Një përfaqësi e Kishës mori pjesë në Fronëzimin e Kryepiskopit të ri të Qipros.

Në ceremoninë Zyrtare të Fronëzimit të Kryepiskopi të Justinianës së Re dhe të Gjithë Qipros, Imzot Georgios, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë u përfaqësua nga Mitropoliti i Gjirokastrës, Imzot Dhimitri, i shoqëruar nga Protopresviteri Joan Mërkuri dhe z. Orfea Beci.

Në darkën e rastit që vijoi u lexua Letra Paqësore e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasit, për Primatin e ri të Kishës së Qipros. Ajo u shoqërua me një dhuratë simbolike, ikonën e Ngjalljes së Krishtit.

Teksti i plotë i letrës:

“KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE SHQIPËRISË

Fortlumturi, Kryepiskop i Justinianës së Re dhe gjithë Qipros, vëlla dhe bashkëmeshtar i dashur dhe fort i shtrenjtë më Krishtin Perëndi, Imzot Georgios, Fortlumturinë Tuaj të nderuar duke përqafuar, jemi të nderuar.

Pasi kemi përshëndetur përzemërsisht (Letra jonë e dt. 24 dhjetor 2022), zgjedhjen Tuaj si Kryepiskop i ri i Justinianës së Re dhe të Gjithë Qipros, në zëvendësim të vëllait  fort të dashur të ndjerë Krisostomit II, me gëzim morëm Letrën Miqësore të Fortlumturisë Suaj të  dashur, përmes së cilës zyrtarisht na lajmërohet zgjedhja Juaj me hirin e Perëndisë si Kryepiskop i Justinianës së Re dhe i Gjithë Qipros.

Sipas traditës kishtare, duke uruar shpirtërisht përsëri me rastin e marrjes së përgjegjësisë historike në Kishën Apostolike të Qipros, drejtojmë lutje të nxehtë më Perëndinë Triadik, që të ruani të pacenuar dhe të pandryshuar besimin e shenjtë të krishterë orthodhoks dhe, duke shfrytëzuar dhuntitë Tuaja të perëndifalura, të udhërrefeni popullin e zgjedhur Orthodhoks të ishullit martirik me mençuri të thellë, dashuri të pashtershme, durim të palëkundur, duke punuar gjithmonë për fuqizimin e unitetit të Kishës Orthodhokse dhe rrezatimin gjerësisht të së vërtetës, dashurisë dhe bukurisë së zbulesës më Krishtin.

Nga thellësia e zemrës lutemi që Zoti Perëndi të fuqizojë të gjithë ne “që të ecni denjësisht për Zotin, për t’i pëlqyer atij në të gjitha, duke sjellë pemë në çdo punë të mirë, dhe duke u rritur në njohjen e Perëndisë; duke u forcuar me çdo lloj fuqie, sipas pushtetit të lavdisë së tij për çdo durim e zemërgjerësi me gëzim; duke falënderuar Atin, i cili na bëri të denjë të kemi pjesë në trashëgiminë e shenjtorëve në dritë” (Kol. 1:10-12).

Me këto, duke përqafuar shenjtërinë Tuaj, mbetemi me nderim të madh dhe dashuri vëllazërore të thellë më Krishtin Jisu “Perëndinë që u shfaq dhe ndriçoi botën”.

Tiranë, më 4 Janar 2023

Fortlumturisë Suaj fort të dashur,
Anastasi i Tiranës,
Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

Urim të nxehtë dhe me përmbajtje thelbësore shpreh Kryepiskopi Anastas edhe në shënimin që shoqëron ikonën e Ngjalljes së Krishtit:

Anastasi,
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

Me rastin të Fronëzimit Tuaj, po ju dërgojmë ikonën e Ngjalljes së Krishtit, dhuratë modeste simbolike, me urimin e nxehtë që fryma kryqngjallësore të frymëzojë dhe përcaktojë baritimin Tuaj kryepiskopal.

Anastasi
4.1.2023

Kryepiskopi i Qipros, Imzot Georgios, duke falënderuar, u shpreh me fjalët më të përzemërta për Kryepiskopin Anastas, duke kujtuar se e ka pasur profesor në Fakultetin Teologjik të Athinës. Ai tha se Kryepiskopi Anastas është personalitet kishtar i mençur dhe i matur dhe theksoi arritjen e mrekullueshme të ringjalljes nga hiri i persekutimit ateist të Kishës Orthodhokse në Shqipëri.