– Apostulli – Jakovi 4:7-5:9.

 

Bindjuni pra Perëndisë; rrini kundër djallit, edhe do të ikë nga ju. Afrojuni Perëndisë, edhe do t’ju afrohet juve. Pastroni duart, o mëkatarë, edhe pastroni zemrat, o njerëz me dy mendje. Hiqni keq e vajtoni e qani; të qeshurit tuaj le të kthehet në vaj, edhe gëzimi juaj në hidhërim. Përuluni përpara Zotit, edhe do t’ju ngrerë lart.

Mos flisni keq njëri për tjetrin, o vëllezër; ai që flet keq për vëllanë dhe gjykon të vëllanë, flet keq për ligjin dhe gjykon ligjin; edhe nëse gjykon ligjin, nuk je ruajtës i ligjit, por gjykatës i tij. Një është ligjvënësi dhe gjykatësi që mund të shpëtojë dhe të humbasë; po cili je ti që gjykon tjetrin?

Ejani tani ju që thoni: Sot e nesër do të shkojmë në këtë qytet, edhe do të bëjmë atje një vit, edhe do të tregtojmë e do të fitojmë; ju që nuk dini se ç’do të bëhet nesër. Sepse ç’është jeta juaj?

Eshtë me të vërtetë një avull që duket për pakëz kohë, e pastaj humbet. Në vend që të thoni: Në dashtë Perëndia, edhe në rrofshim, do të bëjmë këtë ose atë. Po tani mburreni me mendjemadhësitë tuaja; çdo mburrje e tillë është e ligë.
Ai pra që di të bëjë mirë, edhe nuk e bën, mëkat është për atë.

Ejani tani ju të pasurit, qani e ulërini për të këqijat që do të vijnë mbi ju. Pasuria juaj u kalb, edhe rrobat tuaja jua brejti mola. Ari dhe argjendi juaj u ndryshkën, edhe ndryshku i tyre do të jetë dëshmi kundër jush, edhe do të hajë mishrat tuaj si zjarr; mblodhët thesarë për ditët e fundit.

Ja tek bërtet paga që ua keni mbajtur punëtorëve që korrën arat tuaja; edhe britmat e korrësve hynë në veshët e Zotit Sabaoth. U kënaqët e dëfryet mbi dhé; ushqyet zemrat tuaja si në ditë therjeje. Dënuat dhe vratë të drejtin; edhe ai nuk ju rri kundër.

Bëni durim pra, o vëllezër, deri në ardhjen e Zotit. Ja bujku tek pret frytin e çmueshëm të dheut, edhe ka durim për atë, deri sa të marrë shiun e hershëm e të vonin. Duroni edhe ju, forconi zemrat tuaja; sepse ardhja e Zotit u afrua.
Mos u ankoni kundër njëri-tjetrit, o vëllezër, që të mos dënoheni
Ja gjykatësi tek rri përpara dyerve.