Apostull Jasoni e Sosipatri nga të 70-t.
Ishin dy nga shtatëdhjetë dishepujt (4 janar). Jasoni ishte grek nga Selaniku ose nga Azia e Vogël që përqafoi judaizmin, ose (më e mundshme), hebre i diasporës. Ai priti në Selanik apostull Pavlin (29 qershor). Reaksionarët izraelitë erdhën dhe, pasi nuk gjetën Pavlin, morën në vend të tij Jasonin bashkë me disa vëllezër dhe i çuan te të parët e qytetit si elemente turbulluese. U liruan sapo paguan garancinë (Vep.17.1-9).
Jasoni (greqisht do të thotë: shërues) përputhet me sa duket me bashkëpunëtorin e Pavlit në Letrën dërguar Romakëve (16. 21): “Ju falem me shëndet… Jasoni e Sosipatri, të afërmit e mi (do të thotë: bashkatdhetarët e mi)”. Pra, që të dy kishin ndjekur pas mësuesin e tyre, Pavlin në Korinth – vendi i shkrimit të Letrës dërguar Romakëve.
Sosipatri (greqisht do të thotë: ai që shpëton atin ose që shpëtohet nga ati) ishte nga Akaia, ose më mirë i përmenduri si Sopatër “verijasi” (Vep. 20:4), që me sa duket u katekizua në Verja (Vep.17:10-12). Korifeu, duke u kthyer nga Korinthi për në Jerusalem (viti 65), vendosi në Azinë e Vogël si episkop Jasonin në Tarso dhe Sosipatrin në Ikonio. Sipas traditës, pasi ata rregulluan çështjen e Kishave të tyre, përcollën ndriçimin e Krishterimit në Korfuz (v. 67 ose 68).
Aty ndërtuan një kishë, e cila qysh nga shek. i 12-të siç duket, kur u rindërtua nga themelet, u është kushtuar dy ndërtuesve të saj; madje aty ndodhen edhe varret e tyre. Kjo kishë, që është më e vjetra e ishullit, ruan lipsanet e tyre dhe afreske të çmuara. Për shkak të veprimtarisë së tyre, dy ndriçuesit e Krishterimit në Korfuz, u burgosën nga mbreti vendas, Kerkilini, por ai u mbyt gjatë përndjekjes kundër besimtarëve. Kështu, sërish, apostujt predikonin lirisht, derisa u arrestuan përsëri nga pasardhësi i mbretit. Ky i hodhi në zift të valuar dhe recinë, por, kur i pa shëndoshë e mirë, besoi te Krishti. Jasoni i ngjalli të birin kur i vdiq. Sosipatri u martirizua në vitin 68.
Sipas një versioni tjetër, që të dy fjetën në moshë shumë të thyer. Gjatë torturave të tyre u ndriçuan shumë veta. Shën Sosipatri kremtohet dhe më 10 nëntor.
* * * * *
– Oshënar Vasili i Ostrogut –
Lindi më 1610 nga prindër të varfër, por të perëndishëm në fshatin Merkoniç në Hercegovinë. Shkolla e parë ku mësoi përdëllimin ishte shtëpia e atit, ku më shumë kujdesej për gjërat e Perëndisë sesa për gjërat kalimtare. Megjithëse ishte shumë i varfër, bukën që kishte e ndante me fëmijët e tjerë që shkonin për të kullotur tufat e bagëtive. Që t’u shpëtonte ndikimeve të këqija të fqinjëve të tij, prindërit e dërguan që të mësonte më shumë në manastirin e Zavalës, igumen i të cilit ishte xhaxhai i tij.
Duke lexuar me zell shkrimet e Etërve, zemra e tij u ndez nga dëshira për një jetë asketike, ndaj vendosi të bëhej murg. U qeth në manastirin e Tverdohut dhe pak kohë më pas u dorëzua dhjak dhe prift. U thirr nga mitropoliti i Mardarit në Çetinje për të shërbyer atje. Kjo kohë ishte e vështirë për komunitetin orthodhoks përballë propagandave konvertuese ndaj tij. Shën Vasili tërhoqi vëmendjen e mitropolitit për situatën, por ky i fundit u tregua indiferent ndaj asaj që shenjti i tha, madje dhe e akuzoi para popullit. Por shpifjet e tij nuk gjetën përhapje, sepse të krishterët kishin besim tek Vasili, jeta e të cilit mbante një dëshmi të gjallë të së Vërtetës. Kur u kthye në Tverdoh, shkoi në fshatra, kremtonte së bashku me popullin. Kjo vepër apostolike nxiti urrejtjen e joorthodhoksëve kundër Vasilit. Për t’i shpëtuar kërcënimit ai u largua në Rusi.
U kthye pas disa kohësh me shumë libra dhe zbukurime liturgjike. Por si pa që urrejtja për të ende nuk ishte qetësuar, u detyrua të largohej sërish për një pelegrinazh në Malin e Shenjtë. Kur u kthye kaloi në Pejë, ku patriarku Paisi e dorëzoi episkop dhe e mitropolit të Trebinjës (1638). Më pas shenjti zëvendësoi mitropolitin e Herzegovinës që turqit e kishin vrarë. Ndërkohë shtypja e turqve ishte bërë kaq e egër sa plaçkitnin shtëpitë, kishat, manastiret, ndaj edhe shenjti u detyrua të largohej sërish nga vendi.
U vendos në manastirin e Ostrogut në një shpellë ku kishte jetuar më përpara igumeni i shenjtë Isaia. Gjatë kësaj tërheqjeje, ai e drejtoi për 15 vjet dioqezën e tij me lutje dhe përgjërime të nxehta. Gjatë valëve të mëdha të persekutimeve, populli shkonte në Ostrog për të marrë bekimin e episkopit të shenjtë dhe për të gjetur ngushëllim. Shenjtit iu desh të vuante shumë nga keqdashja e disa njerëzve, si princi Raiç dhe bijtë e tij, të cilët të frymëzuar nga demonët kërkonin ta dëbonin nga manastiri. Vasili duroi dhe i paralajmëroi princit vdekjen e të gjithë fëmijëve dhe shkak për këtë ishin shpifjet që kishin bërë. Kur kjo profeci u krye, princi u pendua thellësisht dhe Perëndia i dhuroi atij trashëgimtarë të tjerë.
I palodhur në asketizmin e tij, shenjti fjeti në paqe më 29 prill të vitit 1671. Në çastin kur dha frymën e tij të fundit, një dritë e mbushi qelinë e tij dhe më vonë një vresht mbiu në shkëmbin pranë vendit ku ai fjeti, megjithëse toka ishte e shkretë. Shumë mrekulli u kryen në varrin e shenjtit dhe vazhdojnë të kryen edhe deri sot. Shtatë vjet pas fjetjes së tij, shën Vasili iu shfaq në ëndërr igumenit të manastirit të Shën Llukait në Jupa, i veshur me rroba episkopale, duke mbajtur në dorë një temjanicë, dhe i dha urdhër të shkonte e të hapte varrin e shenjtit. Në kohën që shenjti temjaniste, disa copa karboni ranë mbi igumenin dhe ai u zgjua nga frika. Menjëherë, së bashku me murgjit e tij, ai shkoi në Ostrog. Kur e hapën varrin zbuluan trupin e shenjtit që kishte marrë ngjyrën e dyllit dhe lëshonte një erë të këndshme të ngjashme më atë të borzilokut. Lipsanin e tij e vendosën në një kuti në kishën e Hyrjes së Hyjlindëses në Tempull, dhe që pelegrinët të mund t’i nderonin.
Ashtu si edhe shenjti gjatë jetës së tij nuk njohu paqe, kështu edhe lipsanet e tij u fshehën shumë herë që t’u shpëtonin shkatërrimeve të turqve. Më 1942, Manastiri i Ostrogut u bombardua, por falë mbrojtjes së shenjtit predhat ranë pa bërë dëm. Madje një ra në hyrje të shpellës së shenjtit që ishte transformuar në kishëz dhe ku gjendeshin edhe lipsanet e tij, por nuk shpërtheu, madje është ende sot në vendin që ra. Shën Vasili është një nga shenjtorët më të nderuar nga malazezët dhe serbët, prandaj edhe kishat që i janë kushtuar atij janë të shumta, si në Malin e Zi e Serbi, ashtu edhe jashtë tyre.