E Diela Para Krishtlindjeve, Besimi i Paraetërve të Krishtit fuqi e mrekullueshme, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 18.12.2022 (Tekst)

“Këta të gjithë, ndonëse morën dëshmi të mirë me anë të besimit, nuk morën premtimin…” (v.39)

E diela e sotme quhet “E diela para Krishtlindjeve”. I është kushtuar gjithë atyre që i shërbyen, nga Adami deri tek vlesori Josif dhe Hyjlindësja e Tërëshenjtë, misterit të Ekonomisë Hyjnore. Të gjithë ata ishin paraetërit e Jisu Krishtit, sipas mishit, dhe me besën e tyre të qëndrueshme dhe të plotë, u bënë vegla të Perëndisë dhe parapërgatitën njerëzit për ardhjen e Krishtit në botë. Besimin e paraetërve të Jisu Krishtit përhimnon në pjesën e sotme të apostullit shën Pavli, emrat e të cilëve përmend ungjillor Mateu.

* * *

Besimi nuk është vetëm mjeti i lidhjes së njeriut me Perëndinë. Nuk është thjesht dhe vetëm fuqia, që mban të lidhur njeriun me Perëndinë. Është gjithashtu edhe mjeti me të cilin i pëlqen dikush Perëndisë. Besa e Abrahamit ishte e plotë. Mendimet e tij, ndjenjat e zemrës së tij dhe gjithë ato që mund të mendojë, të dëshirojë dhe të bëjë njeriu, të gjitha, për Abrahamin, janë besim tek fjala e Perëndisë. Pjesa e sotme e apostullit na rendit heronj dhe shenjtorë të Dhiatës së Vjetër, zemra e të cilëve përvëlohej nga besa e nxehtë tek Perëndia. Prandaj dhe ua dolën mbanë arritjeve të jashtëzakonshme.

Moisiu, Jisui i Naviut, Gjyqtarët dhe prijës të tjerë të Izraelit, mposhtën “mbretër të fuqishëm”. Samsoni dhe Danieli “mbyllën gojë luanësh”. Tre Djemtë shndërruan në freski zjarrin e kaminës. Ngjallën të vdekur, ashtu si profeti Ilia. Dhe më e mrekullueshmja, “punuan drejtësi”, domethënë dhanë si fryte vepra dashurie dhe shenjtërie, duke luftuar me njëmijë e një pengesa.

Por, njëkohësisht, kjo periudhë e pritjes së Çlirimtarit, ishte për të Drejtët e Dhiatës së Vjetër edhe periudhë sprovash dhe pikëllimesh. Pikërisht këtë na thotë në vazhdim apostulli i sotëm. Besimi i të Drejtëve, u farkëtua mbi kudhrën e dhimbjes dhe të përndjekjeve. Shumë nga ata u martirizuan me mjete të tmerrshme torturuese. Disa pranuan flakët e talljes, goditjet me kamxhik dhe me gurë. Të tjerë u mbyllën në burgje, u sharruan.

Dhe të gjitha këto i duronin me qëndrueshmëri, guxim dhe heroizëm të paparë për epokën e tyre, sepse besonin në premtimet e Perëndisë së vërtetë dhe në vërtetimet e profetëve. Me besën, themeluan mallin e tyre për Mesian. Me sprovat e tyre, fortifikuan jetën e tyre. Dhe konkluzioni i gjithë këtyre, gëzimi i Çlirimit.

Dhe çka ndodhi me të Drejtët e periudhës para Krishtit, u vazhdua akoma më shumë mbas ardhjes së Krishtit, në shekujt e Dhiatës së Re. Besa mbushi horizontin e Kishës me retë e Martirëve, të Pohuesve, të Shenjtorëve, të të Drejtëve. Përballuan edhe ata sprova dhe përndjekje të ashpra. Luftuan që të arrijnë majat e virtytit. Ia arritën, sepse u mbështetën në gurin më të sigurt, tek Zoti Jisu Krisht; gjë për të cilën, duke paralajmëruar psalmisti, thërriste: “I çuditshëm është Perëndia ndër shenjtorët e Tij” (Psalm 67:35).

Sprovat e njerëzve të zgjedhur të Perëndisë, nuk duhet të na skandalizojnë. Sepse i lejon Perëndia për përsosjen e tyre, për çështjen e besës dhe të virtytit të tyre. Por, njëkohësisht, u jep qëndrueshëmri, durim të madh, fuqi hyjnore, që të mposhtin pikëllimet e tyre dhe të bëhen të denjë për jetën dhe lavdinë e përjetshme.

Mos vallë Biri i Perëndisë, i pamëkatshmi, nuk vuajti kaq shumë, menjëherë pas Lindjes së Tij, apo edhe përgjatë jetës së Tij? Pra, mos të skandalizohemi për sprovat tona. Por le të mbështetemi në urdhrin e Perëndisë, që nuk i braktis kurrë të tijtë.

* * *

Nëse na priten gjunjët në rrugën e përsosmërisë sonë; nëse shpirtit tonë i merret fryma shpejtë, në përpjekjen që bëjmë për t’iu ngjitur majës së virtyteve; nëse mendimet tona shpeshherë largohen nga porositë e Krishtit, si gjethet e vjeshtës që i rrëzon era më e lehtë;

nëse premtimet e papërshkruara të Perëndisë -ndaj atij që është me të vërtetë i Tiji- nuk i shikojmë të përmbushen edhe tek ne; nëse kaq pak, kaq varfërisht, jemi të krishterë, kjo ka një shkak kryesor: Nuk besojmë sa duhet, jemi të varfër në besë.

Besa jonë nuk është e pastër, e plotë, e nxehtë. Janë përzierë me atë dëshirat e përbotshme, e kanë gjymtuar mendimet materialiste, e ftohin përkujdesjet e dheshme. “Të gjitha janë të mundura për atë që beson” (Mark. 9:23), lajmëron Krishti. Asnjë pengesë, asnjë vështirësi, asnjë tundim, asnjë kusht i vështirë, nuk mund të ndalojnë, të prapësojnë, të nxjerrin nga rruga atë bir të Perëndisë, që ka peshën e besës brenda tij dhe asgjë në botë nuk mund të privojë një njeri të tillë nga dhuratat, që Perëndia i ka derdhur të bollshme mbi të.

* * *

Ç ’duhet të bëjmë pra që ta mbushim arkën e shpirtit tonë me besë? Çfarë nevojitet të bëjmë, që shkëndija e saj, e cila është akoma e nxehtë, nën hirin e pakujdesisë sonë, të bëhet flakë e madhe? T’i lutemi me dërrmim dhe mall dhënësit të saj. Të përsërisim me ndjenjë, me dhimbje, me lëndim shpirtëror, ato fjalë të pazakonta, e për më tepër shumë të vërteta, që ia drejtoi Jisuit, babai i të demonizuarit: “Besoj o Zot. Ndihmomë në pabesinë time!” (Mark. 9:24). Dhe atë kërkesë të nxënësve të Tij, që e përmendin gjithashtu Ungjijtë: “Zot shtona besimin!” (Luk. 17:5).

Sepse edhe besa është dhuratë e Perëndisë. Dhe, që ta përvetësojmë, nuk nevojitet asgjë tjetër, përveçse të ndjejmë thellësisht nevojën e saj, ta ofrojmë tërësisht zemrën tonë ndaj Zotit, që të mbushet me besë.

Do të na ndodhë, në mënyrë analoge, çfarë ndodhi edhe me heronjtë e besës, ndër shekuj. Do të na fuqizojë besimi ynë, në mënyrë që të përballojmë luanët e tundimeve, “furrat e vështirësive” dhe gjithçka tjetër që do tregohet pengesë në jetën shpirtërore. Do të mënjanohet çdo gjë që do kërkojë të na bëjë të ulim flamurin e së vërtetës së hirshme dhe të mohojmë Perëndinë.

* * *

Paraetërit e Mesias, megjithëse i pëlqyen Perëndisë, “nuk morën premtimin” (v.39), nuk morën shpërblimin e tyre të plotë. Akoma nuk morën kurorën e lavdisë. Por parashijojnë nderin. Sepse kështu i rregulloi punët Perëndia, ta shijojnë mbas Ardhjes së Dytë të Zotit. Atëherë, gjithë besimtarët, para Krishtit dhe pas Krishtit, do të hyjnë në Mbretërinë e Tij, që nuk do të ketë mbarim.

Dhe kjo është më e sakta. Kisha e Perëndisë, para Krishtit dhe pas Krishtit, si një trup shpirtëror, të shijojë së bashku të mirat e paçmueshme të Mbretërisë së Perëndisë. Por këto të mira duhet t’i kujtojmë shpesh dhe t’i presim me nostalgji. Dhe shembulli i virtytshëm i stëratërve të shenjtë, le të na nxisë në të. Besa e Abrahamit, virtyti i Davidit, vetëmohimi dhe virtyti i Danielit dhe i tre djemve, madje dhe bindja dhe gatishmëria e Josifit të drejtë dhe mbrojtësit të së Tërëshenjtës, le të na ndihmojnë të bëhemi shërbëtorë të denjë të Perëndisë.

 

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Tani që afrohen Krishtlindjet, virtytet e stëratërve të shenjtë na nevojiten dhe ne. Duhet, pra, të përpiqemi t’i përvetësojmë. Kjo përpjekje sigurisht është dhe një mënyrë shumë thelbësore pjesëmarrjeje në kremtimin e Lindjes së Krishtit tonë. T’ia ofrojmë si dhurata ditëlindjeje. Me virtyte të tilla le të përgatisim Betlehemin e shpirtit tonë, që të lindet dhe në të Emanueli. Të jetë gjithmonë me ne dhe këtu dhe në Mbretërinë e Tij. U bëftë.