E Diela e Madhe & e Shenjtë e Pashkës, Me Të Vërtetë Zoti U Ngjall, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 16.04.2023 (Tekst)
Klerit dhe Besimtarëve shpresëtarë Orthodhoksë
Bijtë e mi të dashur më Krishtin
Qindra miliona gojë, nga njëri skaj i planetit tonë në tjetrin, mbushen sot me përshëndetjen e gëzueshme “Krishti u Ngjall”! Madje, edhe ata që përballë fesë qëndrojnë indiferent, duke u tërhequr nga vërshimi i gëzimit të mijëra gojëve, përsërisin, ndoshta në mënyrë mekanike, “Vërtetë u Ngjall”! Dhe kjo, që, atë mëngjes ngjallësor dhe për shumë ditë me radhë, përbënte një enigmë në mendjen e Nxënësve tashmë besnikë, sot, në cilindo kënd të Tokës, lartësohet me lehtësi nga buzët e të vegjëlve dhe të mëdhenjve. Ajo që atëherë dukej si një stonaturë shpresëprurëse brenda komplotit të përgjithshëm të fanatizmit, të urrejtjes dhe të frikës, sot kompozon një simfoni mbarënjerëzore gëzimi, që përqafon gjithë botën. Fjalët “Krishti u Ngjall”, u bënë tashmë një përshëndetje e qartë gazmore.
* * *
Mos ndoshta kjo përshëndetje është katandisur në diçka shumë të vetëkuptueshme? Mos vallë shpirti ynë, i robëruar më tepër nga stolisja e ngjarjes së të kremtes paskale, nuk gjen më kohë të mjaftueshme që të merret me thelbin e saj?
Shumë do të ndihmohemi nëse kujtojmë nisjen e kësaj përshëndetjeje: Nxënësit, të cilët të parët “panë dhe besuan” (Joani 20:8), u vërtetuan nxënësve të tjerë, “se me të vërtetë Zoti u Ngjall” (Luka 24:34). U shpjeguan se Ngjallja nuk ishte trillim dhe halucinacion, por ngjarje e prekshme. Dhe me provat e tjera të njëpasnjëshme që pasuan, mundeshin të gjithë nxënësit tashmë, të përsërisnin më pas me siguri absolute këtë ngjarje konkrete të Ngjalljes, ashtu si edhe për gjithë ngjarjet e tjera të jetës së Zotit: “Atë që kemi dëgjuar, atë që kemi parë me sytë tanë, atë që vumë re, dhe duart tona e prekën” (I Joani 1:1). Ngjallja e Zotit, për gjithë nxënësit e Tij, u bë bindja e thellë që e vulosën me vdekjen e tyre martirike.
* * *
Ngjarja se “me të vërtetë u Ngjall Zoti”, për Nxënësit nuk ishte thjesht një realitet i vërtetë historik, por diçka që për ata kishte edhe pasoja dramatike. Pasi formuan bindjen se Zoti i tyre “me të vërtetë u Ngjall”, kishin tashmë një provë të papërgënjeshtruar, se ato që u porositi do të duhej të zbatohen. Ngjallja e Tij ishte për Nxënësit një konfirmim i patundur i të qenit Hyjni; porositë e Tij ishin porosi hyjnore. Si pasojë, sapo të merrnin “fuqi që lartazi” (Luka 24:49), do të ndienin më shumë nevojën të thërrasin me zë të lartë në të gjithë drejtimet: “Nuk mund të mos flasim për sa pamë e dëgjuam” (Veprat 4:20). E vërteta e Ngjalljes do të bëhej brenda tyre një kaminë, që do të përvëlonte brendësinë e tyre. Mjerë nëse nuk do ta përhapnin këtë lajm të vërtetë në të gjithë botën…
* * *
Ky kujtim i thjeshtë i rëndësisë që kishte Ngjallja për Apostujt, është i mjaftueshëm që të na tregojë sa i zbrazët nga përmbajtja e vërtetë është sot për ne kremtimi i saj. E kënduam mijëra herë, e stolisëm mijëra herë dhe Kisha jonë e vendosi qendër të adhurimit të saj të pasur. Megjithëkëtë, harruam përmbajtjen e saj dhe përmbushjen e saj.
Ngjallja është mesash gëzimi por edhe detyre. Është trumbetim fitoreje por edhe lufte. Por ne e cunguam kuptimin e saj. Kujtojmë gëzimin dhe fitoren, që të harrojmë detyrën tonë dhe luftën. Prandaj, festimi ynë u katandis në një punë më tepër me të cilën merremi. Festimi ynë u katandis të jetë vetëm i jashtëm. Disa prej nesh do të theksojnë madje me vetëkënaqësi dhe faktin se tempujt tanë u tejmbushën këto ditë nga “besimtarët”, që të rikthehemi të martën e javës së ndritshme përsëri në ritmin tonë të jetës.
* * *
Por, atëherë, a mund të pretendojmë me bindje se “me të vërtetë u Ngjall Zoti” edhe për ne? Vallë, ka me të vërtetë kuptim kjo për jetën tonë? Nxënësit, me Ngjalljen dhe fuqinë e Zotit, nga të trembur, u bënë të patrembur, guximtarë; nga të paditur, u bënë mësues; nga nxënës, u bënë Apostuj. Me një fjalë, u bënë dëshmorë. E gjithë jeta e tyre, dhe vetë vdekja e tyre, u bë një dëshmi e paheshtur për Zotin dhe për Ngjalljen e Tij. Por, me ne çfarë ndodh?
* * *
Ndoshta disa do të mendojnë: Çfarë! Duhet të lë tani familjen time dhe fëmijët e mi, punën time të veçantë dhe të filloj nga mëngjesi deri në mbrëmje, të merrem me Ungjillin? Ky duhet të jetë përfundimi? Kjo duhet të jetë pasoja se besoj tek Ngjallja? Nëse besoj realisht dhe thellësisht se “me të vërtetë u Ngjall Zoti”, do të duhet të filloj të bëj predikuesin amator?…
* * *
Ky është keqkuptimi vdekjeprurës. Sepse ky mision i veçantë është për të paktët, “për të cilët është bërë gati” (Marku 10:40). Dhe meqenëse shumë prej nesh e kuptojmë se kjo nuk është për ne, nuk bëjmë asgjë atëherë, nuk përpiqemi absolutisht për asgjë.
Por e drejta është tjetër. E drejta është se jeta jonë e përditshme, në familjen tonë, në profesionin tonë, brenda shoqërisë në përgjithësi, duhet të ndikohet nga fakti se “me të vërtetë u Ngjall Zoti”. Sjellja jonë, si në shtëpi dhe kudo, duhet të jetë e ndryshme nga si do të ishte, nëse nuk do të besonim thellësisht në Ngjalljen e Zotit. A mund të imagjinojmë si do të ishte jeta jonë personale, familjare, shoqërore, nëse në të gjitha ditët që përsërisim ngazëllueshëm “Krishti u Ngjall”, do të besonim realisht dhe thellësisht se “me të vërtetë u Ngjall Zoti”? Atëherë gëzimi i Ngjalljes që shijojmë në mënyrë disi sipërfaqësore dy tre ditë çdo vit, do të ishte i thellë dhe i përhershëm në zemrën tonë dhe gjithë jeta jonë, me gjithë vështirësitë dhe pikëllimet e saj, do të ishte një panair paskal i pareshtur.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
Zoti i Ngjallur, çau perden që ndante Perëndinë e vërtetë nga njeriu i vërtetë. Na zbuloi në Veten e Tij, madhështinë dhe bukurinë si të Njërit dhe të tjetrit. Asnjë njeri nuk mund të njohë Perëndinë e vërtetë, përveçse nëpërmjet Zotit Jisu Krisht të ngjallur. Por edhe asnjë njeri nuk mund të njohë njeriun e vërtetë, përveçse nëpërmjet Jisu Krishtit të ngjallur.
Me Ngjalljen e Tij Krishti, sundoi mbi mëkatin dhe vdekjen, shkatërroi mbretërinë e errët të satanait, çliroi natyrën e skllavëruar njerëzore dhe shfaqi misteret më të mëdha në lidhje me Perëndinë dhe me njeriun. Atij i përket himni dhe lavdia, bashkë me Atin dhe me Shpirtin e Shenjtë, Trininë e njëqënëshme dhe të pandarë, tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin.
KRISHTI U NGJALL!