E Diela E Dafinave, Vizita e Zotit në Vithani – Hyrja Triumfale në Jerusalem & pritja nga ana jonë, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 09.04.2023 (Tekst)

 

 

“Gjashtë ditë përpara pashkës erdhi në Vithani, ku ishte Llazari që pati vdekur, të cilin e kishte ngjallur prej së vdekurish. Edhe i bënë darkë atje; dhe Llazari ishte një prej atyre që rrinin në tryezë bashkë me atë” (v. 1-2)

Le të vëmë re. Kur Zoti kthehet në Vithani, Llazari qëndron bashkë me të në tryezë. Është ftuar nga Simoni, që ishte fqinj i tij, ndoshta edhe i afërm i tij. Çfarë pamje e mrekullueshme! Zoti qëndron në tryezë me dy njerëz, ndaj të cilëve kishte dhuruar diçka, që nuk do të mundej t’ua jepte e gjithë bota. Njërin e kishte ngjallur prej së vdekurish dhe tjetrin e kishte shëruar nga lebra. Trupat e të dyve ishin prishur, trupi i njërit në varr dhe i tjetrit nga lebra. Me fuqinë e Tij çudibërëse, Zoti i dha njërit jetën dhe tjetrit shëndetin. Dhe tani, pak para se të marrë rrugën për në kryqëzim, shkoi t’i shohë e t’i takojë si dy miq mirënjohës.

Ah sikur ta dinim të gjithë ne se Krishti na shpëton çdo ditë nga prishja dhe nga lebra e kësaj toke, që shkaktohen nga pasionet! Atëherë do ta pranonim vazhdimisht brenda zemrës sonë dhe nuk do të lejonim kurrë të largohet nga shtëpia e shpirtit tonë.

* * *

“Maria mori një litër vaj ere prej nardi të papërzier, shumë të shtrenjtë, dhe leu këmbët e Jisuit, dhe me flokët e saj fshiu këmbët e tij; dhe shtëpia u mbush me aromën e vajit të erës” (v.3).

“Juda, një nga dymbëdhjetë nxënësit e tij, ai që do ta tradhtonte, thotë: përse të mos shitej ky vaj ere treqind dinarë e t’u jepej të varfërve? Edhe këtë e tha, jo se donte të dinte për të varfrit, po se ishte vjedhës dhe kishte kuletën e asprave dhe mbante ç’viheshin në të” (v.4-6). Juda u ankua, se ky vaj ere i çmuar u përdor pa arsye, dhe nuk u shit që të jepen paratë tek të varfrit. Çmoi madje edhe vlerën e miros: treqind dinarë. Kjo ishte me të vërtetë një shumë e madhe për një shishe miro. Por kjo tregonte masën e respektit të Marisë për Zotin Jisu. Kush e di për sa kohë do t’i kishte mbledhur këto para, që t’i shpenzojë të gjitha menjëherë, duke i dhënë kështu një shtrirje të përjetshme këtij momenti. E drejtuar nga Shpirti i Shenjtë, i paraprin zakonit të mirosjes së trupit të Krishtit dhe në një farë mënyre e përgatit për varrimin. Prandaj edhe Krishti tha: “Lëre se e ruajti për ditën e varrit tim. Sepse të varfrit i keni përherë me vete dhe duhet të përpiqeni të ruani porositë e mia për të dhënë lëmoshë”.

Zoti tha akoma: Kudo ku të shpallet Ungjilli im, në të gjithë botën, do të përmendet edhe ajo që bëri kjo grua, që të mbetet i paharruar veprimi i saj.

Shikojmë se Mbreti Zot shpërblen në mënyrë mbretërore shërbimin që i ofrojnë. Shpërblen dashurinë me njëqind herë dashuri, për treqind dinarët që aq shumë u ankua Juda, shpërblen Marinë me jetë të përjetshme; një mësimdhënie shpëtuese ndaj miliona e miliona të krishterëve. Një mësimdhënie se si shpërblen në mënyrë mbretërore Zoti ata që i shërbejnë.

II

Pas ngjarjes së vizitës së mrekullueshme të Zotit në Vithani, pason ngjarja e hyrjes triumfale të Zotit në Jerusalem.

“Të nesërmen një turmë e madhe që kishte ardhur në të kremten, kur dëgjuan se vjen Jisui në Jerusalem, morën degë palmash, dhe i dolën përpara ta presin, dhe thërrisnin: Hosanna, i bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit, mbreti i Izraelit” (v.12-13).

Ditën pas darkës në Vithani, Zoti u nis për në Jerusalem, qytetin që vrau profetët. Jerusalemi, në kohën e Pashkës, ishte një vend shumë i madh, ku mblidheshin pelegrinë nga të gjitha vendet, njerëz të përkushtuar, burra dhe gra. Në këtë ditë kishin perceptimin e një afrimi mistik të Perëndisë; dhe në personin e Zotit Jisu panë Mbretin e shumëpritur të Shtëpisë së Davidit. Kështu, siç panë Zotin të zbres nga mali i Ullinjve, këta njerëz rendën ta mirëpresin. Disa shtruan rrobat e tyre në rrugën përpara Tij, të tjerë prisnin degë palmash dhe me to zbukuronin rrugën. Të gjithë thërrisnin me gëzim:

“Lavdi Birit të Davidit, i bekuar dhe i lavdëruar është Ai që vjen në emrin e Zotit, Mbreti i Izraelit” (v.12).

Atëherë u përmbushën fjalët e profetit Zaharia që shkruante: “Mos ki frikë, bijë e Sionit, ja mbreti yt tek po vjen duke ndenjur mbi pulisht gomareje” (v.14-15).

Sot, që gjatë ditës së respektuar të së kremtes Zotërore të Dafinave, dëgjojmë Ungjillin e Hirshëm dhe himnet e Kishës, të na kujtojnë këtë ngjarje të madhe historike të botës, ftohemi të thellohemi në kuptimin më të thellë të së kremtes dhe të dëgjojmë në shpirtin tonë mesazhin hyjnor të Vizitorit të madh, çfarë kërkon nga ne dhe si duhet ta presim.

III

Sigurisht do të kënaqej Zoti, nëse do të na shikonte ta presim, duke mbajtur në duart tona, bashkë me dafinat simbolike, edhe lulet e shprestarisë sonë ndaj porosive të Tij, dhe madje ndaj porosisë së parë dhe të madhe të dashurisë. Për shembull, nëse do të mbanim në duart tona, sipas mundësive që kemi, një apo më shumë rroba, të cilat nuk do t’i shtronim përdhe që të kalojë Zoti, por me të cilat do të vishnim fëmijë jetim apo të tjerë që nuk kanë mundësinë të kenë rroba disi të hijshme dhe të pastra për ditët që po afrohen të gëzimit të përgjithshëm; apo nëse do të mbanim në duart tona një çek të vogël ose faturën për një borxh të vogël të një kryefamiljari të varfër, të cilën ne e paguam në emrin e tij, që të dalë nga burgu dhe të festojë këto ditë të shenjta, bashkë me familjen e tij, nga e cila ishte privuar kaq shumë; apo nëse do të mbanim në duart tona disa dhurata të vogla, të cilat do t’i jepnim gjatë vizitës sonë tek ndonjë i sëmurë apo i burgosur të panjohur nga ne dhe i braktisur, për të cilin shoqëria dhe ngushëllimi i vetëm do të jemi vetëm ne…

Për më tepër do të duhej të pyesim, me çfarë do të kënaqej Zoti duke parë të shtruar zemrën tonë. Për shembull, do të kënaqej nëse do të shikonte ta kemi shtruar zemrën tonë me butësinë kaq të dashur prej Tij. Nëse do të shikonte, se këto ditë morëm përsipër dhe u kujdesëm veçanërisht për një përpjekje të re, që të jemi të butë dhe paqësor me të afërmit tanë në shtëpi, me kolegët e tjerë të punës, me nëpunësit e rastit, etj…

Gjithashtu, do të kënaqej Zoti nëse do ta presim, duke e pasur të shtruar zemrën tonë me ndjesë. Nëse pikërisht, për shkak të ditëve të Shenjta që po afrohen përpiqemi të detyrojmë veten tonë të falë veçanërisht në gjithë këto ditë, apo të falë një gabim të vjetër të dikujt, i cili na kishte hidhëruar shumë në të shkuarën, dhe ndaj të cilit, me gjithë dëshirën tonë, zemra jonë kundërshtonte të japë faljen. Apo sa do të kënaqej Zoti ta prisnim, duke e pasur të shtuar zemrën tonë me lulet erëmirë të virtyteve.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Këto virtyte me të cilat Zoti do të kënaqej shumë, nëse do të shikonte t’i kemi shtruar mbi zemrën tonë, që ta presim, u shënuan vetëm si shembull.

Secili prej nesh e di kush janë ato që mungojnë nga shpirti ynë dhe me të cilat Zoti do të kënaqej veçanërisht, nëse do ta shikonte shpirtin të stolisur. “Ja se ku vjen Dhëndëri!” Urojmë për të gjithë që, “nusërorja” e shpirtit tonë të gjendet e stolisur plotësisht. Ta presim duke mbajtur në duart tona çdo gjë të mirë dhe shumë të pëlqyeshme ndaj TË PRITURIT TË MADH.

U bëftë.