Vizitë e Kryeministrit të Greqisë në Kishën tonë.
I ndodhur në Tiranë në kuadrin e Samitit BE – Ballkani Perëndimor, por edhe për bashkëpunim dhe bisedime zyrtare dypalëshe, Kryeministri i Greqisë, z. Kyriakos Mitsotakis, të martën 6 dhjetor 2022, bëri një takim me Kryepiskopin Anastas.
Ai shoqërohej nga Ministri i Jashtëm, z. Nikolaos Dendias dhe një delegacion i zgjeruar. Gjatë takimit nga ana e vizitorit të nderuar u shpreh respekti i thellë për personin e Primatit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe përgëzime për veprën e rëndësishme dhe origjinale që për më se tre dekada realizohet për ringritjen e Kishës lokale dhe mbështetjen në përparimin e shoqërisë. Ai shprehu veçanërisht falënderim për Kryepiskopin për rolin e tij përafrues mes dy vendeve dhe popujve.
Kryepiskopi Anastas – në një ditë kaq të rëndësishme – stacion në perspektivën integruese të rajonit të Ballkanit, theksoi përkushtimin e qëndrueshëm të Kishës sonë në këtë orientim të vendit dhe
posaçërisht në dhjetëvjeçarit e viteve ’90, kur ishte e nevojshme të konsolidohej ideja se Shqipëria nuk është një shtojcë e Evropës, por është në epiqendër të saj.
Në mënyrë simbolike dhe në përmbledhje të atmosferës ngjallësore të cilën përjeton Komuniteti ynë Orthodhoks pas persekutimeve shumëvjeçare ateiste, Kryeministrit të Greqisë iu dhurua një ikonë e Ngjalljes së Krishtit.
I shoqëruar nga Kryepiskopi Anastas , Kryeministri i Greqisë vizitoi Kishën Katedrale “Ngjallja e Krishtit”, ku mësoi si për karakteristikat e saj arkitektonike dhe interierin e pasur, rolin që ka marrë në jetën adhuruese të Kishës, por edhe për faktin se katedralja tanimë është një element i spikatur kulturor për kryeqytetin.