Filluan punimet restauruese të kishës dhe konakut të manastirit “Fjetja e Hyjlindëses” së Athalit në Himarë.

Pas miratimit nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale, të projektit të realizuar nga Bërthama e Trashëgimisë Kulturore të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë: “Restaurimi i kishës dhe konakut të manastirit të Shën Marisë së Athalit në Himarë”, gjatë vitit 2022, Bërthama e Trashëgimisë kulturore kishte planifikuar realizimin e projektit ndërhyrës në këtë manastir, si një udhëzim dhe kërkesë nga Kryepiskopi Anastas.

Kryepiskopi e vlerëson këtë manastir jo vetëm si tempull të Perëndisë dhe për vlerat kulturore e historike që mbart, por edhe si një kërkesë të rëndësishme të komunitetit, për të cilët ky vend i shenjtë është shndërruar në destinacion pelegrinazhi, me histori të shumta mrekullish që prej kohëve të hershme.

Kështu, shumë shpejt, mbas miratimit dhe marrjes së të drejtës për fillimin e punimeve, me bekimin dhe sigurimin e fondeve nga Kryepiskopi Anastas, në shtator të vitit të kaluar nisën punimet.

Manastiri i Athalit.

Ndodhet në malin e Athalit, jo shumë larg qytetit të Himarës.

Në gjendjen aktuale, nga ndërtimet e manastirit kanë mbetur kisha dhe një ndërtesë dykatëshe gjysmë e rrënuar. Kisha është ndërtuar në vitin 1795. Ajo është e tipit bazilikal me tre nefe, me përmasa të brendshme 10,10 x 5,10 m. Nefi qendror mbulohet me strukturë druri, ndërsa në nefet anësore janë formuar bërthama katërkëndëshe, të ndara nga njëra-tjetra me harqe që lidhin kolonat me muret përbri, të cilat janë te mbuluara me qemerë cilindrikë, me hapje ndaj nefit qendror.

Ambienti i altarit ndahet nga një ikonostas guri mjaft i lartë me tri hyrje. Dyshemeja është e ngritur në tre këmbë shkallë nga pjesa tjetër e naosit, ndërsa mbulohet me të njëjtin tavan. Absida nuk ndodhet në pjesën qendrore të murit lindor, por është pak e spostuar, duke i marrë vend diakonikonit dhe duke i lënë më tepër hapësirë proteizisit. Mbi frontonin e murit perëndimor ngrihet kambanorja. Një strukturë e tillë e mbulesës së naosit nuk është e zakonshme për kishat e këtij tipi dhe mendohet të jetë rezultat i ndonjë rikonstruksioni të mëvonshëm.

Ndonëse nuk ruhen gjurmë të mbulesës së vjetër, është e natyrshme të mendohet se ajo ka qenë me qemer cilindrik, si në rastin e kishës së Shën Nikollës në Porto Palermo. Dëmtimet që kanë pësuar strukturat mbajtëse kanë bërë të domosdoshëm ndërtimin e kontrafortëve në muret e jashtme.

Kisha ka muraturë të rregullt, me qoshe dhe komiza të punuara me gurë të latuar. Me gurë të latuar është punuar gjithashtu dhe muratura e absidës, e cila përfundon me një komize guri, të përbërë nga një radhë në formë dhëmbësh sharrë ndërmjet dy radhëve të drejtë. Çatia dyujëse, me një prerje në anën lindore, është e mbuluar me tjegulla bizantine.

Interes tipologjik paraqet edhe ndërtesa gjysmë e rrënuar e manastirit. Ajo është dykatëshe, kati i poshtëm i së cilës ka shërbyer për katua, ndërsa i sipërmi për banim. Hyrja për në katin e sipërm bëhet me shkallë të jashtme guri, të cilat përfundojnë në një çardhak të gjerë, të hapur në ballë dhe të mbrojtur nga krahët nga zgjatimi i mureve tërthore.


 

Foto Album:

 

Filluan punimet restauruese të kishës dhe konakut të manastirit “Fjetja e Hyjlindëses” së Athalit në Himarë.