– Ora e parë –

Nga Libri I Profetit – Isaia 35:1-10.

Shkretëtira dhe toka e thatë do të gëzohen, vetmia do të gëzohet dhe do të lulëzojë si trëndafili; do të lulëzojë shumë dhe do të ngazëllojë me hare dhe britma gëzimi. Do t’u jepet lavdia e Libanit, madhështia e Karmelit dhe e Sharonit. Ata do të shohin lavdinë e Zotit, madhështinë e Perëndisë tonë.

Forconi duart e dobësuara, bëjini të qëndrueshëm gjunjët e pasigurt! U thoni atyre që e kanë humbur zemrën: “Bëhuni të fortë, mos kini frikë!”. Ja, Perëndia juaj do të vijë me hakmarrjen dhe me shpërblimin e Perëndisë; do të vijë ai vetë për t’ju shpëtuar.

Atëherë do të hapen sytë e të verbërve dhe veshët e të shurdhëve; atëherë çalamani do të kërcejë si një dre dhe gjuha e memecit do të bërtasë nga gëzimi, sepse do të dalin ujëra në shkretëtirë dhe përrenj në vendin e vetmuar.

Vendi i thatë do të bëhet pellg dhe toka e etur për ujë burim ujërash; në vendet ku shtriheshin çakejtë do të ketë bar me kallamishte dhe xunkth. Aty do të jetë rruga kryesore, një rrugë që do të quhet “rruga e shenjtë”; asnjë i papastër nuk do të kalojë nëpër të; ajo do të jetë vetëm për ata që e ndjekin; edhe mendjeshkurtërit nuk do të mund të humbasin.

Luani nuk do të jetë më, as edhe ndonjë bishë e egër nuk do të dalë aty ose nuk do të duket, por do të ecin të çliruarit. Të shpëtuarit nga Zoti do të kthehen, do të vijnë në Sion me britma gëzimi dhe një hare e përjetshme do të kurorëzojë kokën e tyre; do të kenë gëzim dhe lumturi, dhe dhembja e rënkimi do të ikin.

* * * * *

Apostulli – Veprat e Apostujve 13:25-32.

Edhe Joani, kur po mbaronte udhën e tij, thoshte: Cili pandehni se jam unë? Unë nuk jam ai; po ja tek vjen pas meje ai, të cilit nuk jam i denjë t’i zgjidh sandalet e këmbëve.

O burra vëllezër, bijtë e farës së Abrahamit, edhe sa janë ndër ju që kanë frikë Perëndinë, te ju u dërgua fjala e këtij shpëtimi. Sepse ata që rrinë në Jerusalem dhe të parët e tyre, pasi nuk e njohën këtë, as fjalët e profetëve që lexohen çdo të shtunë, i përmbushën ato, kur e gjykuan, edhe ndonëse s’gjetën asnjë faj për vdekje, kërkuan prej Pilatit që të vritet.

Edhe pasi mbaruan gjithë ato që ishin shkruar për të, e zbritën prej drurit dhe e vunë në varr. Po Perëndia e ngjalli prej së vdekurish. Edhe ai u duk për shumë ditë tek ata që u ngjitën bashkë me të prej Galilesë në Jerusalem, të cilët janë dëshmitarë të tij tek populli.

Edhe ne po ju japim juve lajmin e mirë për premtimin që u qe bërë etërve, se këtë Perëndia e përmbushi te ne bijtë e tyre, duke ngjallur Jisuin.

* * * * *

Ungjilli – Mateu 3:1-6.

Edhe në ato ditë vjen Joan Pagëzori duke predikuar në shkretëtirën e Judesë, e duke thënë: Pendohuni, sepse u afrua mbretëria e qiejve. Sepse ky është ai që u fol nga profeti Isaia që thotë: “Zëri i atij që thërret në shkretëtirë: Bëni gati udhën e Zotit; bëni rrugët e tij të drejta”.

Edhe ky Joani kishte veshjen e tij prej lesh gamileje, edhe brez lëkure rreth mesit të tij; edhe ushqimi i tij ishte: karkaleca dhe mjaltë i egër.

Atëherë dilte jashtë tek ai Jerusalemi edhe gjithë Judea edhe gjithë vendi përqark Jordanit; edhe pagëzoheshin në Jordan nga ai, duke rrëfyer mëkatet e tyre.

* * * * *

– Ora e tretë –

Nga Libri I Profetit – Isaia 1:16-21.

Lahuni, pastrohuni, largoni nga prania ime ligësinë e veprimeve tuaja, mos bëni më keq.

Mësoni të bëni të mirën, kërkoni drejtësinë, ndihmoni të shtypurin, sigurojini drejtësi jetimit, mbroni çështjen e gruas së ve.

Ejani, pra, dhe të diskutojmë bashkë, thotë Zoti, edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe të purpur, do të bëhen si leshi.

Në rast se jeni të gatshëm të bindeni, do të hani gjërat më të mira të vendit; por në rast se refuzoni dhe rebeloheni, do t’ju përpijë shpata”, sepse goja e Zotit ka folur.

Si bëhet që qyteti besnik është shndërruar në një grua immorale? Ishte plot ndershmëri, drejtësia qëndronte në të, por tani aty banojnë vrasësit.

* * * * *

Apostulli – Veprat e Apostujve 19:1-8.

Edhe kur ishte Apolloi në Korint, Pavli, pasi shkoi nëpër anët e sipërme, erdhi në Efes; edhe si gjeti disa nxënës, u tha atyre: A morët Frymë të Shenjtë, kur besuat? Edhe ata i thanë: Por as nuk kemi dëgjuar në ka Frymë të Shenjtë.

Edhe ai u tha atyre: Në se pra u pagëzuat? Edhe ata i thanë: Në pagëzimin e Joanit. Edhe Pavli tha: Joani pagëzoi pagëzim pendimi, duke i thënë popullit t’i besojnë atij që do të vinte pas atij, domethënë Jisu Krishtit.

Edhe ata si dëgjuan, u pagëzuan në emrin e Zotit Jisu. Edhe si vuri Pavli duart mbi ata, erdhi Fryma e Shenjtë mbi ta, dhe flisnin gjuhë e profetizonin. Edhe gjithë këta ishin rreth dymbëdhjetë burra.

Edhe si hyri në sinagogë, u fliste me guxim, duke kuvenduar tre muaj me radhë e duke i bindur për punët e mbretërisë së Perëndisë.

* * * * *

Ungjilli – Marku 1:1-8.

 

Fillimi i ungjillit të Jisu Krishtit, Birit të Perëndisë, siç është shkruar në profetët: “Ja unë tek dërgoj engjëllin tim përpara faqes sate, i cili do të përgatisë udhën tënde përpara teje”. “Zëri i atij që thërret në shkretëtirë: Bëni gati udhën e Zotit, bëni të drejta rrugët e tij”.

Joani ishte duke pagëzuar në shkretëtirë, edhe duke predikuar pagëzim pendimi për ndjesën e mëkateve. Edhe dilnin tek ai gjithë vendi i Judesë dhe jerusalemasit, edhe të gjithë pagëzoheshin nga ai në lumin e Jordanit, duke rrëfyer mëkatet e tyre.

Edhe Joani ishte veshur me lesh gamileje, edhe kishte brez të lëkurtë rreth mesit të tij dhe hante karkaleca e mjaltë të egër. Edhe predikonte, duke thënë: Prapa meje vjen më i forti se unë, të cilit s’jam i zoti të ulem e t’i zgjidh rripin e sandaleve. Unë ju pagëzova me ujë, po ai do t’ju pagëzojë me Frymë të Shenjtë.

* * * * *

– Ora e gjashtë –

Nga Libri I Profetit – Isaia 12:3-6.

Ju do të merrni me gëzim ujin nga burimet e shpëtimit.

Atë ditë do të thoni: “Kremtoni Zotin, thërrisni emrin e tij, i bëni të njohura veprat e tij midis popujve, shpallni që emri i tij është i lartësuar.

Këndojini lavde Zotit, sepse ka bërë gjëra të madhërishme; kjo të dihet mbi gjithë tokën. Bërtit dhe ngazëllohu nga gëzimi, o banore e Sionit, sepse i madh është i Shenjti i Izraelit në mes tuaj”.

* * * * *

Apostulli – Romakëve 6:3-11.

A nuk e dini, se të gjithë sa u pagëzuam në Jisu Krishtin, në vdekjen e tij u pagëzuam? U varrosëm pra bashkë me të me anë të pagëzimit në vdekjen, që, siç u ngjall Krishti prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne të ecim në jetë të re.

Sepse në u bashkëmbollëm me të sipas shëmbëllimit të vdekjes së tij, do të jemi edhe sipas shëmbëllimit të ngjalljes së tij. Duke ditur këtë, se njeriu ynë i vjetër u kryqëzua bashkë me të, që të prishet trupi i mëkatit, që të mos i shërbejmë më mëkatit. Sepse ai që vdiq u çlirua nga mëkati.

Edhe nëse vdiqëm bashkë me Krishtin, besojmë se edhe do të rrojmë bashkë me të. Sepse e dimë se Krishti, që u ngjall prej së vdekurish, nuk vdes më; vdekja nuk e pushton më atë. Sepse ai që vdiq, vdiq një herë për mëkatin; po ai që rron, rron në Perëndinë.

Kështu llogariteni edhe ju veten tuaj, se jeni të vdekur për mëkatin, por të gjallë në Perëndinë, me anë të Jisu Krishtit, Zotit tonë.

* * * * *

Ungjilli – Marku 1:9-11.

Edhe në ato ditë erdhi Jisui nga Nazareti i Galilesë dhe u pagëzua nga Joani në Jordan. Edhe menjëherë, duke dalë nga uji, pa qiejt duke u hapur dhe Frymën e Shenjtë si pëllumb duke zbritur mbi të.

Edhe erdhi një zë nga qiejt: Ti je Biri im i dashur që e kam pëlqyer.

* * * * *

– Ora e nëntë –

Nga Libri I Profetit – Isaia 49:8-15.

Kështu thotë Zoti: “Në kohën e hirit unë ta kam plotësuar dëshirën dhe në ditën e shpëtimit të kam ndihmuar; do të të ruaj dhe do të të bëj aleancën e popullit, për ta ringjallur vendin, për të të shtënë në dorë trashëgimitë e shkatërruara, për t’u thënë robërve: “Dilni”, dhe atyre që janë në terr: “Shfaquni”. Ata do të kullosin gjatë rrugëve dhe në të gjitha lartësitë e braktisura do të kenë kullotat e tyre.

Nuk do të kenë as uri as etje, nuk do të goditen më as nga vapa as nga dielli, sepse ai që ka mëshirë për ta do t’i udhëheqë dhe do t’i çojë te burimet e ujit. Do t’i ndryshoj tërë malet e mia në rrugë, dhe rrugët e mia kryesore do të ngrihen. Ja, këta vijnë nga larg; ja, ata nga veriu dhe nga lindja, dhe ata nga vendi i Sinimit”.

Ngazëlloni, o qiej, gëzohu, o tokë, dhe lëshoni britma gëzimi, o male, sepse Zoti ngushëllon popullin e tij dhe i vjen keq për të pikëlluarit e tij.

Por Sioni ka thënë: “Zoti më ka braktisur, Zoti më ka harruar”. A mundet një grua të harrojë foshnjen e gjirit dhe të mos i vijë keq për fëmijën e barkut të saj? Edhe sikur ato të të harrojnë, unë nuk do të harroj.

* * * *

Apostulli – Titi 2:11-14, 3:4-7.

Sepse u shfaq hiri i Perëndisë që sjell shpëtim në gjithë njerëzit, i cili na mëson të mohojmë pabesinë dhe dëshirat e botës, e të rrojmë me urtësi e me drejtësi e me shprestari në këtë jetë, duke pritur shpresën e lumur dhe shfaqjen e lavdisë së të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht; i cili dha veten e tij për ne, që të na shpërblejë prej çdo paudhësie, edhe të pastrojë për veten e tij një popull të zgjedhur, të zellshëm për punë të mira.

Po kur u shfaq për njerëzit mirësia dhe dashuria e Shpëtimtarit tonë Perëndi, jo prej veprash drejtësie që kryem ne, po sipas përdëllimit të tij na shpëtoi, me anë të larjes së rilindjes, edhe me anë të përtëritjes së Frymës së Shenjtë, që e derdhi me dorë të hapët mbi ne me anë të Jisu Krishtit, Shpëtimtarit tonë; që, pasi të dalim të drejtë me anë të hirit të tij, të bëhemi trashëgimtarë sipas shpresës së jetës së përjetshme.

 

* * * *

Ungjilli – Llukai 3:1-18.

Edhe në të pesëmbëdhjetin vit të mbretërimit të Tiber Cezarit, kur Pont Pilati ishte qeveritar i Judesë, edhe Herodi tetrark i Galilesë, edhe Filipi, vëllai i tij, tetrark i Ituresë dhe i vendit të Trakonitidës, edhe Lisania tetrark i Abilenës, në kohën e kryepriftërinjve Ana e Kaiafa, erdhi fjala e Perëndisë mbi Joanin, të birin e Zaharisë në shkretëtirë.

Edhe ai erdhi në gjithë viset rreth Jordanit, duke predikuar pagëzim pendimi për ndjesën e mëkateve, siç është shkruar në librin e fjalëve të profetit Isaia, që thotë: “Zëri i atij që thërret në shkretëtirë: Bëni gati udhën e Zotit, bëni të drejta rrugët e tij. Çdo luginë e thellë do të mbushet, dhe çdo mal e kodër do të ulet, edhe të shtrembërat do të bëhen të drejta, edhe udhët e ashpra të sheshta; edhe çdo mish do të shohë shpëtimin e Perëndisë”.

U thoshte pra turmave që dilnin për t’u pagëzuar prej tij: Pjellë nepërkash, kush ju tregoi juve të ikni prej zemërimit që ka për të ardhur? Bëni pra fryte të vlefshme për pendim, edhe mos filloni të thoni me veten tuaj: Atë kemi Abrahamin; sepse po ju them juve, se Perëndia mundet prej këtyre gurëve t’i ngrerë djem Abrahamit. Dhe tashmë edhe sëpata gjendet në rrënjët e drurëve; çdo dru pra që nuk bën fryt të mirë, pritet dhe hidhet në zjarr.

Edhe turmat e pyetnin, duke thënë: Ç’të bëjmë pra? Edhe ai u përgjigj e u thotë atyre: Kush ka dy këmisha le t’i japë atij që s’ka; edhe kush ka të ngrëna, po ashtu le të bëjë.

Erdhën edhe tagrambledhës që të pagëzoheshin, edhe i thanë: Mësues, ç’të bëjmë? Edhe ai u thotë atyre: Mos merrni gjë më tepër veç asaj që ju është urdhëruar.

Edhe e pyetnin atë edhe ushtarë, duke thënë: Po ne ç’të bëjmë? Edhe u tha atyre: Mos përfitoni duke shpifur e duke kërcënuar; dhe mjaftohuni me pagat tuaja.

Edhe ndërsa populli ishte duke pritur, dhe të gjithë mendoheshin në zemrat e tyre për Joanin, vallë, mos është ai Krishti, Joani iu përgjigj të gjithëve, duke thënë: Unë ju pagëzoj me ujë; por vjen më i forti se unë, të cilit s’jam i zoti t’i zgjidh rripin e sandaleve të tij; ai do t’ju pagëzojë me Frymë të Shenjtë e me zjarr; ai mban lopatën në dorën e tij dhe do të pastrojë krejt lëmin e tij, edhe do të mbledhë grurin në grunarin e tij, edhe kashtën do ta djegë në zjarr të pashuar.

Edhe duke nxitur popullin me shumë të tjera, i jepte atij lajmin e mirë.

* * * *

-Në Liturgji –

Apostulli – 1Korinthianëve 9:19-27.

Sepse duke qenë i lirë nga të gjitha, e bëra veten shërbëtor të të gjithëve, që të fitoj më të shumtët. Edhe u bëra tek Judenjtë si Jude, që të fitoj Judenjtë; tek ata që janë nën ligj u bëra si nën ligj, që të fitoj ata që janë nën ligj.

Tek ata pa ligj u bëra pa ligj, ndonëse nuk isha pa ligj tek Perëndia, po me ligj në Krishtin, që të fitoj ata pa ligj. Tek të dobëtit u bëra si i dobët, që të fitoj të dobëtit; tek të gjithë u bëra të gjitha, që me çdo mënyrë të shpëtoj disa veta.

Edhe këtë e bëj për ungjillin, që të bëhem bashkëpjesëmarrës i atij.

A nuk e dini se vrapuesit në stadium që të gjithë vrapojnë, po një e merr çmimin; kështu, vraponi që ta merrni. Edhe çdo vrapues e përmban veten nga të gjitha; ata praqë të marrin një kurorë që prishet, kurse ne një kurorë që s’prishet.

Unë pra kështu vrapoj, jo sikur jam në dyshim; kështu luftoj me grusht, jo sikur rrah erën, po mundoj trupin tim dhe e bëj skllav, se mos, pasi t’u kem predikuar të tjerëve, unë hidhem poshtë.

* * * *

Ungjilli – Llukai 3:1-18.

Edhe në të pesëmbëdhjetin vit të mbretërimit të Tiber Cezarit, kur Pont Pilati ishte qeveritar i Judesë, edhe Herodi tetrark i Galilesë, edhe Filipi, vëllai i tij, tetrark i Ituresë dhe i vendit të Trakonitidës, edhe Lisania tetrark i Abilenës, në kohën e kryepriftërinjve Ana e Kaiafa, erdhi fjala e Perëndisë mbi Joanin, të birin e Zaharisë në shkretëtirë.

Edhe ai erdhi në gjithë viset rreth Jordanit, duke predikuar pagëzim pendimi për ndjesën e mëkateve, siç është shkruar në librin e fjalëve të profetit Isaia, që thotë: “Zëri i atij që thërret në shkretëtirë: Bëni gati udhën e Zotit, bëni të drejta rrugët e tij.

Çdo luginë e thellë do të mbushet, dhe çdo mal e kodër do të ulet, edhe të shtrembërat do të bëhen të drejta, edhe udhët e ashpra të sheshta; edhe çdo mish do të shohë shpëtimin e Perëndisë”.

U thoshte pra turmave që dilnin për t’u pagëzuar prej tij: Pjellë nepërkash, kush ju tregoi juve të ikni prej zemërimit që ka për të ardhur?

Bëni pra fryte të vlefshme për pendim, edhe mos filloni të thoni me veten tuaj: Atë kemi Abrahamin; sepse po ju them juve, se Perëndia mundet prej këtyre gurëve t’i ngrerë djem Abrahamit. Dhe tashmë edhe sëpata gjendet në rrënjët e drurëve; çdo dru pra që nuk bën fryt të mirë, pritet dhe hidhet në zjarr.

Edhe turmat e pyetnin, duke thënë: Ç’të bëjmë pra? Edhe ai u përgjigj e u thotë atyre: Kush ka dy këmisha le t’i japë atij që s’ka; edhe kush ka të ngrëna, po ashtu le të bëjë.

Erdhën edhe tagrambledhës që të pagëzoheshin, edhe i thanë: Mësues, ç’të bëjmë? Edhe ai u thotë atyre: Mos merrni gjë më tepër veç asaj që ju është urdhëruar.

Edhe e pyetnin atë edhe ushtarë, duke thënë: Po ne ç’të bëjmë? Edhe u tha atyre: Mos përfitoni duke shpifur e duke kërcënuar; dhe mjaftohuni me pagat tuaja.

Edhe ndërsa populli ishte duke pritur, dhe të gjithë mendoheshin në zemrat e tyre për Joanin, vallë, mos është ai Krishti, Joani iu përgjigj të gjithëve, duke thënë: Unë ju pagëzoj me ujë; por vjen më i forti se unë, të cilit s’jam i zoti t’i zgjidh rripin e sandaleve të tij; ai do t’ju pagëzojë me Frymë të Shenjtë e me zjarr; ai mban lopatën në dorën e tij dhe do të pastrojë krejt lëmin e tij, edhe do të mbledhë grurin në grunarin e tij, edhe kashtën do ta djegë në zjarr të pashuar.

Edhe duke nxitur popullin me shumë të tjera, i jepte atij lajmin e mirë.