E Diela X e Llukait, Maska e Hipokrizisë, nga Mitropoliti i Apollonisë & Fierit, H. Nikolla, 04.12.2022 (Tekst)

 

Në disa ngjarje të jetës sonë, të cilat Zoti i lejon të ndodhin, kuptojmë që kemi veshur në fytyrën tonë një maskë. Kemi veshur maskën e hipokrizisë, ashtu si ndodhi në pjesën e ungjillit të sotëm, kur Zoti zbulon maskën e hipokrizisë së kryetarit të Sinagogës.

Çfarë na tregohet në pjesën e ungjillit?! Tregohet që Zoti ishte në Sinagogë, ishte e shtunë dhe Ai po mësonte popullin. Atje ishte një grua, e cila ishte e kërrusur, kishte 18 vjet që vuante nga ajo lëngatë. Zoti e pa, e thirri t’i vinte pranë dhe i thotë: ”Bijë je e shëruar nga lëngata jote”. Vë dorën mbi atë dhe ajo menjëherë drejtohet dhe lavdëron Perëndinë.

Ndërsa kryetari i Sinagogës, kur pa mrekullinë që bëri Zoti, ditën e shtunë, idrejtohet popullit dhe i thotë: ”Janë gjashtë ditë që mund të punoni, ejani në ato ditë! Përse vini ditën e shtatë të shëroheni?!”

Zoti i thotë: ”Hipokrit, ti që çdo të shtunë zgjidh kafshën tënde dhe e çonë të pijë ujë, a nuk duhej që të zgjidhej dhe kjo që është bijë e Abrahamit, nga kjo sëmundje që djalli ka 18 vjet që e mbanë të lidhur?!”

U turpërua ai, u turpëruan të gjithë kundështarët e Zotit, ndërsa populli i thjeshtë lavdëronte për veprën që bënte Krishti.

Pra, Zoti zbuloi hipokrizinë e kryetarit të Sinagogës, ashtu si qorton mësuesit dhe farisenjtë për hipokrizinë e tyre. Kemi dëgjuar në pjesë të tjera të ungjillit kur thotë Zoti:

”mjerë ju farisenj dhe skribë hipokritë”.

Për të na treguar Zoti, që është një rrezik i madh, që kjo maskë e hipokrizisë të vendoset edhe në fytyrën tonë, ne që jemi klerikë, katekistë, teologë, të krishterë, ka shumë rrezik që ta veshim ketë maskë të hipokrizisë. Që të tjera flasim edhe të tjera bëjmë, që të tjera mësojmë e të tjera jetojmë.

Mendojmë se jemë të krishterë, por në fakt kur vijnë ato momentet e vështira të jetës sonë, shikojmë që nuk jemi gati të falim tjetrin, që kemi zili të madhe, që nuk jemi gati të duam tjetrin. Ne nuk jemi gati të të bashjëpunojmë, ne nuk jemi gati të dhurojmë dhe të ndihmojmë ata, që janë në nevojë, pavarsisht se me fjalë pranojmë që jemi të krishterë.

Ёshtë një rrezik i madh, që të mos e kuptojmë, që e kemi këtë maskë të hipokrizisë. Shpesh herë jeta jonë është e mbushur me shumë angazhime, me punë, me shumë aktivitete, me shumë gjëra të ndryshme dhe ne harrojmë të shikojmë këtë maskë.

Çdo mëngjes shkojmë në pasqyrë të lajmë fytyrën, ndërkohë kemi shumë gjëra në mendjen tonë dhe harrojmë të shikojmë në pasqyrë si është fytyra jonë.

Ka rrezik që ne të mos e shikojmë këtë maskë të hipokrizisë në ftyrën tonë, sepse ne kemi thyer pasqyrën në të cilën duhet të shikohemi, kemi thyer pasqyrën e Krishtit.

Në të vërtetë, sa e shohim vete tonë në pasqyrën e Krishtit?! A e kemi këtë pasqyrë?! Ndoshta disa nga ne nuk kanë këtë pasqyrë, ndoshta disa të tjerë e kanë thyer këtë pasqyrë dhe nuk e përballin asnjëherë veten e tyre dhe te thonë:”Si jam, çfarë do Krishti nga unë?!” E harrojmë si jemi dhe vazhdojmë jetën tonë me maskën e hipokrizisë të veshur dhe nuk e kuptojmë.

Etërit thonë:”Nëse duam me të vërtetë, që të arrijmë shenjtërinë, të kuptojmë si është vetja jonë dhe të bëjmë përpjekjen tonë për ta pastruar dhe për ta shenjtëruar, për ta hequr atë maskën e hipokrizisë duhet të bëjmë diçka të përditshme, duhet të paktën 1 minutë në ditë të qëndrojmë para pasqyrës, 5 minuta të qëndrojmë përballë vetes sonë edhe 10 minuta të qëndrojmë përpara Perëndisë”!

Ёshtë e vështirë, që ta heqim këtë maskë të hipokrizisë, është e vështirë të jetosh pa atë. Jetojmë ne një shoqëri, ku shumë njerëz e mbajnë të veshur këtë maskë, është një sëmundje, që ka kapur thellë shoqërinë tonë edhe nëse e heqim ne këtë maskë, do të dukemi në sytë e të tjerëve, si jashtëtoksorë.

Ёshtë e vështirë ta heqim këtë maskë, por ja vlen, gjërat e vështira që ja vlejnë. Le të vendosim veten tonë në pasqyrën e Krishtit. Dhe nëse kemi maskën, le të lutemi që të na ndihmojë ta heqim!

Amin!