– Ungjilli – Marku 6:30-45.

Edhe apostujt u mblodhën tek Jisui dhe i rrëfyen të gjitha, edhe sa bënë, edhe sa mësuan. Edhe u tha atyre: Ejani ju vetë veçan në një vend të shkretë dhe prehuni pak; sepse ishin shumë ata që vinin e shkonin, edhe as për të ngrënë s’kishin kohë. Edhe shkuan me lundër në një vend të shkretë veçan.

Edhe turmat i panë ata duke shkuar, edhe shumë veta i njohën; edhe me këmbë nga gjithë qytetet u sulën atje, edhe arritën më përpara se ata, edhe u mblodhën pranë tij. Edhe kur doli Jisui, pa shumë njerëz dhe iu dhimbs për ta, sepse ishin si dhen që s’kanë bari; edhe zuri t’u mësojë shumë gjëra.

Edhe tani, meqenëse kishin kaluar shumë kohë, iu afruan atij nxënësit e i thonë se vendi është i shkretë dhe tani ora kishte kaluar shumë, lëshoi ata, që të shkojnë nëpër arat e nëpër fshatrat përreth e të blejnë bukë për vete, sepse s’kanë se ç’të hanë.

Po ai u përgjigj e u tha: Jepuni ju atyre të hanë. Edhe ata i thonë: Të shkojmë e të blejmë dyqind dinarë bukë e t’u japim atyre të hanë? Edhe ai u thotë: Sa bukë keni? Shkoni e shihni. Edhe si panë, i thonë: Pesë, edhe dy peshq. Edhe ai i urdhëroi t’i vënë ata të rrinë të gjithë grupe-grupe përmbi barin e njomë. Edhe ata ndenjën togje-togje, nga njëqind e nga pesëdhjetë.

Edhe ai, si mori të pesë bukët e të dy peshqit, ngriti sytë në qiell, bekoi, edhe theu bukët e ua dha nxënësve të tij, që t’i vënë përpara tyre; edhe të dy peshqit ua ndau të gjithëve. Edhe të gjithë hëngrën e u ngopën. Edhe u ngritën dymbëdhjetë kofinë plot me copa, edhe nga peshqit. Edhe ata që hëngrën bukët ishin rreth pesë mijë burra.

Edhe menjëherë detyroi nxënësit e tij të hyjnë në lundër dhe të shkojnë më parë matanë, në Betsaida, deri sa ai të lëshonte turmën.