklaruan atij se kishin autoritet vetëm mbi trupin e tyre dhe se shpirti i përkiste Zotit Jisu Krisht. Të befasuar nga një guxim kaq i madh, Katali i dërgoi te Esperios i cili punonte në një vend të quajtur Tritonion.
Pak më vonë, me rastin e festës së djalit të Katalit, ai i detyroi katër të krishterët të hanin gjellët e ofruara idhujve. Por të dy fëmijët e guximshëm ua hodhën qenve këto ushqime të ndyra. Kur e mori vesh Katali këtë gjë, urdhëroi t’i shqyenin gjymtyrët e fëmijëve me thonj hekuri. Prindërit e tyre, të detyruar të qëndronin në këto vuajtje, i inkurajonin fëmijët që të ishin të fortë deri në fund të betejës.
Katali i tërbuar i hodhi të gjithë në një furrë të zjarrtë. Të nesërmen në mëngjes dëgjoheshin psalmodi nga furra dhe, kur paganët e hapën, gjetën katër trupat e shenjtorëve të paprishur të kthyer drejt lindjes e dukeshin sikur flinin.
* * * *
Ikonë e shën Athanasit. Afresk i shek. XVIII, vepër e ikonografit David Selenica, Kisha e shën Nikollës, Voskopojë, Korçë.