E Diela XIII e Lukait, Hallka e Artë, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 27.11.2022 (Tekst)

“Krishti është paqja jonë” (v.14)

Është një zë panigjirik dhe një trumbetim i ngazëllueshëm ajo që shkruan sot apostulli i madh i kombeve, shën Pavli. Shpall me ndjenja ngazëllimi se Zoti Jisu Krisht, Kreu i Kishës, ishte Ai që u bë krijuesi dhe bartësi i paqes midis njerëzve; i Cili bashkoi humnerën midis fiseve dhe popujve, dhe zhduku armiqësinë që ndante njerëzit. Tema, siç kuptohet, është shumë e rëndësishme sepse i referohet paqes, e cila është hallka e artë në lidhjet tona me Perëndinë, me veten tonë dhe me të afërmin, dhe të cilën duhet ta dëgjojmë me vëmendje të veçantë.

“Krishti është paqja jonë”.

Malli për paqen, bën fole në thellësitë e shpirtit të njerëzve. Dhe kërkojnë me mënyra të shumta dhe të ndryshme të arrijnë të jetojnë me paqe. Disa mendojnë se pasuria e paqëson shpirtin. Të tjerë e kërkojnë në lavdi dhe në madhështi, qetësinë e brendshme dhe kënaqësinë. Dhe, në nivele ndërshtetërore dhe ndërkombëtare kërkojnë, me komisione dhe organizata, të stabilizojnë paqen në botë… Rezultatet, shpesh, janë të parëndësishme. Dhe në zemrat e më të shumtëve, në lidhjet midis tyre dhe në arenën botërore, shpesh, nuk ekziston paqja. Atëherë, çfarë do bëhet? Malli për paqen, që mbolli krijuesi, do të mbetet i paplotësuar? Cili është ai burim prej të cilit buron ky ujë i pavdekshëm, që të marrim dhe të shuajmë etjen e shpirtit tonë? Këtë burim na e tregon në apostullin e sotëm, shën Pavli, duke thënë: “Krishti është paqja jonë”.

* * *

“Krishti është paqja jonë, sepse me sakrificën e Tij mbi kryq solli pajtimin dhe paqen midis njerëzve. Domethënë, bashkoi në një trup, në Kishën e Tij, judenjë dhe idhujtarë, që ishin të ndarë dhe armiq midis tyre. Por, cilët prej judenjve dhe idhujtarëve bashkoi? Ata që besuan së pari tek Ai dhe u bënë të krishterë. Ata, pra, nëpërmjet Krishtit, u bënë bijë të Perëndisë; dhe përderisa u bashkuan në vazhdim midis tyre, u bënë vëllezër të Krishtit”. Sepse ai që bashkohet me Krishtin, natyrshëm, bashkohet edhe me gjithë ata që besojnë tek Krishti.

Krishti, pra, është paqja e vërtetë e njerëzve. Është lidhja e fortë dhe hallka e artë që mund të vëllazërojë njerëz e popuj. Dhe vetëm nën kryqin e Tij shuhet urrejtja, harrohen debatet dhe njerëzit zbuten dhe bëhen vëllezër midis tyre. Mënyra më e sigurt, pra, që të pajtohen ata që janë të ndarë dhe armiq, është të drejtohen tek Shpëtimtari. Të pranojnë vullnetin e Tij si ligj të tyre. Të mësohen nga kryqi i Tij, domethënë nga sakrifica e Tij mbi kryq dhe dashuria e Tij për njeriun, dhe të mbështeten në hirin e Tij. Atëherë, dashuria e Krishtit do t’i ndikojë dhe hiri i Tij do t’i shndërrojë në mënyrë që të largojnë nga zemra e tyre çdo armiqësi. Do të largohen hidhërime, antipati, urrejtje. Dhe, të frymëzuar nga Krishti do të bëhen miq dhe vëllezër.

* * *

Nëse “paqja është e ëmbël në emër dhe në esencë”, sipas shën Grigor Teologut, dhe na bën miq e vëllezër, cilat janë arsyet që humbasim paqen e shpirtit tonë dhe kemi grindje dhe luftërat brenda nesh dhe midis nesh? Fjala e Perëndisë dhe mësimdhënia e Etërve të shenjtë, konstatojnë brenda nesh, brenda zemrës sonë, shkakun sëmundjeprurës, që nuk është asgjë tjetër përveçse pasionet tona, me një fjalë, mëkati. Fjala e Shpëtimtarit Krisht është kategorike: “Nga zemra dalin mendime të liga, vrasje, ndyrësira, imoralitete, vjedhje, dëshmi të rreme, blasfemira, që e ndyjnë njeriun” (Mat. 15:19). Këto e dëbojnë paqen dhe na ndajnë nga hiri i Perëndisë. Zemra, nga banesë e Perëndisë, bëhet banesë e mëkatit dhe dinakërisë. Ne njerëzit e sotëm jemi të revoltuar dhe të përçarë deri në thellësitë e qenies sonë. Është aq e madhe tronditja jonë e brendshme që na pushton dhe ankthi psikik që na torturon, saqë shpesh të gjitha këto pasqyrohen edhe në fytyrën tonë; shprehen në shikimet e egra të syve tanë.

Nëse duam pra të gjejmë arsye që largojnë paqen, jo vetëm si individë, por edhe si shoqëri, do të gjejmë dy arsye kryesore: Njëri është burimi i çdo të keqeje, egoizmi; dhe kur njeriu do dhe imponon dëshirën e tij, e cila nuk pranohet nga të tjerët, shqetësohet, humbet paqen e tij. Dhe shkaku tjetër është kur dikush nuk bën përdorim të saktë të lirisë së vullnetit të tij. Është me të vërtetë i artë rregulli i Dhiatës së Re: “Bëjuni të tjerëve atë që dëshironi t’ju bëjnë ata juve” (Mat. 7:12).

Paqja është dhuratë nga Perëndia, e treta nga frytet e Shpirtit të Shenjtë: “dashuri, gëzim, paqe…” (Gal. 5:22). Vetë Zoti ynë, pas dymijë vjetësh, me të njëjtën fjalë na drejtohet: “Mos u mashtroni -thotë- mos u mbështesni në egoizmin tuaj dhe mos kini besim vetëm në logjikën tuaj, të cilën unë jua dhashë ta shfrytëzoni për të mirën, kurse ju e përdorni për të keqen. Mbështetuni tek unë, në paqen time. Unë nuk jua jap paqen siç ua jep bota” (Jani 14:27). Paqja që na jepet nga Perëndia, nëpërmjet besës tek Zoti ynë Jisu Krisht, ka karakteristikën e mëposhtme. Nuk është thjesht një qetësi që vjen nga një sistemim i jashtëm i çështjeve tona, por nga rregullimi i brendshëm i shpirtit.

Zbatimi i porosive hyjnore, dashuria dhe drejtësia, butësia dhe përmbajtja, përulësia dhe toleranca i japin qetësi dhe paqe njeriut. Mundet që ky njeri të mos ketë pasuri dhe lavdi, pozitë shoqërore dhe pushtet, por kur bën detyrën e tij, jeton me ndershmëri, shpërndan kudo dashuri, atëherë jeton në paqe. Mund të jetë edhe i sëmurë apo invalid; por kur beson tek Zoti dhe Perëndia i tij, dhe përpiqet të zbatojë porositë e Tij, e shikoni të qetë dhe paqësor.

* * *

 

Më në fund, kur do ta kuptojë njerëzimi këtë? Unitetin dhe paqen nuk do të munden kurrë ta sigurojnë organizata dhe këshilla sigurimi, mbledhje, marrëveshje dhe kompromise ndërshtetërore, nëse nuk do të kthehen njerëzit, me përulësi dhe shpresëtari, ndaj paqebërësit dhe çlirimtarit Krisht! Bashkëpunimi ekonomik është i mirë, por paraprin uniteti shpirtëror dhe dashuria e sinqertë, që frymëzon dhe siguron Kisha.

Me të vërtetë çfarë revolucioni bamirës dhe paqësor krijoi në botë feja e krishterë! “Një Zot, një besim, një pagëzim, një Perëndi dhe Atë i të gjithave” (Efes. 4:5), shpall shën Pavli. Dhe ndikimi i Krishtit vazhdon edhe në tema të tjera. “Nuk ka më mashkull e femër” (Gal. 3:28), thekson shën Pavli. Nuk ekziston ndryshim midis burrit dhe gruas. Secili në pozitën dhe misionin e tij. Nuk ekziston asnjë ndryshim midis të pasurit dhe të varfërit, të arsimuarit dhe të paarsimuarit. Dhe Perëndia, fatmirësisht, i kategorizon njerëzit pikërisht sipas situatës shpirtërore, dhe jo sipas arkës së gjithsecilit, gjuhës që njeh apo diplomës që ka.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Paqedhënësi i madh shpërndan dhuratën hyjnore të paqes tek bota e tronditur! Na pajton me të afërmit tanë, pasi më parë na ka pajtuar me veten tonë, dhe mbi të gjitha me Perëndinë, nëpërmjet pendimit, rrëfimit dhe pjesëmarrjes në misteret e shenjta. Pa paqe me Perëndinë nuk mund të kemi paqe me njerëzit.