– Apostulli – 2 Thesalonikasve 3:6-18
Edhe ju porositim ju, o vëllezër, në emër të Zotit tonë Jisu Krisht, të largoheni nga çdo vëlla që ecën i çrregullt, e jo sipas porosisë që mori prej nesh.
Sepse ju e dini se si duhet të na shëmbëlleni; sepse nuk u sollëm si të çrregullt ndër ju, as hëngrëm bukë falas prej ndonjërit, por me lodhje e me mundim, duke punuar natë e ditë, që të mos i bëheshim barrë ndonjërit prej jush; jo se s’kemi pushtet, po që t’ju japim juve veten tonë si shembull, që të bëni siç bëjmë ne.
Sepse edhe kur ishim tek ju këtë ju porositnim, se nëse nuk do ndonjëri të punojë, as të mos hajë. Sepse dëgjojmë se disa ndër ju ecin të çrregullt, edhe se s’punojnë fare, po sillen andej e këtej pa ndonjë punë, duke u marrë me punët e të tjerëve. Të këtillët i porositim e i nxisim me anë të Zotit tonë Jisu Krisht, që, duke punuar me qetësi, të hanë bukën e tyre. Por ju, o vëllezër, mos u lodhni duke bërë mirë. Edhe në qoftë se ndonjë nuk i bindet fjalës sonë me anë të kësaj letre, shënojeni atë; edhe mos u shoqëroni me atë, që të turpërohet. Po mos e shikoni atë si armik, por këshillojeni si vëlla.
Edhe vetë Zoti i paqes ju dhëntë juve paqen kurdoherë me çdo mënyrë. Zoti qoftë me ju të gjithë. Përshëndetja u shkrua me dorën time, të Pavlit, që është shenjë në çdo letër; kështu shkruaj. Hiri i Zotit tonë Jisu Krisht qoftë bashkë me ju të gjithë. Amin.