– Apostulli – 2 Petro 1:1-10.

 

Simon Pjetri, shërbëtor dhe apostull i Jisu Krishtit, atyre që kanë marrë për pjesë besim të çmuar sa edhe ne, me anë të drejtësisë së Perëndisë tonë dhe të Shpëtimtarit Jisu Krisht; hir dhe paqe u shumoftë mbi ju me anë të njohjes së Perëndisë dhe të Jisu Krishtit, Zotit tonë.

Sikundër fuqia e tij hyjnore na fali të gjitha ato që duhen për jetë e shpresëtari me anë të njohjes së atij që na thirri me lavdi e me virtyt; me anë të të cilave na dhuroi premtimet më të çmueshme e më të mëdha, që me anë të këtyre të bëheni pjesëtarë të natyrës së Perëndisë, duke larguar prishjen që vjen në botë me anë të dëshirimit.

Edhe pikërisht për këtë, duke bërë çdo përpjekje, shtoni në besimin tuaj virtytin, edhe në virtytin diturinë, edhe në diturinë vetëpërmbajtjen, edhe në vetëpërmbajtjen durimin, edhe në durimin shpresëtarinë, edhe në shprestarinë vëllazërimin, dhe në vëllazërimin dashurinë.

Sepse po të jenë këto ndër ju dhe të shtohen, nuk do t’ju bëjnë të plogësht, as të pafrytshëm në njohjen e Zotit tonë Jisu Krisht. Sepse ai, tek i cili nuk janë këto, është i verbër, dritëshkurtër, edhe harroi pastrimin e mëkateve të tij të vjetër.

Prandaj, o vëllezër, kujdesuni më tepër të siguroni thirrjen dhe zgjedhjen tuaj; sepse duke bërë këto, nuk do të mëkatoni kurrë.