Kremtimi i Krishtlindjes në Tiranë.

 

Sot, 25 Dhjetor 2022, festojmë të kremten e tërëndritshme të Krishtlindjes. Krishti erdhi në botë që të sjellë njeriun pranë Perëndisë, për të restauruar ikonën e shformuar nga mëkati.

Në Shkrimin e Shenjtë thuhet: Jisui vjen të lindet “për të shkatërruar punët e djallit” (I Jn. 3:8). Apostull Pavli shpall se: “Jisu Krishti erdhi në botë që të shpëtojë mëkatarët, dhe i pari midis tyre jam unë” (I Tim. 1:15).

Erdhi që të thotë të vërtetën “Unë prandaj linda dhe prandaj erdha në botë, që të shfaq të vërtetën” (Joani 18:37). “Unë erdha në botë si drita, kështu që cilido beson tek unë të mos mbetet në errësirë” (Joani 12:46). Dhe për të shpëtuar ata që kanë humbur rrugën e tyre” (Jn. 19:10). Apostull Pavli do të na e rikujtojë në apostullin e së kremtes së Krishtlindjeve: “Kur erdhi ora, që kishte caktuar Perëndia, dërgoi Birin e Tij. Lindi nga një grua dhe iu nënshtrua ligjit që të çlirojë skllevërit e ligjit që të bëhemi bij të Perëndisë. (Gal. 4:4-5).

Në këtë të kremte të shënuar, kishat e Kryepiskopatës e të Mitropolive u mbushën plot nga besimtarët dhe Liturgjia Hyjnore u krye me madhështinë dhe përulësinë e kësaj ditë të shenjtë.

Në Tiranë, Liturgjia panegjirike u krye nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, në bashkëmeshim me Mitropolitin e Amantias Nathanailin, Episkopin e Bylisit Astin dhe klerikë të kryeqytetit.

Mesazhi i Fortlumturisë së Tij, që u lexua në përfundim të Liturgjisë, ndër të tjera theksonte: “Dëshira e zjarrtë për paqe së fundmi është kthyer në dhimbje të përditshme, klithmë dhe përgjërim për qindra mijëra njerëz. Për shkak të luftës së papranueshme katastrofike Rusi-Ukrainë, mbizotëron një hidhërim i pamasë. Në të njëjtën kohë, konflikte të armatosura ka në Siri, në Jemen dhe, përgjithësisht, në Azi e në Afrikë, dhe sulmet terroriste janë të shpeshta në qendrat e mëdha urbane perëndimore. Botën vazhdojnë ta mundojnë edhe luftërat e një lloji tjetër, ato ekonomike, diplomatike, ideologjike. Dhuna dhe arbitrariteti nuk kursyen së përdhosuri as vendet e shenjta. Për interesat e fuqive të ndryshme, keqinformimi përdoret si armë luftarake për të nënshtruar mendimin dhe ndërgjegjen e shumë njerëzve.

E kremtja e Krishtlindjes thekson jo vetëm kërkesën dhe dëshirën për paqe, por tregon edhe mënyrën se si mund të arrihet ajo…”

 


Foto Album:

 

Kremtimi i Krishtlindjes në Mitropolitë.