E Diela II e Kreshmës (Shën Grigor Pallamai), Pesha e Papërballueshme, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 12.03.2023. (Tekst)
«Bir, t’u falën mëkatet e tua» (v. 5)
Pjesa e sotme e Ungjillit, na shfaq Jisu Krishtin të predikojë në një shtëpi të Kapernaumit. Zoti, nuk humbiste rast për të shpallur fjalën e së vërtetës. «U predikonte atyre fjalën» shënon Ungjillori i hirshëm. Krishti erdhi në botë që të predikojë. Gjëja e parë që duhej bërë ishte të ndriçohej njeriu, që të rigjejë rrugën e perëndinjohjes së vërtetë; të ndriçohet logjika e tij, mendja e tij. Fjalën e Tij e shoqëronte me shërimet e të sëmurëve. Por fjala e Krishtit peshon më tepër nga mrekullitë e Tij. Ato bëhen që të sigurojnë vërtetësinë e fjalës së Tij. Ungjillori i hirshëm na flet akoma edhe për përpjekjet e mëdha dhe luftën që ndërmorrën njerëzit me besë të vërtetë, që të paraqiten përpara Zotit.
* * *
Katër njerëz transportonin një të afërm apo mik të tyre, që ishte i paralizuar. E transportonin me shtratin e tij, përderisa ishte kaq i pafuqishëm dhe i pamundur. Por më kot përpiqeshin të kalojnë midis turmës së dendur që t’i afrohen Zotit. Dhe meqenëse këtë nuk mundën ta arrinin, u ngjitën në çatinë e shtëpisë, e hapën atë, dhe me mundim të madh zbritën shtratin ku dergjej i sëmuri dhe e vendosën para këmbëve të Mjekut çudibërës. Kaq e madhe ishte besa e tyre tek Krishti.
«Edhe Jisui, kur pa besimin e tyre, i thotë të paralizuarit: Bir, t’u falën mëkatet e tua». Krishti nuk priste të dëgjonte të shprehet me fjalë besa e tyre. E pa. Shikimi i Tij shpirtëror, hyri në thellësitë e zemrës njerëzore. Dhe atje, në thellësitë e saj, pa besën e tyre të madhe. Me sytë e Tij trupor, pa përpjekjet dhe mundimin e tyre për të sjellë njeriun e sëmurë përpara Tij. Besa e tyre, rrjedhimisht, ishte e dukshme.
* * *
Pabesia e shkronjësve që ndodheshin në këtë ngjarje, ishte gjithashtu e dukshme. Ai blasfemon, thoshin brenda tyre. Kush tjetër, përveç Perëndisë, mund të falë mëkate? (v.. -Zoti i dinte ato që mendonin dhe filloi t’i qortojë në mënyrë të qetë. Përse mendoni gjëra të tilla? -u thoshte. Zoti lexon zemrat dinake me të njëjtën lehtësi që lexon edhe të qashtrat. Ashtu siç njohu menjëherë zemrën e pastër dhe të qashtër të Nathanaelit, që nuk kishte dinakëri dhe mashtrim, kështu njehu menjëherë zemrat e papastra të shkronjësve, që ishin të mbushura me dinakëri. Që tu tregojë pra, se ka pushtet sa në trupat aq edhe në shpirtrat e njerëzve; sa të falë mëkate aq edhe të shërojë trupa të sëmurë. Zoti i thotë të paralizuarit: «Ty të them, ngrihu dhe merr shtratin tënd e shko në shtëpinë tënde» (v. 11). Dhe para një fjale të tillë të pushtetshme, njeriu i Paralizuar u çua menjëherë, mori shtratin mbi supe dhe kaloi përpara të gjithëve. Dhe të gjithë admiruan dhe lavdëruan Perëndinë, duke thënë: Gjëra të tilla s’kemi parë kurrë.
* * *
Njeriu i shëndetshëm shpirtërisht, duron në të nxehtë e në të ftohtë, në uri e në etje, në pagjumësi e mundim, në dhimbje e në sëmundje, madje edhe në përndjekje e tortura. Por vetëm një gjë nuk duron: Peshën e mëkatit. Pesha e mëkatit e gjunjëzon, e dërrmon. Madje edhe kur nuk e ndiejmë në mënyrë të plotë, edhe atëherë, pesha e mëkatit vepron dinakërisht në organizmin tonë shpirtëror por edhe trupor, dhe e shkatërron. Dhe është e mundur që, për shkak të peshës së mëkatit, nëse nuk marrim masa në kohë, të rrënohet papritmas organizmi ynë dhe trupërisht dhe shpirtërisht. Edhe në këtë rast gjen zbatim të plotë dhe vërtetohet himni i Kishës në madhëshitimin e Paraklisit të Shenjtë drejtuar Hyjlindëses së Tërëshenjtë: «Barra e mëkateve më dërrmon, m’u sëmur pra trupi, edhe shpirti m’u err në ferr».
Kemi pra, nevojë biologjike të çlirohemi nga barra e mëkateve tona.
* * *
Por, nga vjen kjo nevojë?
Njeriu është gatuar që të jetojë në paqe me Perëndinë. Mëkati trondit marrëdhëniet e tij me Até, dhe kështu është si ta shpjerë në një gjendje të kundërt me natyrën e tij. Madje që prej fillimit të Krijimit dhe të historisë njerëzore, e vëmë re këtë fenomen. Ndërkohë që çifti i njerëzve të parë jetonte në paqe, me gjithë krijesën dhe Krijuesin, erdhi shkelja. Sapo u bë mëkati, ndjenja e fajit solli trazira në marrëdhëniet e tyre paqësore me Perëndinë dhe në ritmin normal të jetës së tyre. Prandaj ndjenë edhe nevojën të fshihen nga Perëndia.
Dhe shikojmë përsëri, që nga agimi i historisë njerëzore, një përpjekje të vazhdueshme dhe të pandërprerë të njeriut, për t’u pajtuar me Krijuesin e tij. Historia njerëzore shkruhet nga marrëdhëniet e njeriut me Perëndinë. Për këtë arsye ekzistojnë altarët dhe theroret, tempujt dhe adhurimi hyjnor.
* * *
Por drama e tmerrshme e njeriut është se, me gjithë përpjekjen e tij të dëshpëruar, nuk e ndjen veten e tij të qetë, nuk bindet se Perëndia u pajtua përsëri me të. Prandaj pesha e mëkatit vazhdon të shtypë shpirtin e njeriut dhe të shtojë tragjicitetin e dramës së tij. Domethënë, tek mëkatet e vjetra, shtrembërimi që vjen nga tronditja e marrëdhënieve të tij me Perëndinë, shton përsëri edhe të tjera të reja, dhe mëkati për njeriun, në një farë mënyre, bëhet natyrë e dytë. Është «trupi i vdekjes» (Rom. 7:24), siç e quan apostull Pavli, që ndrydh organizmin tonë trupor dhe shpirtëror. Në këtë gjendje ndodhej njeriu i mjerë, kur erdhi në botë «Biri i njeriut», Zoti ynë, dhe në të njëjtën gjendje vazhdojnë të gjenden deri sot, edhe ata që nuk kanë kuptuar me përpikmëri thelbin e mesazhit të Tij, se: «Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkate mbi dhe» (Mat. 9:6).
* * *
Këtë pushtet realisht shpëtues, Zoti, pas Ngjalljes, ia kaloi Nxënësve të Tij: «Siç më dërgoi Ati, edhe unë ju dërgoj ju. Edhe si tha këtë, fryu dhe u thotë atyre: Merrni Frymë të Shenjtë. Kujtdo që t’u falni mëkatet, u janë falur atyre» (Joani 20:21-23). Nxënësit përsëri, ua kaluan këtë pushtet pasuesve të tyre dhe kështu, deri më sot, njeriu ka mundësinë të çlirohet nga pesha e mëkateve të tij, të ndiejë se rilindi realisht, se u bë njeri i ri dhe i lehtë, për sa i përket trupit dhe shpirtit, i mbushur me gëzim, për të përparuar pjesën e mbetur të jetës së tij. Sigurisht, më e mira dhe më e dobishmja për ne, është të mos biem në mëkate të reja. Por më e mundshmja është, se përsëri do të biem në gabime të reja, do të rëndohemi me një barrë të re mëkatesh. Por përsëri Nxënësi i dashurisë na kujton: «Në mëkatoftë ndonjë, kemi kusht të lutet tek Ati, Jisu Krishtin e drejtë. Dhe ai është shpërblimi për mëkatet tona» (I Joani 2:1-2).
Qëndrimi i disave se, përderisa përsëri do të mëkatojmë, për çfarë duhet të rrëfehemi, është krejtësisht i gabuar si mënyrë të menduari. Është si të mos duam të na shërojë mjeku, meqenëse është shumë e mundur të sëmuremi përsëri. Ne do të përpiqemi të mos mëkatojmë. Por edhe nëse ndodh dhe biem, menjëherë të vrapojmë tek Mjeku shpirtëror. Nxitja e Kishës është: sa herë të biesh, ngrihu dhe do të shërohesh.
Ndoshta përsëri do të pyesë dikush: Po mirë, kështu do vejë jeta jonë? Do të mëkatojmë lehtë në ndërgjegje dhe menjëherë do të kërkojmë faljen e mëkateve tona, që të vazhdomë më pas të mëkatojmë? Nuk është kjo një tallje? Përgjigja është se Perëndia kërkon që ne, në mirëbesim, të përpiqemi të mos biem përsëri në mëkate. Por edhe nëse me gjithë përpjekjen tonë të mirë, biem përsëri në mëkate, çfarë thotë në këtë rast Fryma e Perëndisë? «Në mëkatoftë ndonjë, kemi kusht të lutet tek Ati. Cili? Jisu Krishtin e drejtë», vetë Zotin tonë. Ai, i Cili, si njeri njohu fuqinë e ngasjes, do të jetë mbrojtësi ynë.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
Le të mos trembemi, le të mos ngurojmë. Ai që vazhdon të mbajë mbi veten e tij peshën e papërballueshme të mëkatit, padrejtëson veten dhe shpërdoron një dhuratë shumë të madhe të Perëndisë. «Le t’i afrohemi pra me guxim fronit të hirit, që të marrim përdëllim dhe të gjejmë hir për ndihmë në kohë nevoje»; «Sepse s’kemi kryeprift që të mos mund t’i vijë keq për dobësitë tona» (Heb. 4:16,15).
U bëftë.