– Apostulli – Veprat e Apostujve 12:1-11.

 

Në atë kohë mbreti Irod vuri duart t’u bëjë keq disave prej kishës. Edhe vrau me thikë Jakovin, të vëllain e Joanit. Edhe kur pa se kjo është e pëlqyeshme për Judenjtë, vuri ndër mend të zërë edhe Pjetrin; dhe ishin ditët e të pabrumëtave. Edhe e zuri atë dhe e vuri në burg, edhe ua dorëzoi katër palë ushtarëve prej katër vetash secila, që ta ruajnë, sepse pas pashkës donte ta nxirrte përpara popullit. Pjetri pra po ruhej në burg; po prej kishës bëhej pa pushim lutje për të.

Edhe kur do ta nxirrte atë Irodi përpara, atë natë Pjetri lidhur me dy vargonj ishte duke fjetur në mes të dy ushtarëve, edhe rojet ruanin burgun përpara derës. Edhe ja një engjëll i Zotit erdhi papandehur, edhe dritë ndriti në atë vend; edhe si i ra Pjetrit në brinjë, e zgjoi, duke thënë: Ngrihu shpejt. Edhe i ranë vargonjtë nga duart. Edhe engjëlli i tha: Ngjishu, edhe mbath sandalet e tua; edhe ai bëri ashtu.

Edhe i thotë: Vish rrobën tënde, edhe eja pas meje. Edhe ai si doli, i vinte pas, edhe nuk dinte se ishte e vërtetë kjo që bëhej prej engjëllit, po pandehte se sheh vegim. Edhe si kaluan rojen e parë e të dytë, erdhën në portën e hekurt që çon në qytet, e cila iu hap atyre prej vetiu; edhe si dolën, shkuan nëpër një rrugë; edhe përnjëherë engjëlli u nda nga ai. Edhe Pjetri, si erdhi në vete, tha: Tani e di me të vërtetë se Zoti dërgoi engjëllin e tij dhe më shpëtoi nga dora e Irodit dhe nga gjithë shpresa e popullit të Judenjve.