Mozaiku i një bazilike të “panjohur’’ nga Bylisi.

 

Në vitet 1970, gjatë punimeve për ndërtimin e murit rrethues të varrezave e fshatit Hekal të Mallakastrës, u gjet rastësisht një sipërfaqe e zbukuruar me mozaikë.

Pas zbulimit u realizuan disa sondazhe, të cilat zbuluan ekzistencën e një sërë muresh guri të lidhura me llaç. Ata i përkisnin një godine me karakter shoqëror, të ndërtuar në pozicion të volitshëm, në një distancë prej 300 m në veri të mureve të qytetit të antik të Bylisit1. Pas evidentimit, specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës në Tiranë zbuluan në pjesën që ruhej nga ndërtesa edhe një sipërfaqe e madhe mozaikësh të dëmtuar nga punimet bujqësore. Midis tyre ishte edhe një pjesë e kompozuar brenda një ambienti të brendshëm, me përmasa 5.20 x 3.10 m. Ajo përbëhej nga gurë kubikë gëlqerorë prej1 cm (tesera) me ngjyrë të bardhë, gri, të zezë dhe të kuq në rozë2.

Motivi dekorativ dominues ishte një gërshet i ndërthurur, i ngjashëm me mozaikët e periudhës së antikitetit të vonë. Ai kufizohej nga një bordurë e përbërë prej harqesh të vegjël që zgjateshin drejt anëve të saj, të vendosur brenda një fushe 10 cm të gjerë.

Punimi kishte në qendër elemente të tjera kompozicionale, të cilat, për shkak të shkallës së dëmtimit, nuk arritën të përcaktoheshin mirë. Gjatë studimit u vu re se mozaiku ishte ndërtuar mbi një shtresë llaçi në raportin një me dy, me përbërës gëlqereje, rëre dhe pluhur tjegulle.

Procesi vijoi me fotografimin dhe vendosjen e piketave orientuese, me qëllim që fragmenti të zhvendosej nga vendi i zbulimit me synim shpëtimin e tij si vepër arti. Hap pas hapi u realizua shkulja e tij. Pjesët u transportuan në laboratorin e restaurimit në Tiranë. Atje, sipas kritereve dhe kushteve të kohës, mozaiku u risoll në gjendjen e mëparshme dhe u realizua përputhja e gjithë elementeve të tij3. Ndërsa, në përfundim, pjesët e tij u vendosën në një pllakë të betonuar me trashësi 4 cm dhe përmasa 167 cm x 91 cm, në të cilën u përdor armaturë metalike me një rrjet kuadratik hekuri prej 6 mm. Brenda panelit të saj u vendosën edhe katër unaza hekuri me qëllim montimin në ambientet muzeale ose vendndodhjen e tij origjinale.

Gjatë këtij procesi të gjatë rikonstruksioni u krye edhe një studim i motiveve të kësaj vepre arti. Pas krahasimeve me mozaikët e Apolonisë dhe të Linit, autorët e studimit arritën në konkluzionin se ai mund t’i përkiste dyshemesë së një ndërtese kulti të shek. V-VI4. Sipas gjasave, bëhej fjalë për një kishë paleokristiane për të cilën stadi i atëhershëm i gërmimeve arkeologjike në Bylis nuk mund të siguronte mbështetjen e hipotezës së autorëve. Ndërkohë, gjatë viteve 1980-1991, brenda territorit të qytetit antik dhe bizantin të Bylisit u zbuluan pesë bazilika paleokristiane5.

Në këtë mënyrë, gërmimet arkeologjike, mes të cilave u zbuluan edhe sipërfaqe të mëdha me mozaikë, hapën perspektiva të reja studimi. Megjithatë, ky proces   nuk e solli në vëmendje rastin e mozaikut në fjalë. Kështu, ai mbeti si rast i shkëputur studimor.

Vetëm vitet e fundit, disa arkeologë kanë shfaqur interes ndaj këtij objekti që i përket tashmë fushës së muzeologjisë. Sipas aludimeve të tyre, mozaiku në fjalë duhet t’i përkiste një bazilike paleokristiane të ndërtuar jashtë mureve të Bylisit, pothuajse në të njëjtën kohë me bazilikat e tjera të tij. Gjithsesi, dëmtimi i kësaj kishe “extra muros” dhe mozaikëve nga punimet bujqësore të kohës kur u zbulua, nuk lejuan zhvillimin mëtejshëm të gërmimit dhe studimit të plotë të godinës. Të vetmet dëshmi të ekzistencës së saj kanë mbetur tashmë mozaiku në fjalë dhe shkrimi informativ rreth gjetjes, shpëtimit dhe restaurimit të tij. I titulluar ‘’Restaurimi i mozaikëve të Meso-potamit dhe Bylisit’’ ai u publikua në nr. 17 të revistës ‘’Monumentet’’, në vitin 1979. Sipas autorit dhe njëkohësisht edhe drejtuesit të projektit të zhvendosjes dhe restaurimit, skulptorit dhe restauratorit Sotir Kosta, dokumentacioni dhe shkulja e mozaikut në atë kohë u krye nga grupi i përbërë nga U. Çikopano, Gj. Varfi dhe I. Zaloshnja. Pas restaurimit ai u vendos në pavijonin e arkeologjisë të Muzeut Historik Fier, ku qëndron edhe sot i ekspozuar për vizitorët dhe publikun.

Ilirjan Gjika