– Apostulli – 1 Timotheut 5:22-6:11.
Mos vër duar shpejt mbi asnjeri, as mos u bëj pjesëtar në mëkate të huaja; ruaj veten tënde të pastër. Mos pi më ujë, po përdor pakëz verë për stomakun tënd e për sëmundjet e tua të shpeshta.
Disa njerëzve mëkatet u duken sheshit edhe shkojnë përpara atyre në gjyq; po disa të tjerëve u shkojnë prapa. Gjithashtu edhe punët e mira janë të dukshme; edhe ato që janë ndryshe nuk mund të fshihen.
Sa janë robër nën zgjedhë, le t’i quajnë zotërinjtë e tyre të denjë për çdo nderim, që të mos blasfemohet emri dhe mësimi i Perëndisë. Edhe ata që kanë zotërinj besimtarë, le të mos i përçmojnë, sepse janë vëllezër; po më shumë le të punojnë për ta, sepse janë besimtarë dhe të dashur ata që shohin dobi nga puna e tyre e mirë. Këto mëso edhe këshillo.
Edhe nëse jep ndonjëri mësime të tjera edhe nuk shkon pas fjalëve të shëndosha të Zotit tonë Jisu Krisht, edhe pas mësimit që është sipas besimit të mirë, ky është mendjemadh dhe nuk di asgjë, por vuan nga sëmundje grindjesh e ngrëniesh me fjalë, prej të cilave del smirë, përçarje, sharje, mendime të liga, fjalime të kota njerëzish të prishur nga mendja, edhe të zhveshur nga e vërteta, sepse pandehin se besimi i mirë është për fitim. Largohu nga të tillët. Po besimi i mirë me vetmjaftim është fitim i madh.
Sepse asgjë s’kemi prurë në botë dhe është e qartë se edhe të nxjerrim gjë nuk mundim. Po kur kemi ushqime e mbulesa, le të na mjaftojnë këto. Dhe ata që duan të bëhen të pasur, bien në ngasje dhe në lak, edhe në shumë dëshirime të marra e të dëmshme, të cilat i kredhin njerëzit në shkatërrim e në humbje. Sepse rrënja e gjithë të ligave është argjenddashja, të cilën disa duke e dëshiruar u larguan nga besimi, edhe e lënduan veten e tyre me dhimbje të shumta.
Po ti, o njeriu i Perëndisë, hiq dorë nga këto; edhe ndiq drejtësi, shpresëtari, besim, dashuri, durim, butësi.