E diela e 17 pas Mattheut, Gruaja Kananease, nga Mitropoliti i Apollonisë & Fierit, H. Nikolla, 29.01.2023 (Tekst)

 

“Atë që vjen tek unë”, unë nuk do ta nxjerrë kurrë jashtë”! (Jn. 6:37)

“Atë që vjen tek unë,- thotë Zoti, Unë nuk do ta nxjerrë kurrë jashtë” (Jn. 6:37). E thënë ndryshe, Ai që beson tek Zoti dhe lë jetën e tij në dorë të Zotit, Zoti nuk do ta braktis kurrë atë. Por, shpeshherë ne ndodhemi në situate të ndryshme të jetës sonë, në momente të vështira, në rëniet tona, në gabimet tona, në mëkatet tona edhe e humbasim këtë guxim para Perëndisë. Edhe themi si mundet tani unë në këtë situatë që ndodhem ti drejtoj lutje Zotit? Edhe a do të pranoj me të vërtetë lutjen time Perëndia? Sigurisht që po!

Në çfarëdo situate që të jemi ne përsëri mbetemi bijë të Perëndisë. Akoma më tepër ku ne të gjithë jemi pagëzuar dhe kemi marrë Hirin e Shpirtit të Shenjtë dhe vulën e birësisë së Perëndisë. Por, edhe ata të cilët janë “larg Perëndisë” dhe ata përsëri mbeten bijë të Perëndisë. Të gjithë Zoti i dëgjon, i dëgjon lutjet e tyre.

Në ungjillin e sotëm dëgjuam për një mrekulli që bënë Zoti, tek një vajzë që i përkiste një populli pagan. Zoti ishte në krahinën e Tirës dhe Sidonës dhe i afrohet një grua pagane dhe i thërret me zë të madh, të fuqishëm: “Përdëllemë Biri i Davidit, vajza ime është tmerrësisht e pushtuar nga një demon”. Zoti e dëgjon, por nuk përgjigjet. Ajo vazhdon të bërrtasë përsëri, aq shumë sa dishpujt dhe njerëzit që ishin pranë Zotit i thonë: Largoje atë sepse po na shqetëson shumë. Por, Zoti përsëri hesht. I thotë apostujve: “Unë jam dërguar tek populli i zgjedhur, tek delet e humbura të Izraelit”.

 Por, gruaja jo vetëm që nuk pushon së kërkuari ndihmë, por ajo e përul akoma më tepër veten e saj duke shkuar pranë Krishtit dhe duke i rënë në gjunjë thotë: “Zot më ndihmo”. Por, Zoti akoma vazhdon ta përul këtë grua dhe i thotë: “Nuk është mirë që të marë njeriu bukën e fëmijëve e t’ua hedhë këlyshëve të qenve”. E kuptoj kjo grua, që nuk i përkiste popullit të zgjedhur të Perëndisë, por megjithatë nuk u turpërua, nuk hoqi dorë nga këmbngukja e saj dhe i thotë: “ Zot ke të drejtë, unë nuk i përkas popullit tënd, por edhe ne jetojmë më thërrimet që bien nga Hiri që jep Ti, tek populli yt. Fjalë për fjalë i thotë: “Po, Zot, por edhe këlyshët e qenve hanë nga thërrimet që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre”. Me përulësi pranon gjithçka kjo grua dhe Zoti tha: “Bijë i madh është besimi yt, u bëftë siç dëshiron”. Dhe vajza e saj që në atë moment u shërua.

Për të na thënë Zoti që edhe ne kur ndodhemi në situata të tilla, të vështira të jetës sonë Zoti na dëgjon. Ndoshta Ai në atë moment hesht, ndoshta na duket sikur nuk na dëgjon Zoti, por jo Zoti na dëgjon. Ai pret këmbnguljen tonë në lutje, Ai pret besimin tonë, Ai pret durimin tonë, Ai pret përulësinë tonë. Dhe kur ne bëjmë këtë këmbngulje dhe kur përulim veten tonë, atëherë Zoti do të dëgjoj lutjen tonë, do të pranoj lutjen tonë dhe në momentin e përshtatshëm do të na jap, nëse është e dobishme ajo që ne i kërkojmë Zotit me besim.

Kur e bëri ndaj një gruaje pagane, kur e bënë ndaj një populli pagan, siç na tregohet për popullin e Ninevisë. Populli i Ninevisë ishte një popull pagan, dhe jo vetëm pagan, por ky popull ishte sjellë keq ndaj popullit të Perëndisë, e kishte pushtuar dhe e kishte përulur shumë keq. Por, megjithatë ndonëse ky popull kishte bërë këtë gjë ndaj popullit të Tij dhe akoma ky popull vazhdonte të ecte në një jetë të shthurur. Zoti dërgoji profetin Jona të shpallte tek ky popull që do ta shkatërronte për shkak të paudhësisë së tyre. Ky popull, duke filluar nga mbreti e deri tek shërbëtorët më të thjesht kur dëgjoji këtë gjë, të gjithë u penduan. Dhe vunë të kreshmojnë me ditë të tëra dhe t’i drejtonin Zotit lutje, që ndoshta Zoti të tregohej i mëshirshëm dhe nuk do ta shkatërronte këtë popull.

Dhe me të vërtetë Zoti e dëgjoji lutjen e tyre, kur pa pendimin e tyre, kur pa përulësinë e tyre, kur ata kreshmuan dhe ju lutën Zotit. Jo vetëm ata, por edhe kafshët i vunë të mos ushqehen ato ditë dhe Zoti këtë popull pagan e shpëtoji nga shkatërrimi.

Nëse Zoti e bëri diçka të tillë për një grua pagane, nëse e bënë për një popull pagan që ka keqtrajtuar popullin e Tij, nuk do ta bëjë Zoti të dëgjohet lutja jonë? Sigurisht që do ta bëjë! Nëse ne këmbngulim, nëse ne përulim veten tonë Zoti me të vërtetë, jemi të sigurt që do të dëgjoj lutjen tonë. Le të këmbngulim me përulësi dhe me besim në lutjet tona. Amin!

Nga predikimi i Mitropolitit të Apollonisë & Fierit, Nikolla, e diela e 17 Mt., data 29/01/2023.