– Ungjilli – Marku 15:20,22,25,33-41

Edhe si e përqeshën, i zhveshën rrobën e kuqe, dhe i veshën rrobat e tij, dhe e çuan jashtë, që ta kryqëzojnë. Edhe e sjellin në vendin Golgota, që e përkthyer do të thotë “Vendi i kafkës”. Edhe ishte ora e tretë, dhe e kryqëzuan. Edhe kur u bë ora e gjashtë, u bë një errësirë mbi gjithë dheun, deri në orën e nëntë. Edhe në të nëntën orë Jisui bërtiti me zë të madh, duke thënë:“Eloi, Eloi, lama Sabakthani?”, që e përkthyer do të thotë “Perëndia im, Perëndia im, pse hoqe dorë prej meje?”.

Edhe disa nga ata që ishin duke ndenjur atje, kur dëgjuan, thoshin: Ja tek po thërret Ilian. Edhe njëri u sul e mbushi një sfungjer me uthull, dhe e vuri mbi një kallam, e i dha të pijë, duke thënë: Lëreni, le të shohim nëse vjen Ilia ta zbresë. Edhe Jisui nxori zë të madh e dha shpirt. Edhe kurtina e tempullit u ça më dysh, prej së larti deri poshtë. Edhe kryeqindëshi, që rrinte përballë atij, kur pa se duke bërtitur kështu dha shpirt, tha: Me të vërtetë ky njeri paska qenë Bir Perëndie. Ishin edhe gra duke vëzhguar prej së largu; ndër ato ishte edhe Maria Magdalena, dhe Maria, e ëma e Jakovit të vogël dhe e Josiut, dhe Saloma, të cilat, edhe kur ishte në Galile, i vinin pas, dhe i shërbenin; si dhe shumë të tjera që qenë ngjitur bashkë me të në Jerusalem.