E Diela e Thomait.
Në çdo ditë të javës mbas Pashkës, e quajtur nga kisha Java e Ndritshme, shërbesat paskale kremtohen me tërë shkëlqimin e tyre. Procesioni pagëzimor i Pashkës përsëritet çdo ditë. Dyert e Bukura të Hierores qëndrojnë të hapura. Gëzimi i Ngjalljes dhe dhurata e Mbretërisë së jetës së amëshuar vazhdon me bollëk. Pastaj, në fund të javës, të Shtunën në mbrëmje kremtohet kujtimi i shfaqjes së Krishtit tek Apostulli Thoma “mbas tetë ditësh” (Joani 20:26). Eshtë e rëndësishme të vihet re, që numri tetë ka një kuptim simbolik në traditën shpirtërore Judeo-Kristiane. Ai tregon diçka më tepër se sa plotësinë dhe përmbushjen; ai tregon Mbretërinë e Perëndisë dhe jetën e botës që vjen, meqenëse shtata është numri i kohës tokësore. Sabati, dita e shtatë, është dita e bekuar e pushimit në këtë botë, dita e fundit e javës. “Dita e parë e javës,” dita “mbas Sabatit”; theksuar në të gjithë Ungjijtë si dita e Ngjalljes së Krishtit (Marku 16:1; Mattheu 28:1; Lluka 24:1; Joani 20:1, 19) është pra “dita e tetë”, dita përtej kufijve të kësaj bote, dita që qëndron për jetën e botës së ardhshme, dita e pushimit të amëshuar e Mbretërisë së Perëndisë (Hebrenjtë 4).
E Diela mbas Pashke, e quajtur e Diela e dytë, është kështu dita e tetë e kremtimit paskal, dita e fundit e Javës së Ndritshme, prandaj edhe është quajtur Antipashka, sepse vetëm në këtë ditë në Kishën e vjetër, të porsa pagëzuarit i hiqnin rrobat e tyre të bardha të pagëzimit dhe hynin përsëri në jetën e kësaj bote. Në shërbesat e Kishës i vihet theksi shfaqjes së Krishtit tek Apostulli Thoma. Rëndësia e ditës vjen tek ne nëpërmjet fjalëve të Ungjillit: Pastaj i tha Thomait: “Vëre gishtin këtu dhe shiko duart e mia; dhe shtrije dorën e vëre në brinjën time; dhe mos u bëj i pabesë, por besëtar. Edhe Thomai u përgjigj e i tha: “Zoti im dhe Perëndia im!” Jisui i thotë: “Sepse më pe dhe besove, lum ata që nuk panë dhe besuan” (Joani 20:27-29).
Ne nuk e kemi parë Krishtin me sytë fizikë dhe as e kemi prekur trupin e tij të ngjallur me duart tona, por në Shpirtin e Shenjtë ne e kemi parë dhe shijuar Fjalën e Jetës (1 Joani 1:1-4) dhe kështu ne besojmë. Në çdo shërbesë ditore deri në Ditën e Ngjitjes (Shestja), ne këndojmë Troparin e Pashkës. Në secilën nga shërbesat e të Dielave pas Pashke, duke filluar me të Dielën e Shën Thomait, ne këndojmë kanonin dhe himnet e Pashkës dhe përsërisim kremtimin e “ditës së parë të javës”, në të cilën Krishti u ngjall së vdekurish. Këndimet e Apostullit janë prej Veprave të Apostujve, ku tregohet për të krishterët e parë, të cilët jetuan në Kungim me Zotin e Ngjallur. Këndimet e Ungjillit janë nga Ungjilli i Shën Joanit, konsideruar nga shumë, si një Ungjill që u shkruajt kryesisht për ata që janë të porsa pagëzuar në jetën e re të Mbretërisë së Perëndisë, nëpërmjet vdekjes dhe rilindjes në Krishtin, në emër të Trinisë së Shenjtë. Arsyeja për këtë opinion qëndron në faktin se të gjitha “shenjat”, siç quhen mrekullitë në Ungjillin e Shën Joanit, kanë të bëjnë me temat misterore që përfshijnë ujin, verën dhe bukën. Kështu, secila nga të Dielat mbas të Dielës së Shën Thomait, me përjashtim të së tretës, i kushtohet kujtimit të njërës prej këtyre “shenjave”.
* * * * *
Dëshmor i madh Gjergj Trofeprurësi.
“Kur ishte 10 vjeç, i vdiq i ati, zyrtar nga Kapadokia, kështu që nga Armenia, ku jetonin atëherë, u zhvendos me nënën e tij” në atdheun e saj, Diospoli (Lidha, Lod) të Palestinës. Megjithëse vetëm 20 vjeç dhe tashmë fare jetim, ishte kont i ushtrisë romake. Gjatë përndjekjeve, kur zbuloi besimin e tij, u torturua nga perandori Dioklecian (284–305). E shpuan me shtizë, e shtypën me gurë dhe e kaluan në “rrotë” (Atë që torturonin e lidhnin të tendosur mbi një rrotë. Kur rrota rrotullohej, trupi shqyhej nga thikat dhe ganxhat që ishin poshtë vertikalisht).
Ndërkaq një engjëll e shpëtoi, kështu që besuan shumë veta dhe ua prenë kokat. U ndriçuan më shumë njerëz, sapo doli përsëri i paprekur nga një gropë gëlqereje. Më pas eci me këpucë hekuri të skuqur me gozhdë nga brenda, u rrah me kërbaç dhe iu dha helmi i magjistarit Athanas, të cilit iu pre koka, sepse u kthye duke e parë atë të mos dëmtohet, dhe madje të ngrejë një të vdekur.
Ngjalli një ka të bujkut të varfër, Gliqeri. Bujkun e varfër e therën. Në të njëjtën mënyrë u konvertua dhe mbretëreshë Aleksandra (21 prill). Së fundi, dëshmori i madh, në vend që t’iu falej idhujve të një tempulli, i bëri që të thyhen përtokë në prani të monarkut, i cili, i turpëruar, dha urdhër dhe ia prenë kokën.
Natën Trofeprurësi kishte parë në ëndërr në burg Zotin ta kurorëzonte, kështu që e kuptoi dhe porositi shërbëtorin e tij që ta varrosnin në Lidha sipas të tjerëve u martirizua atje. Sipas një tradite vrau një dragua, i cili nuk lejonte që të merrnin ujë nga liqeni, afër të cilit kishte strofkën, vetëm në rast se i jepnin njerëz për ushqim!
Stratilati (kryegjenerali) i shumëhimnizuar dhe shumë-mrekullibërës, u nderua kudo qysh herët, ndërsa kishat e tij u ndërtuan që në shekullin e 4-t. Kujtimi i tij, kur bie brenda Kreshmëve të Mëdha, transferohet të Hënën e Pashkës, për t’u festuar në mënyrë të ndritshme. Veç kësaj, më 3 nëntor festojmë vendosjen e trupit në një kishë të tij madhështore, e cila u ngrit në Lidha, sapo pushuan përndjekjet, dhe që u inaugurua në të njëjtën ditë.
Emri i tij (d.m.th. ara ose bujqësor) mendojmë se përbën një jehonë të Letrës së Parë drejtuar Korinthianëve 3.9: “Ju jeni ara e Perëndisë, ndërtesa e Perëndisë”.
* * * * *
Dëshmor Therini në Butrint.
Gjatë persekutimit të Decit (250), guvernatori Filip u dërgua në Butrint, në krahinën e Thesprotisë (Epiri i Vjetër), përballë ishullit të Korfuzit, për ta detyruar popullsinë t’u falej idhujve të perandorit. Në mes të turmës, një i krishterë me emrin Terin, i shquar për virtyte dhe lëmosha, ngriti zërin, për t’u tallur me hyjnitë pagane, që nuk janë gjë tjetër veçse mashtrime demoniake.
E arrestuan menjëherë dhe e çuan te guvernatori, para të cilit Terini pohoi me forcë, se ai i mbetej besnik urdhëresës e cila na thotë të adhurojmë një Perëndi të vetëm (Ligji i Përtërirë 6:13). Filipi urdhëroi ta hidhnin në furrë, por shenjtori qëndroi në këmbë në mes të flakëve, duke psalur himne, i shoqëruar nga thirrjet admiruese të turmës. Pastaj i lëshuan shtatë bisha të egra; ato u shtrinë në këmbët e tij, si para një Adami të ri. Shenjtori mbeti i paprekur në të gjitha torturat që tirani urdhëroi t’i bënin dhe kur Perëndia e lejoi, e pranoi me gëzim vdekjen, për t’iu bashkuar korit të shenjtorëve.