E Diela XI e Llukait , Vdekja Jetëbërëse, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 11.12.2022 (Tekst)

“Bëni pra të vdekura pjesët e trupit tuaj që janë mbi dhé, imoralitetin, ndyrësinë morale, epshin, lakminë e keqe” (v. 5).

 

Kur njeriu dëgjon të bëhet fjalë për vrasje dhe vdekje, ndien një lloj pakënaqësie. Disa pushtohen nga pikëllimi dhe frika, dhe nuk duan të dëgjojnë aspak për të vdekur dhe vdekje. Kjo gjë ka, sigurisht, shpjegimin e saj psikologjik, sepse njeriu u gatua me mundësinë dhe dëshirën për tu bërë dhe për të mbetur i pavdekshëm; të mos njohë vdekje dhe prishje. Por mëkati solli, si një nga pasojat e tij të hidhura, dhe vdekjen. Megjithatë, edhe në hapësirën kohore, që jetojmë mbi tokë, ekziston një vdekje e bekuar, një vdekje që është jetë e lumtur. Është vdekja e dobësive dhe e pasioneve, e vrullit dhe prirjes drejt mëkatit. Është çlirimi nga prangat dhe hovi i trupit dhe zemrës drejt të keqes. Këtë çlirim, këtë jetë të lirisë dhe të gëzimit, nënkupton apostull Pavli, kur shkruan: “Bëni të vdekura pjesët e trupit tuaj që janë mbi dhé”.

* * *

Por, çfarë do të thotë Apostulli, me:“pjesët e trupit që janë mbi dhé”? Do të thotë, pikërisht, njeriun e vjetër, veten tonë mëkatare, e cila përdor për të keqen, trupin dhe pjesët e tij. Përdor sytë, për të parë imazhe skandalizuese dhe pamje mëkatare; veshët, për të dëgjuar dinakëri dhe përgojime; zemrën, për të dëshiruar pandershmërinë; shqisat e tjera, për të punuar në kënaqësira mëkatare. Dhe, Apostulli i shenjtë, nuk thotë luftoni “pjesët e trupit që janë mbi dhé”, apo hidhini poshtë, por “bëni të vdekura”! Përderisa thotë, nëpërmjet pagëzimit të shenjtë, vdiqët për njeriun e vjetër, keni veshur Krishtin dhe jeni ngjallur si njerëz të rinj, në një jetë të re, duhet që i gjithë njeriu i vjetër, me dëshirat e tij, me veprat e tij të këqija, njeriu i ndërthurur dhe vaditur me pasionet e mëkatit, të shuhet, të vdesë plotësisht. Këtë kuptim ka edhe pagëzimi i krishterë. Tri zhytjet në ujë dhe tri daljet nga uji, janë figura të varrimit të triditshëm dhe ngjalljes së triditshme të Krishtit, domethënë kalim nga vdekja në jetë. Këtë tregon edhe himni i shën Joan Damaskinoit: “Krishti, me Ngjalljen e Tij, na shpuri nga vdekja -që është fryt i mëkatit- në jetën ngjallësore të shenjtërisë, dhe në vazhdim në jetën e përjetshme të lumturisë”. Kjo është vdekja jetëbërëse.

* * *

“Keni besën. Fituat edhe virtytin. Dikur, kur ishit idhujtarë -u thotë kolosianëve të asaj epoke, Apostulli; – atëherë, para se ta njihnit mirë Krishtin dhe ta ndiqnit me besë të nxehtë dhe pendim -thotë tek te gjithë ne sot Pavli- ishit të pabindur, dhe veprat tuaja ishin vepra të pabindjes, të hidhura, mëkatare, të papastra, vepra fajtore dhe të neveritshme. Gjëra të tilla paraqiste jeta juaj. Dhe këto vepra janë ato që shkaktojnë zemërimin e Perëndisë ndaj bijve të pabindjes. Por tani, jeni të gjithë të krishterë. E pastruat shpirtin tuaj nga çdo dëshirë e keqe, e cila është shkarpë për të ndezur mëkatin. U çliruat nga çdo pasion dhe ndotje. Bëtë të vdekura pjesët e trupit tuaj, që dëshirojnë dhe kërkojnë dëfrimet dhe kënaqësitë e liga, në mënyrë që të mos bëhen mjete të pasioneve të këqija dhe të patregueshme. Tani që jeni të krishterë dhe prisni jetën e ardhshme, të lavdishme dhe të lumur, nxirrni dhe hidhni nga vetja juaj, si një rrobë të papastër, çdo pasion, çdo gjë të keqe dhe faj.

* * *

Shpëtimi më Krishtin është një e mirë e paçmueshme dhe vlera e saj e pallogaritshme. Dhe kjo nuk arrihet me masa gjysmake, por me masa rrënjësore dhe të plota, me vendime burrërore dhe luftëra heroike. Dhe apostull Pavli përmend disa nga pasionet dhe mëkatet, ndaj të cilave duhet të bëhet luftë shpirtërore. Ato janë imoraliteti dhe ndyrësia morale, çdo pasion mëkatar dhe çdo dëshirë e ligë, dhe veçanërisht lakmia, e cila është idhujtari dhe të zhyt në gjithë mjerimet dhe shëmtitë e jetës idhujtare. Për më tepër, duhet të hidhni poshtë, të zhvishni, pasionet mëkatare, siç është për shembull zemërimi i padrejtë, inati i një egoje të tepruar, keqdashja dhe ligësia, blasfemia dhe ndyrësia, që nuk duhet të ndosin kurrë trupin tonë, ashtu siç ndot gjithashtu edhe gënjeshtra.

* * *

Njeriu i vjetër quhet fëmija i Adamit të vjetër, i rënies. Adami i ri është Krishti. Pra, njeriu i ri është njeriu i Krishtit. “Krishti është jeta jonë” (v. 4). Jetë të re solli Krishti. Jeta e mëkatit u zëvendësua nga jeta e shenjtërisë. Por, si do të zhvishemi nga njeriu i vjetër, dhe do të veshim të riun? Ekziston një Lavanderi dhe është pranë nesh. Është Rrëfimi tek ati shpirtëror. Vrapo, o njeri, dhe trego, pa ndrojtje, gjithë veten tënde mëkatare, gjithë mëkatet e tua. Me pendimin e sinqertë, rrëfimin e pastër dhe me shpirt të dërrmuar, shpëtimi do të jetë një kapërcim nga vdekja e mëkatit, në jetën e Krishtit dhe të pendimit. Sado i zi të jetë shpirti yt, zbardhet. Lahet në Gjakun e Qengjit të therur. Bëhet njeri i ri. “Gjaku i Jisu Krishtit na pastron nga çdo mëkat” (I Joani 1:7).

Ndriçimi hyjnor i të vërtetave të Ungjillit tonë, shkëlqen mendjen, dhe Hiri hyjnor, i Pagëzimit dhe Mistereve të tjera të shenjta, fal mëkatet dhe na çliron nga faji. Është një dhuratë e madhe e Perëndisë dhe një thesar i çmueshëm. Por thesaret vihen në rrezik. Djalli pret rastin e volitshëm dhe përpiqet që, dritën e vërtetë të Hirit, ta shuajë me erën e mëkatit. Prandaj, nevojitet vëmendje dhe vigjilencë e vazhdueshme për të ruajtur dhe shtuar hirin. Të mirat janë të vështira për tu fituar; por edhe më të vështira për tu ruajtur. Stolinë e Pagëzimit të Shenjtë që veshëm, duhet ta ruajmë të panjollosur. Prandaj dhe kleriku i kishës, si përfaqësues i besimtarëve që luten, thërret: “Përkrahna, shpëtona, mëshirona dhe ruajna o Perëndi me hirin tënd”.

Përpjekja dhe lufta e të krishterit nuk ndërpritet, është e vazhdueshme, zgjat sa jeta e tij. Kjo luftë e tij, e mbron, me hirin e Perëndisë, dhe e ruan nga rënie të reja. Luftë për një mohim dhe vdekje të përditshëm të pasioneve. Nëse biem në këtë luftë të përditshme, nuk do të zhgënjehemi. Përsëri në lavanderinë e rrëfimit, dhe përsëri vendime për një jetë të re. Inkurajimi i uratës së Kishës është: “sa herë të biesh, ngrihu dhe do të shpëtosh”.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin! Me të vërtetë, sa për tu pasur zili dhe i mrekullueshëm, sa i dashur nga Perëndia dhe njerëzit, bëhet i krishteri, kur, me ndriçimin dhe hirin e Perëndisë, bën të vdekur njeriun e vjetër, të prishjes dhe të mëkatit, dhe vesh njeriun e ri, “që përtërihet në njohje sipas shëmbëllesës së atij që e ka krijuar”! Bëhet dhe është mrekullia e gjallë e mirësisë së Perëndisë, shembulli i ndritshëm për të gjithë. Amin.