Gjithmonë në shërbim të nevojtarëve.
Viti 2023 nisi me entuziazëm dhe pikësynime për rritjen e cilësisë dhe sasisë së ushqimit që u shpërndahet personave në nevojë.
Të shumtë e të ndryshëm janë ata që vijnë dhe konsumojnë ushqim pranë kësaj mense, si dhe ata që e marrin me vete. Që ky shërbim të jetë i plotë e i vazhdueshëm, kërkon një staf të përkushtuar që të shërbejë me cilësi, korrektësi e dashuri.
Herët në mëngjes, që në orën 5, vijnë zonjat që shërbejnë në kuzhinë për të gatuar gjellët dhe ushqimet, që përpara orës 8 çdo gjë të jetë gati për t’iu shërbyer miqve tanë, shumë prej të cilëve vijnë sapo hapen dyert e mensës “Shërbimi i Dashurisë”. Me të vërtetë është shërbim dashurie, sepse grupi i shpërndarësve të ushqimit shërben pa u lodhur dhe pa u mërzitur asnjëherë. Krahas ushqimit të ngrohtë, me buzëqeshje dhe fjalë të ëmbla ata u japin kurajë. Kështu, ditët pasojnë. Ushqimi vazhdon të ofrohet me të njëjtin ritëm dhe intensitet tek të gjithë ata që e presin.
Gjashtë ditë në javë përgjatë gjithë vitit (nga e hëna në të shtunë), ofrohet vazhdimisht për të gjitha kategoritë e njerëzve, qofshin të pastrehë, pensionistë, invalidë, familje me shumë fëmijë, gra të dhunuara e të braktisura, familjarë të cilët e kanë të papërballueshme jetesën, por edhe studentë. Të larmishme janë dhe historitë dhe problemet e tyre.
Kërkohet gjithashtu impenjim i vazhdueshëm për të informuar dhe sensibilizuar dhuruesit tanë, të cilët kontribuojnë me shuma monetare ose edhe materiale ushqimore. Nga ana jonë kërkohet të jemi të besueshëm kundrejt tyre, që të jenë të sigurt se ofrimet e tyre shkojnë në funksion të qëllimit të mensës. Kontribuesit janë të shumtë: individë, kompani, familje dhe shoqata e fondacione, që mbështesin punën e madhe që bëhet pranë kësaj qendre. Por më prekëse mbeten dhurimet e të moshuarve pensionistë, të cilët, nga të ardhurat e tyre minimale që marrin nga pensioni, heqin mënjanë në mbështetje të mensës. Ofrimet bëhen edhe në kujtim të të afërmve të tyre, të cilët kanë ndërruar jetë, si një përkujtimore e mirë dhe e vlefshme në sytë e Perëndisë.
Për mbarëvajtjen e mensës punojnë gjithsej tetë persona: atë Nikolla, në detyrën e përgjegjësit dhe koordinuesit, znj. Zhani dhe znj. Monika, kuzhiniere; Aleksandri, përgjegjës për mbledhjen e ushqimeve me automjet si dhe shpërndarjen e tyre brenda mensës; znj. Areti, ndihmës-kuzhiniere dhe pastruese; znj. Zhani, e cila shërben ushqimin dhe ndihmon në përgatitjen e tij.
Të tjerë vullnetarë janë Joani, Spartaku, dhe Juliani, në shërbime të ndryshme. Gjithashtu, nga viti 2022 e në vazhdim, ana ekonomike mbahet në mënyrë vullnetare nga Marsela Gjyzari.
Janë realizuar disa reportazhe dhe emisione nga televizione të ndryshme kombëtare rreth punës që bëhet në këtë mensë, por dhe për të sensibilizuar shoqërinë për të mbledhur fonde dhe vullnetarë.
Gjatë vitit të kaluar kemi ndihmuar me ushqime edhe Mitropolinë e Elbasanit, të Fierit, të Korçës, Gjirokastrës e Beratit, për t’i mbështetur ata në nismat e tyre sociale.
Për arsye higjenike dhe prezantimin më të mirë gjatë këtij viti është realizuar lyerja e godinës nga brenda dhe jashtë, lyerja e murit rrethues dhe e dy portave të mëdha të saj, si dhe punime hidraulike, elektrike, e shërbime të ndryshme teknike. Në vazhdim janë zëvendësuar enët e mëparshme të kuzhinës me të reja.
Synojmë që pranë kësaj mense të ofrojmë dhe një shërbim lavanterie, ku do mund të lanim rrobat e një pjese të atyre që vizitojnë mensën dhe kanë nevojë.
Sfida tjetër më afatgjatë është që, në lagjen e Astirit ose të Kombinatit në Tiranë të hapej një mensë e re, për të qenë sa më afër banorëve të këtyre lagjeve.
Modeli dhe frymëzimi ynë në këtë vepër të madhe sociale ka qenë dhe mbetet Kryepiskopi Anastas, i cili na motivon vazhdimisht që të marrim iniciativa për të përfaqësuar Kishën në mënyrë sa më dinjitoze. Më ka mbetur në mendje një shprehje e tij: “Zeron nuk e bekon Perëndia, kurse njëshit i vendos shumë zero nga pas”.
Atë Nikolla Kodheli
Përgjegjës i Mensës “Shërbimi i Dashurisë”