Dëshmorët Klaudi, Diodori, Viktorini, Viktori, Papi, Serapioni dhe Niqifori të Korinthit.

 

Këta shtatë martirë u arrestuan në Korinth gjatë përndjekjes që shpalli Deci (249-251), dhe u çuan para Tertit, prokonsullit të Peloponezit.

I rrahën me kamxhik dhe u bënë në lloj-lloj torturash. Viktorinit i nxorën syrin e djathtë, i prenë gishtërinjtë e duarve dhe të këmbëve. Pastaj e hodhën në një havan të madh dhe e shtypën, kështu martiri ia dorëzoi shpirtin Zotit. Niqiforin, të mbuluar me gjak nga goditjet, e varën nga flokët dhe ia thyen kyçet e gishtërinjve. Por, kur idhujtarët donin ta detyronin të pinte verë që ishte përdorur si fli tek idhujt, Niqifori u hodh vetë në havan, ku gjeti vdekjen afër Viktorinit. Këta shenjtorë kremtohen tashmë më 31 janar. Klaudin e varën në një trekëmbësh, i prenë faqet dhe, kur i prenë duart e këmbët, martiri dha shpirt. Diodori fitoi kurorën e martirizimit kur e hodhën në zjarr, pasi më parë e shpuan me shigjeta. Serapionin e varën me kokën poshtë, i copëtuan gjymtyrët me çekiç dhe në fund martiri mbaroi me prerje koke. Papias i prenë duart, i shpuan trupin me shtiza të mprehta dhe e hodhën në det me një gur të madh të lidhur në qafë. Të shtatë martirët fituan kurorat e tyre të fitores.

 

* * * * *

Oshënare Theodhora e Selanikut dhe e bija, Theopisti.

 

Oshënare Theodhora lindi rreth vitit 812, në ishullin e Egjinës. Nëna i vdiq pak pas lindjes së saj dhe i ati, që ishte prift, ia besoi fëmijën kumbarës për ta edukuar dhe pastaj u bë murg. Ajo u rrit në dijen dhe në frikën e Perëndisë dhe e fejuan që në fëmijëri me një nga mëtuesit më të mirë të ishullit. Pas vrasjes nga piratët saraçenë të njërit prej vëllezërve, u detyrua të strehohej në Selanik me të gjithë familjen.

Kur arriti në moshën e duhur, u kremtua martesa dhe lindi një vajzë, pastaj edhe dy fëmijë të tjerë, që fatkeqësisht vdiqën në moshë të njomë. Theodhora nuk i la vend dëshpërimit, por e ngushëlloi të shoqin dhe i propozoi t’ia kushtonin Perëndisë vajzën e tyre gjashtëvjeçare, në manastirin e Shën Llukait.

Pas vdekjes së të shoqit, edhe ajo braktisi botën dhe u pranua në manastirin e Shën Stefanit, që drejtohej nga një e afërme, Ana, e cila kishte vuajtur për të mbrojtur ikonat e shenjta. Duke pasur frikë se mos vejusha e re do të ndryshonte mendje dhe do të kthehej në botë qysh në sprovat e para, në fillim Ana ngurroi. Më vonë u dorëzua para lutjeve të Theodhorës dhe e pranoi në mes të motrave të manastirit, por e vuri në shumë prova, për t’u siguruar për qëndrueshmërinë e saj. Theodhora tregonte zell të madh për të fituar të gjitha virtytet dhe shquhej në veçanti për bindjen e saj të plotë dhe pa paparagjykim, si ndaj igumenes ashtu edhe ndaj motrave të tjera. Ajo u shërbente me përulësi edhe në punët më të përulura. Me anë të rrëfimit të menjëhershëm largonte të gjitha mendimet që i sugjeronin të kthehej në botë dhe, duke medituar për mundimet e ferrit, e shikonte veten si më të padobishmen e komunitetit. Pas fjetjes së igumenes, që e kishte pranuar, vajza e saj u fut në manastirin ku ndodhej e ëma dhe ndanin të njëjtën qeli.

Djalli e shfrytëzoi këtë rast për të ngjallur përsëri në shpirtin e Theodhorës ndjenjat e dashurisë amësore.

Igumenia Ana e kuptoi se ky ishte një tundim i fortë, që mund t’i bënte të dyja të largoheshin nga qëllimi i tyre i shenjtë. Një ditë e kapi në befasi Theodhorën duke rregulluar rrobat e së bijës dhe e pyeti me ton të ashpër: “Theodhora, çfarë është kjo vajzë e re për ty?”. Dhe duke u rikujtuar fjalët e Zotit, që thotë: “Kush e do të atin ose nënën e tij, birin ose bijën e tij më shumë se mua, nuk është i denjë për mua!” (Matth. 10:37), ajo ua ndaloi çdo lloj komunikimi dhe madje u dha urdhër as të mos i flisnin njëra-tjetrës. Për pesëmbëdhjetë vjet nëna dhe vajza e ruajtën me shumë korrektësi

këtë rregull, ndërkohë që vazhdonin të kishin të njëjtën qeli, të punonin dhe të hanin së bashku. Theodhora u sëmur rëndë dhe igumenia, me kërkesën e motrave të tjera, e lejoi të fliste me të bijën. Murgeshat panë me habi se ato nuk provonin asgjë tokësore sipas afërsisë së gjakut, por e shikonin njëra-tjetrën si motra në Krishtin, pa pasion, njësoj siç i shikonin edhe motrat e tjera të vëllazërisë.

Kur Theodhora ishte pesëdhjetë e gjashtë vjeçe, e bija, Theopisti, u caktua nga episkopi i Selanikut për të zëvendësuar Anën, që ishte shumë e moshuar dhe e paaftë mendërisht. Theodhora u bë bija shpirtërore e së bijës dhe tregonte të njëjtën bindje si më parë, duke kryer pa u ankuar shërbimin ndaj igumenes së sëmurë dhe zemërake.

Kur ishte 75 vjeçe, Theodhora u lirua nga çdo punë, por pavarësisht kësaj, vazhdoi t’u shërbente motrave, duke mbajtur ujë fshehtazi nën mantelin e saj ose duke thurur litarë me fijet e lirit të hedhura si të padobishme nga murgeshat e tjera. Vepronte në këtë mënyrë, sepse sillte ndër mend me frikë fjalët e apostullit që thotë: “Nëse dikush nuk do që të punojë, as të mos hajë” (2 Thes. 3:10).

Kur fjeti në paqe, më 892, në praninë e tërë komunitetit të motrave, fytyra e saj e plakur dhe e rrudhosur u ndriçua papritur nga shkëlqimi i rinisë, ndërsa një aromë qiellore u përhap në qeli. Pak kohë më vonë, vaji i kandilit që ishte varur mbi varrin e saj, nisi të derdhej me bollëk, dhe kryheshin mrekulli tek ata që lyheshin me besim. Ikona e shenjtores buroi miro me aromë të mrekullueshme, prandaj shën Theodhora, njësoj si shën Dhimitri, mori epitetin

Mirovlite. Sipas disa të tjerëve, Theodhora u bë igumene pas Anës dhe Theopisti, që ishte motra dhe jo e bija, e pasoi në këtë detyrë.

Kur u pushtua Selaniku (1430), turqit thyen sarkofagun e vyer dhe e copëtuan lipsanin e shenjtë, që ishte i paprishur.

Por të krishterët arritën t’i mblidhni copat dhe lipsani i saj vazhdon të nderohet edhe sot në manastirin, që ka marrë emrin e shën Theodhorës.

Për shën Theodhorën thuhet se (nëse nuk bëhet fjalë për ndonjë tjetër shenjtore me të njëjtin emër) kur e hapën varrin e saj për të vendosur aty trupin e igumenes, që fjeti pak kohë pas saj, trupi i nxënëses, duke iu bindur edhe pas vdekjes, u tërhoq vetë në një qoshe, për t’i lëshuar vendin.

 

* * * * *

Dëshmorët Theodhora dhe Didimi.

 

Në kohën e persekutimeve të Dioklecianit dhe Maksimianit (289-305) ndaluan në Aleksandri një virgjëreshë të përkushtuar te Perëndia, Theodhorën. Kishte rrëfyer me kurajë Krishtin përpara guvernatorit dhe kështu e kishin futur në një shtëpi prostitucioni.

Burri i parë që shkoi për të abuzuar me të ishte një ushtarak me emrin Didim. Nga pastërtia rrezatuese e vajzës, ai u kthye nga qëllimet e tij të këqija dhe e veshi vajzën me rrobat ushtarake, i dha edhe armët e tij që të mund të dilte prej andej e gjallë dhe pa u prekur. Kur kjo gjë u zbulua, e morën Didimin dhe e çuan para qeveritarit.

Kur i kërkuan arsyen e asaj që kishte bërë, ai u përgjigj qetësisht se priste një kurorë të dyfishtë: nga njëra anë se kishte çliruar nusen e Krishtit nga njerëzit e shthurur, dhe nga ana tjetër se priste martirizimin e tij. Ia prenë kokën dhe trupin ia dogjën në zjarr. Edhe shën Theodhora mori kurorën e martires duke u djegur e gjallë.