Pashka e Madhe. Ngjallja e Zotit Jisu Krisht.

Në shoqërinë njerëzore zënë një vend të veçantë festimet. Kjo vjen si një nevojë e brendshme e njeriut për tu shkëputur nga puna, angazhimet dhe rutina e përditshme, por në të njëjtën kohë dhe për të krijuar një marrëdhënie me të shkuarën, duke e sjellë atë në përjetimin e së tashmes, duke aspiruar dhe synuar të ardhmen. Festat të cilat shoqëria njerëzore feston mbështeten në ngjarje e persona dhe mbi të gjitha mbi mesazhin që ato transmetojnë. E tillë është dhe festa e Pashkës.

Zanafillën e saj do ta gjejmë në zemrën e historisë fetare dhe kombëtare të popullit judaik. Gjendet në kalimin e Detit të Kuq, në kohën kur populli i Izraelit nën udhëheqjen e Moisiut (rreth shek. XIV para Krishtit) u çlirua nga robëria egjiptiane dhe marshoi drejt tokës së premtuar. Pikërisht “Pashka” e gjen rrënjën e vetë në fjalën aramaishte “pasha” apo hebraishte “pesah”, ku më e mundshme është e para. Kjo fjalë shpreh në mënyrë metaforike këtë kalim të popullit të Izraelit nga robëria egjiptiane drejt tokës së premtuar (Eksodi 12:13,23,27), por njëkohësisht shpreh dhe ceremoninë teleturgjikale me këngë dhe lutje rreth flijimit (III Mbretërit 18:21,26).

Kjo festohej gjithmonë në mbrëmje, më 14 të muajit Abib ose Nisan (Eksodi 12:14, Levitiku 23:5). Festimi i Pashkës judaike kremtohej nëpërmjet një simbolike të trefishtë: Flijimi i qengjit, më 14 ose 15 të muajit Nisan; ngrënia e bukës pa maja, sepse nuk kishin mundësi të merrnin maja apo brumë të ardhur, kur u nisën nga Egjipti; si dhe ngrënia e barishteve të hidhura, duke kujtuar në këtë mënyrë hidhërimet që kishin kaluar në tokën e Egjiptit.

Pashka është një festë që vazhdon të festohet nga të krishterët, por që nuk i referohet kalimit të popullit izraelit nga robëria egjiptiane në tokën e premtuar. Për të krishterët Pashkë është momenti i kalimit nga vdekja në jetë dhe ky moment lidhet me personin e Jisu Krishtit, i cili ndryshoi rrënjësisht historinë njerëzore. Pashka e krishterë lidhet me Krishtin, i cili “u ngjall së vdekurish, me vdekje, vdekjen shkeli dhe të varrosurve jetën u fali” – psalet në përlëshoren e Ngjalljes. Gjatë shekullit II-III lindi problemi i festimit të Pashkës, pasi një pjesë e kishave të Azisë së Vogël e festonin më 14 të muajit Nisan, pavarësisht nga dita e javës. Ndërsa një pjesë tjetër e kishave e festonte Pashkën të Dielën e parë pas Ekuinoksit pranveror.

Në Sinodin e I-rë Ekumenik (325, në Nikea të Azisë së Vogël) u vendos që Pashka të festohej të Dielën e parë pas Ekuinoksit pranveror, që bie nga 22 Marsi – 25 Prill, sipas kalendarit Julian (për nder të emrit Perandorit romak Jul Çezarit, fillimet rreth vitit 44 para Krishtit). Por futja e kalendarit të ri, Gregorian (për nder të papa Grigorit të Romës, fillimet në vitin 1582 pas Krishtit) bën që koha e festimit të Pashkës të shkojë nga 3 Prilli – 8 Maj, për shkak të një diference 13 ditësh midis tyre. Duhet thënë se të krishterët orthodhoksë asnjëherë nuk e festojnë Pashkën e tyre para ose të njëjtën ditë me Pashkën Judaike. Gjithashtu duhet thënë se kishat orthodhokse ecin një pjesë me kalendarin Gregorian, ku një prej tyre është dhe Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë dhe një pjesë me kalendarin Julian, e megjithatë të gjitha kishat orthodhokse e festojnë Pashkën në të njëjtën ditë, por në data kalendarike fetare të ndryshme.

Pashka për të krishterët do të thotë kalimi nga vdekja në jetë, festë kjo që lidhet me shumë ngjarje të rëndësishme, ku më thelbësore janë Kryqëzimi, Vdekja dhe Ngjallja e Zotit Jisu Krisht. Janë këto ngjarje, të cilat janë të ngarkuara me një ngarkesë emocionale, pasi përballen mohimi, mëkatësia dhe kundërvënia e qenies njerëzore me dashurinë, faljen dhe sakrificën e Krishtit. Duke pasur këto ngarkesa emocionale duhet që besimtarët të jenë përgatitur shpirtërisht, për të kuptuar dhe përjetuar këto ngjarje. Ky është një nga qëllimet që besimtarët orthodhoksë të kreshmojnë plot 7 javë para Pashkës. Kreshmimi është nga njëra anë heqja dorë nga konsumi i mishit dhe nënprodukteve të tij, qumështit dhe nënprodukteve të tij, vezës dhe peshkut dhe nga ana tjetër lutje më të gjata, një reflektim dhe një dedikim më të madh ndaj Zotit.

Mënjanimi i përkohshëm nga produktet ushqimore që përmendëm më sipër nuk konsiderohet si një përbuzje ndaj këtyre produkteve, pasi ato janë të mira të dhuruara nga Perëndia dhe për besimtarët orthodhoksë asgjë nuk është e papastër. Por ky veprim bëhet që besimtarët të ushtrojnë vetveten e tyre, të kuptojnë dhe të ndërgjegjësohen për urinë që kanë të uriturit e kësaj bote, të kuptojnë vuajtjet e të vuajturve të kësaj bote. Gjithashtu me anë të kreshmimit t’i lënë më shumë hapësirë përkujdesjes dhe angazhimit shpirtëror. Besimtarët, duke kreshmuar dhe lutur më shumë gjatë kësaj periudhe, përpiqen të rregullojnë balancën midis angazhimit trupor dhe atij shpirtëror, pasi vetëm në këtë mënyrë do arrijnë të kuptojnë ngjarjet e rëndësishme të Pashkës, ngjarje të cilat shtrihen si në botën shpirtërore edhe në atë materiale.

Kreshma e Pashkës nuk është vënë asnjëherë në diskutim, pavarësisht se në fillim të shekullit të III-të filloi të mbahej gjatë gjithë javës para Pashkës në një pjesë të kishave të krishtera dhe nga shekulli IV-ët zbatohej nga të gjitha kishat. Më pas Kreshmës një javore iu shtuan plot dhe gjashtë javë të tjera dhe arsyet ishin: Parapërgatitja më e madhe për katikumenët, ata që do pagëzoheshin ditën e Pashkës dhe një “ripajtim” i besimtarëve me Kishën, pasi shpesh shikohej një lloj ftohje në marrëdhëniet e tyre me Perëndinë. Megjithë shtimin e gjashtë javëve kreshmë, Java e Madhe, pra java para Pashkës nuk e humbi ritmin dhe rolin e saj parapërgatitor. Në fakt ajo fillon 8 ditë para Pashkës nga mbrëmja e dielës paraardhëse, nga e Diela e Dafinave ose Palmave ku kremtohet Hyrja e Zotit Jisu Krisht në Jerusalem. Java e Madhe e arrin kulmin në tre ditët para Pashkës sepse në ato ditë kremtojmë ngjarjet më prekëse, ngjarje ku hidhërimi dhe gëzimi, frika dhe guximi, mëkati dhe shenjtëria, errësira dhe drita, vdekja dhe jeta ndeshen midis tyre në fund të fundit triumfon Ngjallja që përmban brenda saj gëzimin, shenjtërinë, dritën dhe jetën.

Në këto ditë Kisha me anë të lutjeve, psaljes së tropareve, leximeve nga Shkrimi i Shenjtë, veprimeve simbolike kuptimplotë, litania dhe nderimi i Kryqit dhe Epitafit të Zotin Jisu Krisht, na fut në një botë tjetër në një botë, e cila i kapërcen kufijtë e saj. Në këto ditë do na vijnë në mendje dhe do na jepet më shumë mundësia për të kuptuar Darkën e fundit, Darkën mistike, që Jisu Krishti ndau me apostujt e vet, që kremtohet të Enjten në mëngjes, arrestimin, gjykimin, kryqëzimin të Enjten në mbrëmje, varrosjen në varr të Premten në mbrëmje, zbritjen në Hadh dhe mbi të gjitha Ngjalljen e Tij në mesnatë midis së Shtunës dhe së Dielës.

Duke qenë se Pashka për të krishterët orthodhoksë do të thotë kalim nga vdekja në jetë është e lidhur me Ngjalljen e Zotit Jisu Krisht. Kështu që Ngjallja e Jisu Krishtit është ngjarja qendrore e jetës shpirtërore të Kishës Orthodhokse. Ky qëndrim vjen nga fakti se mëkati për teologjinë dhe besimtarët orthodhoksë nuk është një thyerje rregulli apo ofendim ndaj Perëndisë, por një tronditje e marrëdhënies së njeriut me Perëndinë, është një errësim i “imazhit” (“ikonës”) e me pasojë vdekjen e njeriut.

Këto elementë na tregojnë se mëkati kishte pasoja ontologjike dhe jo thjesht morale apo ligjore te njeriu, prandaj dhe çlirimi i njeriut nga kjo situatë mund të ndodhte me anë të një veprimi po aq ontologjik siç është Ngjallja. Gëzimi dhe hareja, që ofron Ngjallja e Krishtit, dhe që besimtarët e përjetojnë duke marrë pjesë në lutjet dhe jetën adhuruese të Kishës, zbukurohet dhe me respektimin e disa traditave të cilat u formuan me përjetimin për një kohë të gjatë.

Kur i referohemi traditave në lidhje me Pashkën, në mendje na vjen veza e kuqe. Ajo është një veçori karakteristike e ditës së Pashkës dhe më tepër çukitja e vezëve. Veza simbolizon jetën, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, që në momentin që shpërthen del në dritë. Ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon flijimin dhe në rastin konkret simbolizon flijimin e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës. Kështu lëvozhga e vezës simbolizon varrin e Krishtit, që u hap dhe dha jetë. Po për vezën e kuqe ekziston dhe një gojëdhënë e Kishës: Kur Maria Magdalena, pas ngjalljes së Krishtit, vajti te Pilati t’i njoftonte ngjarjen dhe i shpuri si dhuratë një shportë me vezë të bardha, sipas zakonit të atëhershëm, ai i tha: Sa mund të bëhen të kuqe vezët që solle, aq mund të jetë ngjallur Krishti. Dhe për çudi, vezët u bënë menjëherë të kuqe.

Atmosferën e Pashkës besimtarët e shprehin, duke uruar “Gëzuar për shumë vjet Pashkët”, por ajo që shpreh më shumë frymën e periudhës së Pashkës është përshëndetja “Krishtit u ngjall” dhe si përgjigje jepet “Vërtet u ngjall”.